Gëzim Borova vjen me mozaikë kashte
Piktori Gëzim Borova vjen në një ekspozitë personale të hënën më 21 shtator në galerinë "Kledio", me një ekspozitë personale. Punët e tij janë krejtësisht të veçanta, pasi elementi kryesor i veprave të tij është kashta. Portrete, peizazhe, natyrë e qetë, ai nuk kufizohet prej gjinisë, dhe me këtë element krejtësisht të veçantë arrin të kompozojë gjithçka. Borova zgjedh kashtën që përdor për veprat e tij, pasi ajo duhet të jetë shumë e mirë dhe lehtësisht e përpunueshme. Pasi i ndan në copëza të vogla fijet e kashtës, e pasi i ngjit në tablo, ai i mbush me furçë hapësirat boshe. Gëzim Borova është midis autorëve të vetëm që ushtron këtë zhanër të artit në vendin tonë. Prej 25 vjetësh Gëzim Borova kryen çdo ditë një punë të tillë, bazat e së cilës i ka marrë që 15 vjeç në ish-artistiken "Migjeni", duke e kthyer më pas në një art të vërtetë pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë. Punët e tij janë të njohura ndryshe si mozaik me kashtë, në të cilat artisti rikrijon kryesisht motivet popullore, si dhe veshjet tradicionale. Për të realizuar një vepër të kësaj natyre, për artistin duhen disa muaj punë. E mes gjithë sa ka realizuar bien në sy kryesisht kostumet tradicionale shqiptare, të cilat me ç‘duket artisti i ka shumë përzemër. Shumë prej këtyre punimeve Gëzim Borova i ka ekspozuar kryesisht në Itali dhe Gjermani.