Suela Piciri, koncert nën drejtimin e Eddi De Nadai
Suela Piciri në violinë, Sergio Patria në violonçel dhe Pietro Massa në piano do të vijnë në një koncert nën drejtimin e mjeshtrit italian, Eddi De Nadai, nën shoqërimin e orkestrës simfonike të Radiotelevizionit shqiptar. Koncerti do të çelet sot me simfoninë "Italiana", e F. Mendelssohn Bartholdy, ndërsa në fund të koncertit mjeshtri italian do të drejtojë orkestrën dhe tre solistët gjatë një ekzekutimi të kompozimit "Triplo Concerto" për piano, violinë dhe violonçel nga Beethoven. Violinistja shqiptare, Suela Piciri, është diplomuar me rezultatet më të larta në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1999. Ajo është violinë e parë në Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ndërsa për mjeshtrin italian, Eddi De Nadai, ky nuk është bashkëpunimi i parë me një orkestër shqiptare. Më parë ai ka drejtuar ekzekutimin e parë absolut në Shqipëri, të "Një ballo me maska" në vitin 2006, në Teatrin e Operës, si dhe ka drejtuar një prodhim të ri të "Normës" në vitin 2009.