E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinemaja, si nxitëse bashkëpunimesh

Ka nisur në Durrës java e kinemasë ibero-amerikane. Në ceremoninë e çeljes së saj në teatrin "Aleksandër Moisiu" qe i pranishëm ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio De Balanzo, dhe autoritetet vendore. Në hollin e Pallatit të Kulturës u çel njëkohësisht edhe ekspozita e organizuar nga ambasada spanjolle "Dëshmitarë të shekullit çifut". Në fotografitë dhe intervistat e fillimeve të shekullit XIX pasqyrohej jeta e pasardhësve të çifutëve spanjollë, të cilët u dëbuan nga Spanja në vitin 1942 dhe që u strehuan në popujt e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë. Në ceremoninë e hapjes së javës së filmit në spanjisht, në fjalën e tij ambasadori spanjoll Montobbio u shpreh se bashkëpunimi kulturor midis Spanjës dhe Shqipërisë është mjaft i ngushtë dhe kjo javë e filmit, ashtu si dhe ekspozita apo aktivitetet e tjera të këtij lloji, synojnë shkëmbimin e ngushtë të eksperiencave dhe vlerave kulturore midis dy vendeve tona. Nga ana e tij, kryebashkiaku Dako deklaroi se Durrësi po kthehet në një nga qytetet më të rëndësishme kulturore në vend për shkak të organizimit të aktiviteteve të shumta kulturore të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. Sipas kryebashkiakut, kjo javë e filmit në spanjisht, por edhe aktivitete të tjera kulturore të shumëllojshme, do të gjejnë gjithmonë përkrahjen e pushtetit vendor, pasi ato ndihmojnë në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Durrësit. Filmi i parë që çeli këtë javë të filmit në spanjisht ishte "Elsa dhe Fredi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›