E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të dukshme gjurmët e Shqipërisë komuniste"

Sapo ngjit shkallët e hotel "Dajtit", në një sipërfaqe të konsiderueshme muri, nuk mund t‘i ikësh një pikture murale. Është pjesë e ekspozitës së parë të edicionit të parë të bienales. Një hartë e madhe Shqipërie, ngjyrosur në blu dhe vija të shumëngjyrta që dalin nga konturet e saj. Kjo është vepra me të cilën prezantohet te publiku shqiptar artisti gjerman, Franz Ackermann, një emër i njohur i artit bashkëkohor. Si shumë artistë të tjerë të huaj që nuk e kanë njohur më parë Shqipërinë, edhe atë e ka intriguar ideja e një bienaleje arti bashkëkohor. Vetë organizatorët e kanë pranuar që artistët e ftuar për të qenë pjesëmarrës janë grishur nga ideja për njohjen e një vendi të pashkelur më parë nga ata. Secili prej tyre ka një përshtypje, qoftë edhe të cunguar, të marrë nga informacione mediatike apo të tërthorta mbi vendin tonë. Çfarë përshtypjesh ka pasur Ackermann kur e pa nga afër? "Duket që është një vend që vjen pas 45 vjetësh komunizëm. Këtë e shoh rreth e qark. Megjithatë ti e kupton që vendi është duke ecur shumë shpejt drejt progresit, apo asaj që e quajmë bota perëndimore. Këtë shoh edhe unë. Shqipëria ka një progres të shpejtë", thotë ai. Vetë ambienti ku po ekspozon është një nga ato që ai i quan gjurmë të komunizmit. Ackermann e ka realizuar punën e tij në muret e hotel "Dajtit", dhe nuk e ka sjellë atë me vete. "E gjithë bienalja është një konstelacion shumë interesant dhe ju duhet të kuptoni që kuratorët kanë bërë goxha punë për t‘u sjellë artdashësve shqiptarë ide të ndryshme se si perceptohet bota sot. Piktura ime shkon në këtë linjë, ajo reflekton shkëmbim informacioni. Gjithë ato vija shumëngjyrëshe tregojnë se kemi ndalur në Shqipëri e po shkojmë të shpërndajmë informacion jashtë saj", shprehet artisti gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›