E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzimi i Ramës në asamblenë staliniste të Gramozit...

“Kush trazohet me krunde, e hanë derrat” - Cervantes

Duke qenë humbës i zgjedhjeve, Rama nuk po shfaq shenja pendese. Ai po kërkon të mbetet kryetar, edhe pse e nxorri partinë me këpucë të kuqe. Pa pyetur për normën që dështaku nuk mund të flasë më për fitore, flet si udhëheqës i përjetshëm. Ndonëse Rama ka pohuar që nuk ështe politikan, po shfaq ambicie të frikshme. Mirëpo populli thotë: “Nuk bëhet lepuri langua!”. Ata që mbështesin Ramën, nuk mendojnë fare për fundin e tij. Servilët nuk e llogarisin dinjitetin e një figure politike. Të ngulmojë të rrijë kryetar ai që nuk kandidoi për deputet, sjell talljen me forcën politike që përfaqëson. Nëse Ramë deliranti është verbuar nga pikëllimi i humbjes, miqve u takon t’ia frenojnë ambicien për pushtet të pamerituar. Më mirë i humbur me dinjitet, sesa “fitues” i vetëshpallur, i turpëruar. Misionarët e vërtetë janë vetëflijuar për të mbrojtur hallexhinjtë. Adhuruesit e sinqertë nuk duhet ta lënë “apostullin” t’u bëhet qesharak. “Kulaçi që thyhet - thotë populli - nuk ngjitet më”. Rama, shoku i ambiciozëve, nuk është “kurbani” i meskinitetit të tyre. Megjithatë, humbja është motër e fitores. Nuk hyhet në garë me bindjen se do fitosh patjetër. Dorëheqja qëndron më lart se pranimi i një fitoreje të pamerituar. Ndërprerja e mandatit të Ramës është i sanksionuar prej vetë atij në statut. Kurse ky tani sillet sikur nuk mban mend se ç’ka thënë. Atëherë, nëse nuk njeh arbitër, pse pranon zotërí të hysh në lojë? Mosnjohja e humbjes është injorancë, madjé, arrogancë provinciale. Mospërfillja e institucioneve gjykuese është arbitraritet vetizolues. Nuk ka sovran që të pajtohet me kundërshtimin e zgjedhjeve, që ai vetë i çmon të qeta e të ndershme. Servilët, që shtiren partiakë fanatikë, padashur, po e shkatërrojnë Edvin Ramën dhe vetë partínë. Edhe pse është e panjerëzishme të tallesh me një delirant, interesat meskine qëndrokan më lart se idealet e ronxhobonxhove. Rama është pikëlluar sikur i ka rënë qielli mbi kokë. Kurse njeriut, që beson se nuk i janë shteruar vlerat, mund të shkëlqejë në shumë fusha të tjera. Por janë cinikë ata që ngulmojnë ta mbajnë kryetar, atë që nuk po njeh veten nga mërzitja e dështimit. Tani që Rama përjeton i dëshpëruar humbjen, i duken dashamirë puthadorët egoistë, që shohin prapa sakrifikimit të tij, mundësínë e realizimit të interesave të tyre meskine. Por, kur Ramë “misionari” të zgjohet nga deliri i fitores imagjinare - që iu shndërrua në kalvar - ka për t’i përbuzur si maskarenj gjithë ata, që i frytën në vesh të ngulmonte për të mos i njohur zgjedhjet. Asnjë mëkatar nuk e ka lehtësuar veten duke akuzuar viktimat. Duke mohuar legjitimitetin e plotë të zgjedhjeve e të institucioneve të dala prej tyre, Rama po ndëshkon, në rradhë të parë, sovranin, sidomos atë të vetin.  Partitë shkojnë e vijnë, kurse sovrani mbetet i mallëngjyer në ëndrrën e tij për integrim. Të gjithë kundërshtarët e këtij humbësi luftuan në Asamble të mos miratohej bojkoti. Por, nëse Ramën e shpie nesër Kongresi të ruajë pulat, mund të ndodhin gjëra të padëgjuara. Pasuesit e tij mund të kërkojnë edhe rënien e borive në Parlament, formimin e një partie personale; përjashtimin stalinian të  kuadrove me kontribute në partí. Ramës i duhet të mësojë sot nga ata që e “shajnë”. Sepse dhe kongresmenët e përlotur mund t’i kthejnë nesër krahët, kur njerëzit do ta akuzojnë Ramën haptas. Dhe, ndoshta, kanë për të mërmëritur me vete: “Mirë e gjeti!”. Madje, maskarenjtë mund dhe ta mallkojnë pse nuk u dëgjoi, gjoja, këshillat. Populli thotë :”Gomarin nga balta e nxjerr i zoti!”. Nuk i mungon aftësia Ramës të dalë nga kjo stuhí pikëllimi. Do të vijë çasti, kur ai të gjykojë me mendje të ftohtë. Dhe atëherë pikëllimi ka për t’iu shndërruar në tërbim kundër sekserëve, kongresmenëve, mbështetësve të tij të sotëm, të mbrapshtë; kundër gjithë ideatorëve megalomanë, që padashur për pak krijuan kataklizmën e braktisjes së Kuvendit.

Por çudí! Ndonëse Rama e dinte koston e qëndrimeve të tij, përsërí bëri të aprovohej Rezoluta, që nuk i njeh politikisht zgjedhjet dhe përjashton “penalizimin” e tij nga Statuti, d. m.th. ia shtyn tmerrin e ankthshëm nga humbja e zgjedhjeve. E kupton Rama se, më shumë se kujtdo, sjellja e tij i rëndon sovranit. Këtij sovrani shpirtgjerë, që mund dhe ta “justifikonte” si delirant, d.m.th. si humbës, nëse ky jepte me dinjitet dorëheqjen. Kurse tani, që Rama nuk po e ndan të mirën nga e keqja, sovrani e dënon ashpër për adhurimin ndaj vetes. Leon Tolstoi deklaruar se si korrigjonte pasazhe të veprave të tij nga vërejtjet, që i bënin nxënësit e vet. Kolosi i letrave çmonte intuitën, aftësinë vrojtuese dhe shijen e hollë të fëmijëve. Ndërsa Rama nuk pajtohet me kritikët e tij dashamirës. Ai ka aq besim në pushtetin e fshehtë, që ka mbi socialistët, aq i bindur është për verbërinë e tyre ndaj madhështisë së tij, sa propozon të diskutohet edhe mandati i tij si kryetar në Kongresin e 29 gushtit. Dhe as që shqetësohet për përgjegjësinë që ka kundruall sovranit.  Sidomos para elektoratit të vet, që lypsej t’i kërkonte ndjesë që e zhgënjeu. Se Rama e di mirë ç’i kanë punuar sovranit të parët e tij, kur e detyruan të vetëflijohej për ambiciet e tyre kriminale. Nuk duhet ta fusë Rama veten në rradhën e atyre që, pasi hyjnë në një “krim” politik, ( siç qe humbja e bindur e zgjedhjeve !) i pengon egoja të largohen të penduar. Jo! Ramë liberalit do t’i duhej t’i dënonte edhe ata, që e mbrojtën gati me unanimitet, nëse është vërtet parimor dhe nëse qëndrimi ndaj së vërtetës i intereson më tepër se karriera e tij. Por Rama në thelb ka mbetur një stalinist i thekur, një aventurier i papërgjegjshëm, një hiç i hiçërve, që nuk e shqetëson më shumë fundi i turpshëm, sesa realizimi i ambicies së tij për pushtet personal, absolut. Asnjëherë nuk do të ishte vonë për Ramën, që pretendoi të drejtonte shtetin, të shpëtonte nderin dhe dinjitetin e vet qytetar. Sepse, kryetar partie mund të bëhet çdo kuadër me përvojë, kurse Njerí - jo! Nuk është gjë e lehtë! “Ju jeni me të vërtetë një Njerí!” i tha shkurt Bonaparti shkrimtarit gjerman, Volfgang Gëte. Dhe Rama e di që nuk ka trimëri më të madhe se të fitosh mbi veten!...Por votimi gati unanim i Rezolutës së tij në Asamblenë Kombëtare i ngjalli shpresën se fryma e despotizmit nuk është shuar te shumë njerëz, tek të cilët diktatura investoi bashkautorësínë në krim dhe iluzionin se kundërshtimi i çdo të vërtete është fillimi i lumturisë së maskarenjve!...      ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›