Zoti e faltë se nuk din se çfarë bën
Ajo që ndodhi dje me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte.. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës. Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin.
Më lejoni këtu, që, në emrin tuaj, t’i deklaroj z. Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre. Por, ne merremi me transparencën dhe me disa standarde, sepse nuk mundesh që ta përdorësh lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë, nuk mundesh të vesh mure komunikimi me publikun. Megjithatë, meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t’ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç’bën. “Falja Zot se nuk di se ç’bën”, kaq mund të themi për të.
...