“Gëzimi i syrit”
Shpirti artistik i fëmijëve shqiptarë është demonstruar tashmë në mënyrë mbresëlënëse në shumë aktivitete ndërkombëtare dhe për një kohë të gjatë. Është shkolla “Gëzimi i syrit” me pedagog Bashkim Dervishin, që ka përfaqësuar pikturën shqiptare të talenteve të reja, kanë qenë dhe janë nxënësit e saj që kanë marrë çmime nga më të lartat në Finlandë, Çeki, Poloni, Francë, Hungari, Japoni etj., në vite dhe dekada. Edhe këtë herë janë dy djemtë e shkollës “Gëzimi i syrit”, David Hysi dhe Bleron Nelaj, të cilët i dhanë fitoren Shqipërisë në Bienalen e Kanagavës në Japoni, në një kompeticion ku garonin mbi 20.723 talente të reja nga të katër anët e botës. Po çfarë pikturonte Bleroni në pikturën e tij? – Një betejë moderne me këmbësori, aviacion luftarak dhe shpërthime bërthamore. E kuqja dhe portokallia, të shoqëruara nga ndërhyrjet e dhunshme të ngjyrës së zezë, japim menjëherë atmosferën e fuqishme e tronditëse të një beteje të vërtetë. Mbresat vizuale dhe imagjinata janë shpalosur natyrshëm me forcën e talentit fëminor.
Krejt ndryshe është tabloja e Davidit. E qetë, e pasur, e bukur dhe plot dritë çelet para nesh pamja poetike e fshatit të sotëm piktoresk shqiptar, ku disa të rinj po kalojnë një fundjavë të gëzueshme në paqe. Edhe ngjyrat që përdor Davidi, ku bien në sy e kaltra, e blerta, e kuqja, e verdha e luleve etj., shprehin pikërisht këtë atmosferë.
Juria eksperte e Bienales në Japoni i vlerësoi të dy autorët tanë të vegjël me çmimin selektiv. Edhe njëherë vajzat dhe djemtë e talentuar të shkollës “Gëzimi i syrit”, patën rastin të festojnë suksesin e shkollës së tyre, e cila prej kohësh është kthyer në një fidanishte të vërtetë të artit shqiptar.