E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Shoqëritë e sigurimit rrisin mjetet monetare me 6%



Për shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, totali i mjeteve për tremujorin e parë të vitit 2009 arriti në 16.5 miliardë lekë, me një rritje 6 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2008, ose me një rritje prej 13.4 për qind referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në këto nivele, mjetet e shoqërive të sigurimit përbëjnë rreth 1.5 për qind të PBB-së së vendit dhe rreth 1.9 për qind të totalit të mjeteve të sistemit financiar. Niveli i kapitalizimit të shoqërive të sigurimit, i matur si raporti i llogarive të kapitalit ndaj totalit të aktiveve, paraqitet në nivele të kënaqshme, rreth 56.5 për qind. Fitimi i vitit financiar për shoqëritë e sigurimit rezultoi 0.5 miliardë lekë, krahasuar me 0.3 miliardë lekë që llogaritej në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, veprimtaria operacionale e shoqërive të sigurimit shënoi rritje të kontratave, të pagesave të dëmeve, të kapitalizimit dhe të normave të fitimit. Në këtë periudhë, kontratat e sigurimit u rritën me 29 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të kontratave u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 4 miliardë lekë ose 27 për qind më lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Tregu i sigurimeve vazhdon të jetë i orientuar kryesisht drejt sigurimeve të jo-jetës, të cilat kontribuuan me rreth 92 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kontribuuan me rreth 8 për qind. Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 48 për qind të tregut, ndërsa primet e sigurimit të detyrueshëm zënë rreth 52 për qind të tregut. Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit arriti në rreth 0.8 miliardë lekë ose 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë. Rreth 89 për qind e dëmeve të paguara bruto i përkasin sigurimeve motorike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›