E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasikët për Nënë Terezën



Ajo i kushtoi veprën, jetën e thjeshtësinë, gjithçkaje që dukej e zymtë, e trishtë e ku rrekej babëzia. Por jehona e saj, jeton në çdo ditë tonën. Për këtë dje është kremtuar përvjetori i gjashtë i Lumturimit të Nënë Terezës, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh nëpër institucionet kulturore në kryeqytet e më gjerë. Në paraditen e djeshme Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe i Ansamblit Popullor ka organizuar një koncert në nder kësaj feste kombëtare. “Paraditja muzikore që ne organizuam ishte edhe kambana e madhe që ra për të festuar figurën e Nënë Terezës. Nënë Tereza është një shqiptare e madhe, e cila me veprën, personalitetin dhe jehonën që ka në botë i bën nder kombit shqiptar. Mori çmimin “Nobel për paqen” dhe si një nënë e madhe e shqiptarëve dhe e botës, e cila ka rrezatuar mirësinë, përpjekjen, thjeshtësinë në të gjithë veprën e saj, pa diskutim që meriton të nderohet”, - është shprehur për “standard” drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko. Sipas tij, shteti shqiptar ka treguar respekti, ndonëse të vonuar për këtë figurë të madhe. “Shqiptarët e njohën shumë vonë Nënë Terezën, atëherë kur ajo ishte lutur për ne. I kishte bashkuar ndjenjën, zemrën dhe përpjekjet e mëdha për të njohur shqiptarët, për të cilat ne u informuam vetëm në vitet e demokracisë”, - thotë Ciko, teksa shprehet optimist për iniciativën e ditës së djeshme. “Është bukur që kultura pararend për të qenë në planin e parë për kremtimin e Nënë Terezën. Ne u përpoqëm të bëjmë një paradite muzikore, e cila të ketë në programin e saj shumë nga ato ide që inspiron figura e saj. Përveç mesazheve që na ka lënë, të cilat u recituan dhe u ilustruan me video-projeksion, të gjitha veprat e kompozitorëve shqiptarë, por edhe atyre botërorë. Vepra të trashëgimisë sonë kulturore u vërtitën rreth temës së Nënë Terezës, thjeshtësisë së saj, dashurisë për vendin, për njerëzit, Zotin të cilit ajo i kushtoi veprën e saj”, - shton drejtori i TOB-së.

Rastësia “Porgi dhe Bes”

Aty flet varfëria, droga e prostitucioni. Por jo kjo nuk është vetëm rastësi. Idealet janë të njëjta, mesazhet denoncojnë. Mbrëmë, jo pa qëllim është rishfaqur shfaqja “Porgi dhe Bes”, pikërisht në festën e Lumturimit të Nënë Terezës. Sipas Cikos, është jo vetëm një koincidencë e rastit, pasi në thelb të operës amerikane qëndrojnë idealet e Nënë Terezës mbi varfërinë, e plagë të tjera të shoqërisë. “Shfaqja denoncon shtypjen ndaj njerëzve, dhunën ndaj tyre, përhapjen e veseve të këqija si droga, prostitucioni, plagë të shoqërisë, që deformojnë personalitetit shoqëror, për të cilat Nënë Tereza punoi kaq shumë duke i kushtuar edhe jetën. Kështu që dita e lumturimit të Nënë Terezës ishte një ditë e vlerësimit të saj, që në të ardhmen të ketë një spunto më të madhe dhe krijimtaria shqiptare kushtuar Nënë Terezës”, - thotë profesor Zhani Ciko. Duke mbetur në këtë shfaqje, e cila tri net më parë dha premierën e saj në opera në prani të personaliteteve më të rëndësishëm shqiptarë, Ciko e vlerëson si një shfaqje me objektiva të realizuara. “Objektivi i parë i sjelljes së kësaj shfaqjeje në skenë prej vitesh, e cila dukej e paimagjinueshme, madje realizmi i saj dukej edhe si një aventurë, funksioni shumë mirë. Vepra pati direkt impakt me publikun, si dhe një kalibrim i mirë mes bashkëpunimit të mes stafit shqiptar, me atë amerikan. Shfaqja ishte mjaft kompakte”, - tregon drejtori i operës. Një tjetër objektiv i shënuar ishte edhe pjesëmarrja e të rinjve, e dukshme në këtë shfaq, sidomos me debutimin e rolit protagonist, Bes nga Evis Mula. “Në fund të fundit muzika e Gershwen, jazz-it amerikan të kësaj opere, e cila bazohet mbi folklorin e kulturës amerikane, ka si simbol të parë shpirtin e ri. Në Shqipëri u realizua përmes pjesëmarrjes së shumë këngëtarëve të rinj”, - thotë ai. Përveç vlerësimeve, Ciko dallon edhe disa vërejtje mbi shfaqjen. Sipas tij, u evidentuan disa momente të tejzgjatura në pauza, ndonjë mbyllje perdeje e pavend që do t’i jepte një dinamizëm shfaqjes. Ai shton se “ka momente shumë të bukura kulmore, por trupat tona artistike duhet të jenë më të vëmendshme që pasaktësi të vogla, të cilat edhe mund të ndodhin, të evitohen dhe të na mbetet një produksion muzikor shumë i pastër, shumë i saktë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›