E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonezët, 106 milionë euro për pastrimin e ujërave të zeza në Tiranë



Kryeqyteti brenda një kohe të shkurtër do të ketë një sistem të modernizuar për pastrimin e ujërave të zeza. Një impiant që pritet të ndërtohet me fonde të qeverisë japoneze do të bëjë të mundur pastrimin e ujërave zeza, të cilat deri më tash derdhen në lumin e Lanës. Ujërat që derdhën në Lanë bashkë me mbetje të shumta, më së shumti plastike, përfundojë rëndom në det, duke u bërë kështu një burim për ndotjen e tij. Por sistemi i ri i kanalizimeve të ujërave të zeza në Tiranë do të bëjë të mundur, që derdhjet në det tashmë të jenë të pastra, pasi ujërat do të përpunohen. Tirana së shpejti do të ketë një sistem modern të kanalizimeve të ujërave të zeza. Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ka nënshkruar dje kontratën për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”. Ministri Olldashi dhe zëvendëspresidenti i firmës “Tokjo Engineering Consultants Co. LTD” firmosën dje kontratën e shërbimit të konsulencës për projektin “Përmirësimi i Sistemit të Kanalizimeve për Tiranën e Madhe”. Vlera e kësaj kontrate është 9.9 milionë euro, ku parashikohet të realizohen projekti dhe supervizimi për fazën e parë, si dhe studimi i fizibilitetit për fazën e dytë. Afati i kësaj kontrate është 12 muaj dhe i paraprin punimeve reale të ndërtimit me një vlerë prej 106 milionë euro financim i siguruar nga qeveria japoneze nëpërmjet JICA. Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi falënderoi qeverinë japoneze për mbështetjen që i ka dhënë këtij projekti. “Jam i bindur se me përfundimin e këtij projekti do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i kanalizimeve në qytetin e Tiranës, që sot derdhet në lumin e Lanës”, - është shprehur dje ministri Olldashi. Ky projekt do të bëjë të mundur që në lumin e Lanës të derdhet ujë i pastër dhe ai të marrë kështu vlerën e vërtetë të një lumi, i cili kalon mes përmes kryeqytetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›