E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristarti europian i zhvillimit

30-12-2011 / Gazeta 55

Nga Jim Leitner, Nuno Monteiro dhe Ian Shapiro
(www.project-syndicate.com)

Kriza e borxhit në Europë po vazhdon aq gjatë sa disa njerëz kanë filluar ta marrin për të mirëqenë se udhëheqësit e eurozonës mund të vazhdojnë të kalojnë nga një “mos-zgjidhje” te një tjetër, pa rrezikuar  të shembin gjithçka. Por në qoftë se ndonjë nga e ekonomitë e futura në telash të Europës jugore nuk do t’ia dalë të kapërcejë këtë situatë në muajt e ardhshëm, pasojat e kësaj sëmundjeje ngjitëse do të përhapen shpejt nga eurozona në të gjithë sistemin financiar botëror, me pasoja shumë më të rënda se ato që solli kolapsi i vëllezërve Lehman në shtator 2008.
Me gjithë marrëveshjen e re të arritur në samitin e Bashkimit Europian në dhjetor, forcimi i besimit në tregjet financiare në eurozonë mbetet një objektiv  i vështirë për t’u arritur. Pas këtij samiti, norma e këmbimit të euros arriti nivelin e saj më të ulët për këtë vit (rreth 1,30$ ), ndërsa  nxjerrja e bonove pesë vjeçare italiane arriti një nivel mjaft të lartë (gati 6,5%). Në Francë, kandidati presidencial socialist François Hollande kategorikisht deklaroi se marrëveshja e fundit "nuk ishte përgjigjja e duhur ", sepse "pa rritje ekonomike, ne nuk do të arrijmë asnjë nga objektivat për reduktimin e deficitit." Holanda kishte të drejtë. Që nga shpërthimi i krizës në Greqi, pothuajse dy vjet më parë, krerët e BE-së nuk kanë arritur të propozojnë një zgjidhje që të balancojë masat shtrënguese në bazë të rritjes ekonomike. Sa herë që tregjet sinjalizojnë një lloj skepticizmi  ndaj qëndrueshmërisë së euros, liderët europianë nxitojnë për të rikthyer besimin  te euro nëpërmjet masave shtrënguese, duke injoruar nevojën themelore për të rivendosur kushtet e favorshme për rritjen ekonomike. Pa rritje ekonomike, perspektivat afat-gjata të BE-së do të jenë të zymta.
Që nga fillimi i krizës, nevoja për rritje ekonomike në vendet europiane të prekura nga kriza e borxhit është parë si një problem i tyre. Për kreditorët, sidomos për huadhënësit gjermanë, prioriteti kryesor ka qenë vendosja e masave të ashpra shtrënguese dhe e  një disipline strikte për pjesën plëngprishëse jugore të eurozonës, pasi bankat gjermane mbajnë pjesën më të madhe të borxhit të marrë nga bankat periferike dhe qeveritë. Zyrtarët janë përqendruar në këtë hallkë financiare që gjendet mes ekonomisë së Gjermanisë dhe ekonomisë së trazuar të vendeve anëtare të  eurozonës. Por dëshira e pakuptueshme e Kancelares gjermane Angela Merkel për të disiplinuar të dorëshpuarit  do të thotë të presësh degën e fundit të mbetur në të cilën mbaheshin taksapaguesit dhe bankierët  gjermanë. Strategjia e Merkel injoron një hallkë të dytë mes Gjermanisë dhe vendeve të eurozonës të zhytura në borxhe. Një pjesë e madhe e eksporteve gjermane (si dhe e atyre të ekonomive të tjera të shëndosha të zonës euro) shkojnë në tregjet e eurozonës - duke përfshirë këtu edhe në ato të jugut të trazuar.
Deri në goditjen nga kriza, Gjermania përfitoi jashtëzakonisht shumë nga mjedisi i qëndrueshëm i krijuar nga eurozona. Vendet periferike  të eurozonës patën rritje të deficitit  të llogarisë korente, i cili subvencionoi rritjen gjermane. Nëse këto tregje tani tkurren - dhe vendosja e masave shtrënguese deri më tani ka çuar në recesion të rëndë  Greqinë dhe Irlandën, si dhe Portugalinë që pritet t’i ndjekë ato vitin e ardhshëm - kështu do të tkurret edhe ekonomia gjermane. Pra, vendet e Europës jugore të zhytura në borxhe nuk janë të vetmet të interesuara për rritjen e tyre ekonomike.
Çdo strategji që të jetë e suksesshme për  zgjidhjen e krizës duhet të përfshijë këto dy hallka që gjenden midis ekonomive kryesore dhe atyre periferike. Kjo do të thotë gjetja e një politike të përshtatshme ku të përfshihen si masat shtrënguese ashtu edhe nxitja e rritjes ekonomike. Vetëm një zgjidhje e tillë, që balancon të dyja këto, do të garantonte rritjen afatgjatë të ekonomive të eurozonës, si të ekonomive periferike ashtu edhe  atyre kryesore, duke i siguruar tregjeve debitore aftësinë për të shlyer borxhet e tyre dhe duke ndaluar këtë sëmundje ngjitëse që kërcënon të zërë gjithë kontinentit. Marrëveshja e arritur në samitin e fundit të BE-së për institucionalizimin e masave shtrënguese duhet të mbështetet  me politika që nxisin  rritjen ekonomike.
Kjo kërkon një qasje të dyanshme. Së pari, vendet që kanë shumë borxhe duhet të lejohen të konvertojnë borxhin e tyre në bono të reja të emetuara me interesa mjaft të ulëta. Kjo është e domosdoshme për reduktimin e borxhit në nivele të menaxhueshme dhe për pakësimin e pagesave të menjëhershme të borxhit, duke lënë hapësirë që këto burimet të përdoren për investime dhe konsum, gjë që bën të mundur rritjen ekonomike.
Por në qoftë se kreditorët deri tani janë ndeshur me dizavantazhet e krizës aktuale, duhet pasur parasysh se do të jenë ata që do të përfitojnë nga rritja e ardhshme ekonomike e ekonomive periferike të eurozonës. Kjo ndodh në një hap të dytë: duke bërë që bonot e reja të lidhen me sigurimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendeve debitore. Konvertimin i borxhit ekzistues  në bono të reja duke u lidhur me sigurimin e  PBB do të funksionojë si një shkëmbim borxh - kapital në një falimentim korporate. Kjo do të garantonte që kreditorët të merrnin pjesë në pjesën e parë të reformave, reforma që eurozona duhet t’i implementojë për të garantuar qëndrueshmërinë e saj.
Ka një rast precedent në lidhje me këtë. Për shkak të borxhit që kishte në vitin 2002, Argjentina vuri në zbatim me sukses një program të ngjashëm. Në këmbim të një reduktimi të borxhit të saj ekzistuese, qeveria argjentinase emetoi bono të reja të lidhura me sigurimin e PBB  ku 5% e rritjes së ardhshme vjetore të PBB  mbi 3.3% u nda mes një grupi kreditorësh.
Sigurimi i PBB argjentinas shpejt u bë i tregtueshëm ndaras nga bonot me  të cilat ishte i lidhur fillimisht, duke lejuar poseduesit e tyre ta merrnin atë shumë në para.  Pas  rifillimit të rritjes ekonomike  në Argjentinë,  sigurimi i GDP u bë një nga investimet më të mira në vendet në zhvillim, duke gjeneruar një kthim total të të ardhurave prej më shumë se 500% gjatë pesë viteve të fundit.
Pa rritje ekonomike, nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme të krizës së eurozonës. Për  ringjalljen e ekonomive në vështirësi marrëveshjet e kohëve të fundit mbi  masat shtrënguese duhet të mbështeten nga një rimodelim i borxhit. Rimodelime të tilla, megjithatë, janë të vështirë për tu shitur tek elektorati gjermane. Sigurimi i PBB do të ishte një mënyrë e mirë për ta mbyllur këtë çështje.
Jim Leitner është presidenti i “Falcon Management”, kurse Nuno Monteiro dhe Ian Shapiro janë profesorë të shkencave politike në “Yale”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›