E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riktheni atje ku ishte, rrugën Dëshmorët e 4 Shkurtit!

Share

Nga Altin Ketro

Rreth 68 vjet më parë, në një natë të errët të 14 shkurtit 1944, nazistët gjermanë në bashkëpunim me Xheferr Devën, ish-ministër i Brendshëm në qeverinë kuislinge të Rexhep Mitrovicës, realizuan në Tiranë një akt terrorizmi, masakrën e përgjakshme në të cilën vranë 84 qytetarë të Tiranës si dhe arrestuan e internuan mbi 500 të tjerë. Një masakër e pashoqe në kontinentin tonë po ta marrësh për frymë popullsie të kohës. Kishte midis të vrarëve njerëz të të gjitha moshave e kategorive, përfshi edhe tre italianë të strehuar nga vendasit qysh prej kapitullimit të Italisë. Në mëngjesin e 5 shkurtit qyteti u gdhi me pellgje gjaku e kufoma, nga ajo që u quajt, Nata e Shën Bartolemeut. Për nder të këtyre bijve të Tiranës, në kujtim të jetëve të pafajshme që u morën atë natë, njërës prej rrugëve më kryesore dhe elitare të kryeqytetit shqiptar iu dha emri, Dëshmorët e 4 Shkurtit.

68 vjet më pas, 29 marioneta berishisto-metiste të drejtuara nga Lulzim Basha, ish-ministër i Brendshëm në qeverinë krimbërëse të Sali Berishës, në një vendim mesnate, i njëjtë si simotra e saj, ia hoqën emrin rrugës që e identifikonte për disa dhjetra vjeçarë dhe e spostuan më tej, në një rrugicë të ngushtë, duke i rivrarë për së dyti ata dëshmorë. Në vend të saj, vendosën atë të ish udhëheqësit kosovar, të ndjerit Ibrahim Rugova.

Një rrugë me emrin e z.Rogva ka qenë në Tiranë dhe nëse Këshilli Bashkiak donte ti rezervonte një rrugë më të mirë, një ide mund të ishte edhe një pjesë e segmentit të ri të Unazës së Madhe të Tiranës. Besoj se kështu edhe emri i respektuar i Dr.Rugovës do ishte më shumë i vlerësuar.

Por zotërinjtë talebanë të Këshillit Bashkiak nuk e menduan shumë gjatë dhe piketuan pikërisht atë rrugë, emri i të cilës simbolizonte një nga bashkëpunimet më fatzeza nazisto-ballisto-zogiste, për të mos i dhënë rëndësinë që mbartte, por të konsiderohej si rrugë-aneks e dorës së dytë. Ndoshta e kanë patur në mend për ta shkrirë fare, por mbase kjo do jetë pjesë e një operacioni të butë në të ardhmen, për të mos rënë në sy menjëherë.

Bashibozukët e udhëhequr nga Lulzim Basha mendojnë se me këtë veprim kanë nderuar emrin e Dr.Rugovës, përkundrazi, e kanë bërë hasha me të gjithë ne që smund të pranojmë që përkujtimi i 84 qytetarëve të Tiranës të përdhoset kësisoj. Personalisht do u bëja thirrje të reflektonin dhe në mbledhjen më të afërt te Këshillit Bashkiak të revokojnë vendimin e marrë e ti rikthejnë rrugës emrin e vet, Dëshmorët e 4 Shkurtit. Rrugën me emrin e z.Rogova, siç edhe sugjerova, mund ta spostojnë tek Unaza e Madhe apo diku gjetkë ku nuk preken ndjeshmëri të forta të qytetit. Në rast se nuk e ndërmarrin një hap të tillë, ta dinë mirë se ky ndryshim që bënë do e ketë jetën e shkurtër, sa vet mandati i Lulzim Bashës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›