E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një europian në oborrin e Dajë Samit

Opinion

Duke dalë nga çdo suazë rutinore e librave me udhëpërshkrime, Jean Baudrillardi ka mënyrën e vet të perceptimit dhe të riprodhimit të imazheve fizike e shpirtërore, por jo vetëm të atyre. Në sytë e tij gjithçka vjen e përthyhet sipas një optike të pazakontë, shpesh të pagjasë, më së shumti origjinale, por jo rrallë edhe kritike e të vrazhdë në gjykimin e vet depërtues deri në ind të objekteve dhe subjekteve që përimton. Ja si e koncepton Amerikën e tij: “Thellë-thellë Shtetet e Bashkuara me hapësirën, stërhollimet teknologjike, ndërgjegjen e mirë, brutale, duke përfshirë edhe hapësirat që ata i japin gjasmimit janë e vetmja shoqëri primitive, e tashme”. Dhe pak më poshtë është po ky Baudrillard që shprehet: “Këtu në shoqërinë më morale të mundshme, hapësira është me të vërtetë imorale… Udhëtimi me veturë është një formë spektakolare e amnezisë. Gjithçka është për t’u zbuluar, gjithçka është për t’u harruar”. E pra, të dashur lexues, shtrëngoni fort rripat e sigurisë dhe përgatituni për një udhëtim të vështirë, por edhe të pazëvendësueshëm, përtej atij dimensioni që vetë autori në hyrje të librit “Amerika” e cilëson një vanishing point.

Stili i Baudrillardit në këtë libër është revolucionar, një thyerje e pashkërbyeshme e skemës tradicionale, një eksplorim gati-gati shterrues, jo dhe aq i botës fizike sesa asaj metafizike, çka përbën një risi në zhanrin e udhëpërshkrimeve. Në qoftë se do të mund ta krahasonim me diçka imazhin që përfton nga përshkrimet e autorit të madh është ai i mijëra fragmenteve të një pasqyre të thyer, ku çdo copëzë pasqyron të njëjtin fragment të botës në një mënyrë vetjake, krejt të ndryshme nga copëza tjetër, binjake. Kësodore mozaiku i krijuar prej shkrimtarit e ka të pamundur të të ofrojë një kuadër të plotë dhe unik se, tek e fundit, ky nuk është as mjeti, as qëllimi i tij. Në ato raste të rralla kur i njeh vetes të drejtën, ose zotësinë (merreni si të dëshironi) ta mpiksë mendimin, pra, të përkufizojë diçka, Baudrillardi mbërrin në përcaktime që enden sa nga skaji filozofik i mendimit në skajin poetik, në qoftë se na lejohet të bëjmë një diferencim kaq të prerë. Ja se si shprehet ai në një nga rastet më emblematike: “Amerika nuk është as një ëndërr, as një realitet, por një hiper-realitet. është një hiper-realitet, sepse është një utopi, e cila, qysh në fillim, është jetuar si e realizuar”. E jashtëzakonshme! Dhe vijon më tej: “Këtu gjithçka është reale, pragmatike dhe prapë gjithçka të bën ëndërrimtar”. E pra, nuk ka një formulë, e cila të ngërthejë në të njëjtën kohë, brenda së njëjtës fjali, dy të thëna tejet kontradiktore që, paradoksalisht, në vend që të asnjanësojnë njëra-tjetrën, siç edhe lypsej të ndodhte, e përplotësojnë në mënyrë të përkryer. Tek e fundit kjo është edhe kuintesenca e vendit që gjithkush e njeh me konotacionin gjeo-politik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka filozofi frëng ka ditur ta rrokë me një mendjemprehtësi të pazakontë, por edhe ta sintetizojë si rrallëkush nga soji e sëra e tij.

Baudrillardi është një vëzhgues i hollë, i vëmendshëm, syri i të cilit duket sikur nuk i shpëton asgjë; në të vërtetë është një mbikëqyrës fanatik, një qenie e obsesionuar, fanatike, i cili nuk lejon që shqisave të tij dhe këtu kam parasysh jo vetëm shqisën e të parit, po të pesta shqisat, t’i shpëtojë gjë prej gjëje: autostradat, hamburgerët, coca-cola, politika, moda, muzika, kaubojsët, shkurt e shkoqur gjithçka që i jep trajtë e substancë asaj që është quajtur american way of life, pa e perceptuar dhe pa e kaluar në sitën e hollë, therëse të mendimit e gjykimit të tij, i cili, më pas, përfundon në sinteza të tilla që zor se të dalin mendsh: “është buzëqeshja e Reaganit tek e cila arrin kulmin vetëkënaqësia e të gjithë kombit amerikan dhe është duke u bërë përherë e më shumë parimi i vetëm i qeverisjes. Buzëqeshje autoprofetike si të gjitha shenjat publicitare: buzëqeshni që t’ju buzëqeshin”. Dhe e mbyll këtë mendim me një shprehje të shkëlqyer: “në mungesë të identitetit, amerikanët kanë një kurorë vezulluese dhëmbësh”. A mund të më thoni, cili mendimtar ia ka dalë mbanë ta shndërrojë imazhin sylëbyrës, jo thjesht në mendim e ide, po në një koncept filozofik e poetik? Se ja, çfarë kumti na përcjell më tej: “Përmes kësaj buzëqeshjeje Reagani arrin një konsensus shumë më sipëran se ai që do të arrinte akcili Kennedy përmes arsyes ose zgjuarsisë politike”.

Freeways, safeways, billboards, downtowns, ghost town, drive-in, store houses, jet lag etj., etj. E riprodhuam gjithë këtë enumeracion marramendës anglicizmash që gjenden në tekstin e Baudillardit, të cilët për nga sasia mund të përbënin fare mirë lëndën e një fjalorthi xhepi, për të ilustruar konkretisht atë efekt që arrin të krijojë autori gjatë leximit të librit, efekt që e përforcon edhe më shumë atë ndjesi që krijon mendimi baudrillardian, atë angështi, ankth, dalldi, ekstazë e pështjellim, shkurt atë kompleks ndjenjash e përjetimesh që shkrimtari ia del të na i përçojë me shpejtësinë dhe saktësinë që filli i bakrit mbart e përcjell rrymën elektrike. Ky libër i Baudrillardit për Amerikën, me gjasë më origjinali dhe më ekstravaganti njëherësh që është shkruar për Botën e Re, mbart në thelb atë kompleksitet përsiatjesh që kapërthen çdo europian që kuturis e rravgon në atë planet, një pentagram ndjenjash nga më kundërthënëset, të cilat ripërtërihen e koklaviten sa më shumë që e viziton dhe e njeh atë vend, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Thënë së toku me Baudrillardin, Amerika është utopia jonë e përbashkët, por, ndryshe nga utopitë e tjera të njerëzimit, ajo është një utopi e realizuar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›