E Diel, 1 Nëntor 2026

Modelet që duhet të promovojmë

Kam disa ditë që kam dalë nga spitali. U operova për ndërrimin e besmekerit. Tri ditë e shtruar në reanimacion. Shef përsëri doktor Kondili. Ky fakt më gëzoi. Para njëzet vjetëve po në këtë sallë(tashmë e transformuar) isha shtruar për t‘u operuar për vënien e parë të besmekerit. Ndenja e shtruar dy muaj. Gjendja ime e rëndë dhe operacioni shumë i vështirë, gjente njëlloj shprese te prania e doktorit, kujdesi dhe psikoterapia. Zhurma e motorit(atëherë nuk kishte makinë), e cila në orën tre pas mesnate sillte nga shtëpia mjekun, na bënte të gjithë të shtruarve të drejtonim sytë nga dritaret prej nga prisnim shpresën. Për secilin në reanimacion luftonte jeta me vdekjen. Doktori në një qetësi absolute, i pasuar nga infermieret, merrte prej tyre informacionet përkatëse, kontrollonte aparaturat te koka e krevateve tona, na pyeste secilin, na jepte shpresë, pastaj linte te mjeku i rojës udhëzimet përkatëse dhe përsëri zhurma e motoçikletës largohej për të çuar në shtëpi mjekun e palodhur. Në orën tetë të mëngjesit ai duhet të ishte përsëri aty. Dhe ja, krevati me rrota më dërgoi në sallën e operacionit njëzet e ca vjet më vonë. Isha në gjendje të turbullt. Filluan procedurat e rastit: grafi, matje tensioni etj. Të gjithë të rinj si mjekë dhe infermiere. "Mjekët më të mirë janë sot me ty këtu Drita", u dëgjua zëri i doktorit të cilin s‘e shihja, sepse kokën ma kishin mbuluar. "Faleminderit doktor", iu përgjigja.

Ja - foli më në fund kirurgu - tani do ndiesh vetëm një pickim të lehtë(ndoshta anestezia lokale...?). Pastaj, sikur ne të ishim ulur në një kafe filloi dialogu: Nga je ti Drita? Nga Vlora- i thashë unë. "Nga Vlora me mbiemrin Pelinku? Jo, jo... dialogu vazhdoi natyrshëm deri në çastin kur mjeku ndërpreu bisedën dhe tha: Kaq qe. Tani punon besmekeri i ri dhe pas pak mbaron gjithçka. U habita. Gjithë ajo bisedë ishte thjesht një psikoterapi që unë të humbisja mendjen. E vlerësova mjekun e ri për këtë fakt. Kurrë nuk më ishte dukur kaq i shpejtë ky proces që e kisha provuar edhe dy herë të tjera. Në reanimacion numri i të sëmurëve ishte shtuar aq shumë sa shtretërit e tyre qëndronin në korridorin e gjatë!! Krevati im ishte në një pozicion prej nga dukeshin lëvizjet e personelit. Krahun e besmekerit duhet ta mbaja të ngrirë dhe ky fakt më la pa gjumë. Kryeinfermierja me personelin përkatës vinte më kontrollonte vazhdimisht. Infermieret e turnit më matnin tensionin, më bënin antibiotikë dhe te secila ndieja ngrohtësi. Dy buqeta lulesh që m‘i prunë miket e mia të dashura bënë që kthina ime e vogël të merrte pamjen e teatrit. Por, ndonëse mpirja e krahut të djathtë më shqetësonte, vëmendja ime ishte përqendruar te të sëmurët në korridor. Ajo lëvizje e pandërprerë e stafit nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen. Nga njëri shtrat te tjetri, injeksione, grafi, qetësues... Luftonin vdekjen me mungesa mjetesh teknike, por me përkushtim. Në mëngjes, grupi i kontrollit mjekësor me në krye shefin e tyre, ndalonin te çdo shtrat. Të gjithë ishin mjekë të rinj. Erdhën edhe tek unë. Më pyetën. Më bëri përshtypje se me sa vëmendje e dëgjonin fjalën e shefit të tyre. Kjo më bëri të mendoj se tej çdo diplomimi apo specializimi, përvoja e personaliteteve është përvojë për këdo. I falënderova. As jashtë shtetit nuk do kishin bërë më shumë për mua, me gjithë mungesat e shumta teknike. Në çast më lindi mendimi t‘i drejtohem shtypit. Ne vetë, shumë rrallë i drejtohemi për të treguar modele, kurse bëjmë zhurmë të madhe për të diskredituar të pandërgjegjshmit. Ata patjetër duhet të marrin në çast dënimin e merituar, por jo t‘i mëshojnë vazhdimisht vetëm këtij fakti duke përlyer indirekt nëpërmjet tyre bluzat e bardha. Populli ynë i thjeshtë ka nevojë për këto modele për të ndjekur shembullin e tyre dhe për t‘u ngjallur shpresën se edhe në Shqipërinë tonë hallemadhe ka profesionistë të zotë që mund të konkurrojnë edhe në botë, por u duhen krijuar kushtet!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›