E Diel, 1 Nëntor 2026

Giffoni dhuron një film për fëmijët jetimë

Historia e Elina, prodhimi suedezo-finlandez që çeli Prolog Giffonin në Sarandë, nuk kaloi heshtur nga fëmijët e dy shkollave 9-vjeçare të qytetit Adem Sheme e 9 Tetori, të cilët e ndoqën me kureshtje këtë film. Por ka qenë një tjetër kategori fëmijësh,

ata të Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë të Sarandës që janë bërë thuajse protagonistë të këtij filmi. Elina, ashtu si edhe ata ishte një jetime në Zvicrën e viteve 50. Nëntëvjeçarja që jetonte me të ëmën, motrën dhe vëllain e vogël e kishte humbur të atin nga turbekulozi. Për më tepër, familja e saj i përkiste minoritetit finlandez, atë kohë i përbuzur. Vet vogëlushja kishte mundur ti bënte ballë sëmundjes së rëndë, por pas daljes nga spitali e ndjen shumë mungesën e të atit. E shëruar pas disa muajsh, Elina rikthehet në shkollë por e gjen veten në një klasë të re. Pikërisht në klasën e mësueses së rreptë Tora Holm, e cila i detyron nxënësit finlandezë përmes ndëshkimesh të rrepta të mësojnë suedisht. Që prej ditës së parë, marrëdhëniet e Elinës me mësuesen nuk shkojnë mirë sepse Elina kundërshton padrejtësitë edhe ndaj shokëve të saj. Filmi i regjisorit Klaus Haro ka qenë kandidat për çmime në festivale të ndryshme në kategorinë e filmave për fëmijë, si dhe ka marrë Ariun e Kristaltë në Berlinale. Pas projeksionit, herë në ndrojtjen e tyre dhe herë të nxitur nga dëshira për të folur, fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë kanë treguar momentet që u kanë pëlqyer më shumë, kanë folur për Elinën, për ëndrrat e saj dhe të tyre. Të nxitur nga impakti i filmit, stafi organizator i Prolog Giffoni së bashku me kryetarin e Bashkisë, z. Edmond Gjoka, kanë bërë dje në ora 10.30 një vizitë në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë. Fëmijëve, që për ironi të fatit u ka takuar të rriten në atë shtëpi, u është dhuruar filmi Elina. Njëkohësisht në mbështetje me Tring digital, fëmijët kanë tashmë të tyren një paketë digjitale me një abonim një-vjeçar, pjesë e së cilës janë edhe filmat që do të shfaqen në një tur shëtitës në disa qytete turistike të Shqipërisë përmes formatit Prolog Giffoni.

Last Updated on Monday, 17 May 2010 20:16

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›