Gintash, së shpejti qendër tregtare në Mal të Zi
Së shpejti grupi Gintash do të hapë në Potgoricë qendrën më të madhe tregtare. Projekti kap vlerën e 40 milionë eurove. Gintash group, Gintashmont AD dhe Bashkia e Podgoricës janë investitorët e qendrës më të madhe tregtare në Podgoricë, “Qendra Tregtare e Malit të Zi“. Projekti është kryer sipas modelit Partneritet Publik Privat (PPP) dhe është projekti PPP më i madh dhe më i suksesshëm i zbatuar ndonjëherë në Malin e Zi. Në përfundim të fazës së parë, kompleksi “Green Bazaar“ është hapur për publikun në prill të vitit 2008. I gjithë projekti “Qendra Tregtare e Malit të Zi“, është dizenjuar në mënyrë të tillë që të plotësojë të gjitha nevojat ditore të konsumatorëve. Green Bazaar ofron produkte ushqimore dhe jo ushqimore në kushte shumë moderne dhe higjienike. Faza e dytë dhe e tretë – qendra tregtare dhe hoteli, me shumë marka lokale dhe ndërkombëtare, do të konsistojë në butikë mode, hipermarket, bowling, zona e argëtimit, dyqane të ndryshme, të cilat me një ambient të këndshëm familjar do të ofrojnë një gamë të gjerë produktesh me çmime shumë konkurruese. Edhe ambientet e hapura, si p.sh Sheshi Gintash W, i dizenjuar si një shesh me elementë të tillë si trotuare, stola dhe mure uji, do të përbëjnë vendin ideal për organizimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore. Tarraca mbi Café Bar-in në sheshin Gintash është ndërtuar në mënyrë të tillë që të shërbejë edhe si skenë për koncerte dhe aktivitete të ngjashme. Për ndërtimin e kësaj qendre janë përdorur materiale të cilësisë më të lartë, ndër të cilat disa prej tyre përdoren për herë të parë në Mal të Zi.
I gjithë objekti karakterizohet si një ndërtesë e “zgjuar“ me sisteme automatike të integruara me elektricitet të voltazhit të ulët, si dhe elementë sigurie për zjarrin dhe mbrojtjen ndaj tij. Garazhi nëntokësor me një kapacitet prej 400 vendesh është i gjithi i mbuluar me sistem lajmërues për monoksidin e karbonit dhe dioksidin e karbonit. Sistemi i ventilimit është automatik dhe përfshin ventilatorë modernë me një kapacitet prej 360.000 m3/orë. Kapaciteti i transformatorëve elektrike të objektit është afërsisht 44MVA, ndërkohë që kapaciteti i gjeneratorëve është afërsisht 2.3MVA. Në objekt janë të integruar 4 ashensorë të mëdhenj, 4 shkallë elektrike dhe 10 ashensorë të tjerë.
Ashensorët për klientët dhe shërbimin janë të ndarë në mënyrë të sofistikuar. Hoteli ka një sipërfaqe prej 9.400 m2: 90 dhoma duke përfshirë 9 apartamente dhe 3 apartamente për personat me aftësi të kufizuar, restorantin, qendrën fitness, spa, sallonin e bukurisë dhe klubin e natës. Përveç kësaj, pjesë e këtij hoteli do të jenë dhe salla e mbledhjeve me sipërfaqe 1200 m2, salla e konferencës me kapacitet 250 vendesh, 4 dhoma mbledhjesh, dhe salla e koktejleve. Ky projekt ka pasur vëmendjen e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare dhe është mbështetur me kredi nga IFC . Markat lokale dhe ndërkombëtare kanë treguar një interes të veçantë për të qenë pjesë e kësaj qendre. Qendra tregtare po hap dyert në mes të nëntorit 2009, ndërkohë që inaugurimi final do të jetë në shkurt të vitit 2010. Ndërkohë hapja e Hotelit do të bëhet në prill të vitit 2010.