Dajti, nderohen 4 policët e vrarë
Etleva Delia
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, tha dje në Ditën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit se do të rrisë edhe më tej mbështetjen për familjet dhe fëmijët e efektivave të rënë në krye të detyrës. Përtej nderimeve dhe mirënjohjes për 241 efektivat e policisë që dhanë jetën për të luftuar krimin, ministri tha se për familjet e tyre do ketë edhe një vlerësim monetar. Bashkëshortet e policëve që kanë rënë në krye të detyrës do të paguhen me pagën e plotë të punonjësit, deri sa fëmijët të arrijnë moshën 18 vjeç. Ky ishte pohimi i ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, në ceremoninë që u zhvillua dje me rastin e Ditës së Dëshmorëve të policisë. “Borxhi që shoqëria ka ndaj jush nuk mund të lahet kurrë. Jo vetëm në shenjë mirënjohjeje, por si thelb i ekzistencës së çdo shoqërie, ne duhet të tregojmë se duke nderuar kujtimin e të rënëve, nderojmë sakrificën për të ardhmen e gjithë shoqërisë”, tha ministri Basha. Ai garantoi në emër të qeverisë për përkujdesje të vazhdueshme ndaj familjeve të punonjësve të policisë rënë në krye të detyrës. Basha informoi ndërkohë se po përgatitet një projektvendim që do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, i cili ka për qëllim rregullimin e trajtimit financiar të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Sipas Bashës, ku vendim përfshin periudhën nga 31 marsi 1991 dhe në bazë të tij së shpejti do të nisë puna për rishikimin e statusit të punonjësve të policisë. “I kujtojmë sot të rënët tanë duke përkujtuar se sakrifica e tyre dhe e qindra anëtarëve të forcave të Policisë së Shtetit nuk ka shkuar dëm”, u shpreh ministri Basha. Ai përgëzoi efektivat e policisë duke pohuar se edhe falë punës së tyre, luftës pa kompromis ndaj krimit, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe aplikante për anëtarësim në BE.
DEKORIMET
Në përfundim të ceremonisë, familjarëve të punonjësve të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, të rënë në krye të detyrës për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, iu dorëzuan certifikatat e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe simboli “Familja e Dëshmorit të Atdheut”. Gjatë këtij momenti ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA, John Withers, ambasadorja britanike, Fiona Mcllwham dhe ambasadorja franceze, Maryse Daviet. Lulëzim Basha pas ceremonisë kreu homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit si dhe vendosi një kurorë me lule në nderim të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Gjithashtu vizitoi edhe familjet e Dëshmorëve të Atdheut, Altin Dizdari dhe Saimir Duçkollari.
REFORMA NE POLICI
Në fjalën e ministrit Basha nuk kanë munguar edhe tonet e ashpra për ata që, sipas tij, “turpërojnë policinë”. Lulëzim Basha deklaroi se lufta ndaj krimit që nisën policët e rënë në krye të detyrës, do të vazhdojë me përkushtim edhe më të lartë. Për këtë qëllim, sipas tij, do të kryhen edhe reformime të vazhdueshme. “Prioritetet kyçe të qeverisë Berisha mbeten forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, reformimi i vazhdueshëm, mbështetja ligjore dhe financiare e saj si dhe trajnimi dhe përmirësimi i burimeve njerëzore”, tha Basha. Një theks të veçantë në fjalën e tij Basha i dha luftës kundër fenomeneve që “njollosin” uniformën dhe simbolet e larta të Policisë së Shtetit. “Në këtë ditë të nderimit për të rënët e policisë asgjë nuk është më e papranueshme për ne, se cenimi i gjithçkaje që kjo uniformë përfaqëson për shtetin, shoqërinë dhe sakrificën e kolegëve tanë”, tha ministri Basha.
Krerët e policisë së Tiranës, vizita te dëshmorët
Pas ceremonisë së nderimeve te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, drejtuesit e Policisë së Tiranës kryen vizita në familjet e policëve që dhanë jetën në krye të detyrës. Në ditën përkujtimore në nderim të Dëshmorëve të Policisë, krerët e Policisë së Tiranës shkuan për të vizituar familjarët e ish-punonjësve të policisë, Ferdinand Molla, i cili humbi jetën aksidentalisht pas përplasjes me një automjet në krye të detyrës më datë 2 shkurt të vitit 2007. Zyrtarët e policisë vizituan familjarët e ish-punonjësit të policisë Arben Keqi, i cili u vra më 27 gusht të vitit 1999, në qytetin e Krujës, në krye të detyrës. Drejtuesit e forcave të policisë së Tiranës i rikujtuan me respekt familjarëve, punën dhe sakrificat e ish-kolegëve, dëshmorëve të policisë, të cilët dhanë jetën e tyre në krye të detyrës, në luftën kundër krimit dhe kriminelëve. Zyrtarët vizituan edhe familjarët e dëshmorit Hajrulla Aliu, i vrarë më 23 mars të vitit 2000 në afërsi të Laprakës dhe Altin Mançellari, i vrarë më 17 prill të vitit 1998, në krye të detyrës në Tiranë.
Dëshmorët,nderime edhe në Shkodër
SHKODER – Është për-kujtuar edhe në qytetin e Shkodrës, 26 tetori, dita e Dëshmorëve të Policisë. Në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër së bashku me pushtetin vendor kanë zhvilluar një ceremoni të thjeshtë në kujtim të policëve të rënë në krye të detyrës. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin drejtori i policisë së Qarkut, Vullnet Topallaj, kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi, si dhe drejtues të tjerë të policisë së qarkut Shkodër. Fillimisht të pranishmit kanë vendosur kurora me lule duke nderuar kujtimin e policëve të rënë në krye të detyrës. Më pas drejtori i Policisë së Qarkut në fjalën e tij tha, se 26 tetori, ditë e cila njihet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës, u përkujtua me ceremoninë e thjeshtë, e cila tregon vlerësimin dhe respektin për të rënët në detyrë. Në Qarkun e Shkodrës numërohen 36 punonjës policie të rënë në krye të detyrës gjatë viteve 1992 deri në vitin 2003.
Prençi: Të rënët përmbushën misionin për ruajtjen e vendit
TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, tha se akti vetëmohues i policëve të rënë në krye të detyrës, shpreh më së miri mundin dhe përpjekjet me të cilat përballet Policia e Shtetit gjatë përmbushjes së misionit të saj. “Policia gjithmonë është në luftë me botën e errët të krimit dhe çdo punonjës policie pas betimit në ditën e parë të punës, është i vetëdijshëm për rrezikun që sjell një luftë e tillë. Ashtu sikundër çdonjëri prej nesh e di dhe misionin e tij, luftë pa kompromis me krimin dhe kriminelëve për të garantuar një mjedis të sigurt për komunitetin”, është shprehur Ahmet Prençi në hapjen e ceremonisë së Ditës së Dëshmorëve të Policisë. Sipas Prençit, policia është më e vendosur se kurrë për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit përgjigjen e merituar. Gjithashtu ai ka inkurajuar punonjësit e policisë, duke iu thënë se duhet të ndihen më të motivuar se kurrë në luftën pa kompromis që do të vazhdojë gjatë. Kjo duke u nisur edhe nga vlerësimi i shprehur nga qytetarët, shteti dhe gjithë shoqëria. Më pas Prençi u është drejtuar familjarëve të dëshmorëve: “Ju humbët njeriun tuaj të shtrenjtë, por ju duhet të ndjeheni krenarë për këta trima që u bënë heronj falë shpirtit të vetëmohimit në mbrojtje të jetës e dinjitetit njerëzor”. Kryepolici Prençi u kërkoi të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të mbanin një minutë heshtje në nderim të 241 policëve të rënë në krye të detyrës”.