E Martë, 3 Nëntor 2026

“Giro d’Italia 2025”, Rama: Prezantimi i skuadrave në 7 maj në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Shqipëria do të presë për herë të parë nisjen e madhe të ”Giro d’Italia” (”Giro d’Italia Grande Partenza”), një nga turnetë më të famshëm çiklistikë në botë.

“Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tri etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë.

Ndërkohë prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj, në orën 18:30 në sheshin “Skënderbej”.

Ndërsa ndau një video informuese në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë një moment historik për Shqipërinë.

“Për herë të parë, një nga ngjarjet më prestigjioze të çiklizmit botëror Giro d’Italia vjen në zemër të vendit tonë”, tha Rama.

Kryeministri ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes dhe prezantimit të skuadrave në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë të mërkurën në orën 18:30.

“Një mbrëmje magjike me prezantimin zyrtar të ekipeve pjesëmarrëse, performanca artistike dhe një atmosferë festive që ndez emocionet përpara startit të madh më 9-10-11 maj në Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Ejani ta festojmë së bashku këtë ngjarje unike që vendos Shqipërinë në hartën botërore të sportit”, u shpreh Kryeministri.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›