Kërkesa estetike
Presidentja Atifete Jahjaga ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës përshpejtimin e punëve në sheshet “Ibrahim Rugova” dhe “Skënderbeu”, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për një konferencë ndërkombëtare që pritet të mbahet në fillim të tetorit në Prishtinë.
Jahjaga ka thënë se kërkesën ua ka bërë disa herë pushtetarëve të Komunës së Prishtinës, por ka mbetur e zhgënjyer.
Shqetësimin për mosrregullimin e sheshit, Jahjaga ua ka shfaqur gazetarëve të mërkurën, gjatë një takimi.
Jahjaga ka thënë se qysh në qershor ka marrë premtime për rregullimin e sheshit, respektivisht vendosjen e pllakave.
Më pas, ajo ka thënë se komunarët i kishin premtuar se pllakat do të vendosen gjatë korrikut, por as kjo nuk është përmbushur.
Premtimi i radhës, sipas Presidentes, ka qenë që pllakat të vendosen gjatë gushtit.
Pasi nuk është përmbushur as ky afat, tani pret që gjithçka të rregullohet pasi të kthehet nga Amerika.
Konferenca ndërkombëtare që Presidenca e ka emëruar “samit”, me titullin Partneriteti për ndryshim – Fuqizimi i Gruas” do të organizohet nga data 4 deri më 6 tetor. Sipas
Presidencës, aty pritet të marrin pjesë rreth 200 të ftuar, duke përfshirë edhe ish –Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Dhe pikërisht për këto dy ditë, Jahjaga ka menduar se gjithçka do të duhej të duket bukur.
E nëse nuk nis shtrimi i pllakave më 20 shtator (sot), Presidentja u ka thënë gazetarëve se do të ndjehet e turpëruar nga mysafirët që do të shohin sheshin të papërfunduar.
Muhabeti i Presidentes me gazetarë, është komentuar edhe nga Komuna e Prishtinës.
Zyrtarët kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga Presidenca.
“Ne nuk kemi marrë kurrfarë kërkese zyrtare nga Presidenca për përshpejtimi e procedurave të punimeve në shesh. Këtë e kemi verifikuar edhe përmes Drejtoratit për Infrastrukturë”, ka thënë Asdren Osaj, këshilltar i Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa.
Por sipas Osajt, edhe po të kishte kërkesë, punimet do të zhvilloheshin vetëm sipas afateve.
“Ne nuk kemi kurrfarë kërkese, mirëpo edhe po të kishim ndonjë kërkesë të tillë, ne nuk do të mund t’i përfundonim punimet më herët sesa që janë paraparë në planin punues”, ka thënë ai.
Sipas shpjegimeve të Osajt, vendosja e pllakave do të fillojë të premten.
“Pllakat e para vijnë të mërkurën nga Gjermania dhe nëse gjithçka shkon si duhet gjatë transportit të tyre, këtë të premte fillojmë vendosjen e tyre”, ka thënë ai.
Çështja e sheshit “Nëna Tereze” është bërë objekt diskutimesh edhe mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Komunës së Prishtinës. Vetëvendosja është shfaqur kritike për shkak të çmimit të lartë për ndërtimin e sheshit dhe keqpërdorimeve të tjera.