Giuseppe Tornatore: Më kanë intriguar disa histori shqiptare
“Unë i bëj filmat, nuk marr mundimin të gjykoj mbi ta”. Me këtë thënie të përsëritur, regjisori “Oscar”, Giuseppe Tornatore, dialogonte pasditen e djeshme në Tiranë me studentë, aktorë e regjisorë shqiptarë. Regjisori i njohur italian me filmat si “Nuovo Cinema Paradiso”, “L’uomo delle stelle”, “Malena”, “Baaria” për herë të parë ishte i pranishëm në Tiranë në kuadrin e aktiviteteve “Shqipëri-Itali; një det, një popull, një miqësi”. Teksa vizitoi ekspozitën modeste hapur me foto të tij nga sheshet e xhirimit, shoi paksa edhe kuriozitetin për ndonjë histori të mundshme shqiptare. “Unë kam lexuar disa histori shqiptare që më kanë intriguar. Nuk ka asgjë konkrete, por mundësia nuk përjashtohet”. Teksa ka kaluar t’u flasë studentëve në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar, Tornatore e nis takimin me këtë shprehje: “Nuk kam qenë kurrë i aftë të mbaj një fjalim për filmat e mi. Jam personi më pak i përshtatshëm. Unë kinemanë e bëj, janë të tjerët ata që nëse duan mund ta kritikojnë, ta duan, ta urrejnë”. Në vazhdim regjisorit italian iu drejtuan një sërë pyetjesh, të cilat i përcjellim më poshtë edhe për lexuesin.
Në filmat që ju keni ambientuar në Sicili ka gjithmonë një element të pranishëm, salla e kinemasë. është gati një fenomen i quajtur “metakinema”. Pse bëni këtë zgjedhje?
Kur i kam realizuar këta filma, nuk e kam menduar kurrë se do të bëja metakinema. Kur realizova “Nuova Cinema Paradiso” unë e kisha të qartë se ky element do të ishte i pranishëm, në të tjerët erdhi natyrshëm. Kur studentët e mi më pyesin se pse patjetër duhet që një skenë të jetë ambientuar në një sallë kinemaje, u them që unë e njoh aq shumë jetën e sallës kinematografike sa do të vazhdoja pa fund. Por edhe në filmat e mi që nuk janë ambientuar në Sicili, e gjen një sallë kinemaje, sepse ai është vendi më i rëndësishëm i jetës sime. Personazhet e mia qëndrojnë sikurse dhe një çast në këtë sallë. Nuk jam i vetëdijshëm kur e bëj këtë, studiuesve të kinemasë u takon të hapin një diskutim. është një pasion i fuqishëm, por i paorganizuar. Shpesh më ndodh që gjykimi i të tjerëve më ndihmon të kuptoj më mirë atë që bëj.
Personazhet tuaja reflektojnë një ndjenjë të vazhdueshme dhimbjeje. Cila është dhimbja më e madhe për një sicilian?
Dhimbja më e madhe për një sicilian është të kuptojë potencialitetin e madh të kësaj toke dhe në të njëjtën kohë të kuptojë që përgjatë historisë, rrethanat nuk e kanë lejuar shfrytëzimin e këtij potencialiteti. Kur fillova të kuptoj, e dija që Sicilia do të kishte mundur të jetonte vetëm me turizëm dhe me kulturë, mund të ishte një parajsë, por nuk ka qenë kurrë dhe besoj se nuk do të jetë ndonjëherë. Kështu që i gjithë produkti artistik dhe kulturor është fryt i betejave që shumë personazhe kanë bërë të vetëm përballë forcave që i janë vënë kundër. Kjo është dhimbja më e madhe që reflektohet në mënyra të ndryshme në filmat e mi.
Të ndalemi sërish te personazhet tuaja. Karakterizohen shpesh nga një sens izolimi dhe vetmie. Ky qëndrim ka të bëjë më së shumti me Sicilinë apo ka rrënjë edhe në përjetime personale?
Mund të jepja një përgjigje të ftohtë duke ia lënë “fajin” shumë rrethanave, por do të gënjeja. Kur thuajse në të gjithë filmat e mi është i pranishëm ky dimension i izolimit dhe vetmisë që përcakton rrjedhën dramaturgjike të personazheve, kjo sigurisht që ka një lidhje të fortë me mua. Ata që më njohin më kanë thënë që jam njeri i vetmuar dhe kjo është e vërtetë. Kur tek unë u poq dëshira për të bërë kinema, ndodhi në një vend ku as që nuk donin t’ia dinin për kinema. Ato vite ishin të një vetmie të dhimbshme, një makth i përjetuar për diçka që doje me forcë të lindte, por nuk e dije nëse do të ndodhte. Ato vite kanë ndikuar shumë tek unë, por duhet të jenë të tjerët ata që mund të japin një përcaktim më të qartë.
Megjithatë ka gjithmonë shpresë...
Pothuajse në të gjithë filmat e mi, aventurat e personazheve mbyllen me një akt shprese. Për mua, kinemaja është i vetmi vend që mund të vazhdojë të na japë emocionet e forta. Dikush do ta shohë filmin në kinema, dikush në shtëpi, një tjetër në një orë dore, të tjerë edhe me një mikroçip në kokë. Teknologjia ka avancuar. Por pavarësisht kësaj, emocionin e sallës së kinemasë nuk mund ta gjesh askund tjetër. Nëse dikush i kushtohet tërësisht një projekti është e pamundur të mos realizohet. Nëse nuk e arrin ti, e arrijnë fëmijët apo edhe nipërit. Unë vazhdoj të mendoj kështu, ndoshta sepse jam edukuar në këtë mënyrë: gota është gjithnjë gjysmë e mbushur dhe jo gjysmë bosh. Unë kam një optimizëm që vetëm pesimistët dinë të kenë.
Sot ka gjithnjë e më pak salla kinemaje e shumë festivale. është shenjë e krizës ekonomike?
Fakti që ka më pak salla nuk ka të bëjë me krizën e kinemasë, por me transformimin e saj. Ka gjithnjë e më pak salla, por numri i filmave që shihen përditë në të gjithë botën është në rritje që kur ka lindur kinemaja, vetëm se salla e kinemasë nuk është më vendi qendror ku konsumohen filmat. Kur një drejtor festivali donte të më bindte të çoja një film timin (nuk më pëlqejnë festivalet, por jam gjithnjë i detyruar të shkoj), më shpëtoi një batutë që kur e mendova ishte e vërtetë. Në festivalet tona nuk ka më publik, ka vetëm kolegë. Raporti i atij që bën filma dhe publikut është sipërfaqësor. Ndërsa festivalet, gjithnjë më të shumta në numër, nuk janë veçse një raport mes atij që ka bërë një film dhe atyre që presin ta bëjnë një të tillë. Pra është një diskutim mes kushërinjsh, dhe si të gjitha këto diskutime nuk e pasurojnë. Kam përshtypjen se festivalet nuk ndihmojnë atë që bën kinemanë të ketë një raport më të ngushtë me publikun. Thuajse asnjëherë nuk përkon reagimi i publikut të festivalit me atë të kinemasë. Në festival filmi është i kushtëzuar nga “korrentet e ajrit” që fryjnë atje. Ka filma që kur fiken dritat dhe fillon projeksioni, dihet nëse duhet të pëlqejë apo jo. Ndërsa në sallën e kinemasë ka njerëz që kanë paguar biletën, nuk duhet t’u përgjigjen askujt, nuk është biri i askujt, nuk duhet t’i bëjë ndere dikujt. Kur ata e shohin filmin dhe e tregojnë nëse e pëlqejnë apo jo. Festivalet janë bërë më shumë teknike dhe kjo i ka varfëruar.
Keni parë një film shqiptar?
Mendoj se shumë vite më parë kam parë një të tillë, por do të isha shumë gënjeshtar të thosha që e mbaj mend.
Ka një konflikt të fortë brenda jush që ju çoi në realizimin e “Nuova Cinema Paradiso”
është një histori që e kam marrë me vete që para se të filloja të bëja filma. Isha i bindur të kisha në dorë një histori të mrekullueshme, ashtu siç mendojnë të gjithë prindërit për fëmijët e tyre. Mendoja edhe ta realizoja, pasi të kisha pak përvojë dhe nuk doja që dikush të fuste duart në të. Kur bëra filmin tim të parë në mesin e viteve ‘80, ishte koha e krizës së kinemasë italiane, kur njerëzit nuk shkonin më në kinema, sallat mbylleshin dhe ato që nuk mbylleshin ktheheshin në kinema pornografike. Unë vendosa të bëja filmin në një moment kur kinemaja po vdiste. Gjeta një motiv shumë të fortë për ta realizuar. U ktheva në qytetin tim dhe kinemaja e fëmijërisë sime, në lagjen time ishte mbyllur. Ishte një moment i dhimbjes së madhe. U ktheva në Romë, ia tregova historinë një mikut tim dhe ai filloi të qajë. Kjo më bindi atëkohë dhe më bind sot se raporti mes nesh e ekranit të kinemasë nuk mund të përfundojë.
Si është bashkëpunimi juaj me Enio Monriconen?
Enio Monricone është një nga bashkëpunëtorët dhe miqtë më të shtrenjtë. Kemi 22 vjet që punojmë bashkë, njihemi mirë dhe asnjë nga ne nuk kënaqet nga ajo që bëjmë. I themi hapur kur gjërat s’na pëlqejnë. është një raport i ndërtuar mbi vlerësim, por edhe sinqeritet. Argëtohemi duke punuar kështu, sepse prej shumë vitesh që unë bëj film nuk kam më problemin e muzikës. Unë argëtohem të punoj me një njeri që ka bërë 400 filma, dhe në moshën 80-vjeçare një natë përpara se të regjistrojë muzikën e një filmi nuk fle natën, sepse vuan nga ndjenja e pasigurisë.
është diskutuar që “Baaria” e përshkon një linjë nostalgjike. është e vërtetë?
Kur realizova “Nuova Cinema Paradiso”, filmi im i dytë ishte e qartë që përshkohej nga nostalgjia për sallën e kinemasë. çdo çelës i leximit të ‘Baaria” është i duhur përveç nostalgjisë. Unë e ndërtova atë epokë, sepse ashtu ishte tregimi im. Nuk kam nostalgji për një tokë ku njerëzit vdisnin nga uria. Kisha dhimbjen, ose indinjimin të konstatoja që një botë ka arritur të përmirësohet, por brenda kisha frikën se në një mënyrë me gjithë fitimet, ka pasur humbje të mëdha, në kostume e në kulturë. Në filmin tim është më shumë një ndjenjë faji se nostalgji.
E keni arritur ju filmin e karrierës?
Kur njoha vonë njerëzit që më kishin bërë në fëmijëri ta doja kinemanë, i bombardova me pyetje. Kanë qenë gjithnjë bujar me mua. I pyesja se sa ide të mëdha mund të ketë një regjisor në jetën personale. Të gjithë më kanë thënë nëse je me fat një. Unë mendoj se ideja ime më origjinale për të cilën jam krenar ishte “Una pura formalita”. Në fillim se kuptoi njeri, por me kalimin e viteve fitoi shumë simpati. është një film që më dha kënaqësi, jam i kënaqur që e kam bërë. Më vjen keq të mendoj që një ide të madhe ta kem konsumuar, por shpresoj të bëj përjashtim e të kem ndonjë tjetër.
#