Autobombë në Times Square, shmanget tragjedia
Sheshi i famshëm “Times Square” në Nju Jork i shpëtoi orët e para të mëngjesit të djeshëm një atentati me bombë pikërisht në zemër të Manhatanit. Frika pushtoi qytetin, ndërkohë që shumë ndërtesa u evakuuan, për shkak se një makinë e dyshuar kishte në bord një bombë artizanale, e cila më pas u çaktivizua nga forcat e policisë. “U evitua një tragjedi e sigurt”, tha kryetari i bashkisë, Bloomberg. Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, David Paterson, foli për një akt terrorist, edhe pse nuk ka ende emra konkretë mbi autorin e atentatit të dështuar. Objektivi, ka shpjeguar kreu i policisë Raymond Kelly, ishte që makina të shpërthente në zjarr, duke shkaktuar dëme të mëdha, si njerëzore ashtu edhe materiale. Alarmi mori dhenë, kur policia dhe zjarrfikësit u njoftuan për një re tymi që dilte nga një makinë e parkuar ilegalisht në një nga rrugët më të populluara në sheshin “Times Square”. Në bagazh zjarrfikësit gjetën tre bidonë me gaz, fishekzjarrë, dy bidonë me benzinë, pluhur të presuar, ora me bateri, fill elektronik dhe pajisje të tjera. Makina e tipit “Nissan” me targa të Konektikatit që, sipas verifikimeve nuk i korrespondonin, u izolua menjëherë, ndërsa e gjithë zona u evakuua, mes tyre edhe shumë teatro ku ishin duke nisur spektaklet. Policia pastroi sheshin dhe asaj iu deshën disa orë që të nxirrte jashtë rrezikut ato që ata i përshkruan si komponentë të një bombe. Një kuti metalike u nxor jashtë qytetit për t'u shpërthyer. Ky është alarmi i dytë brenda pak muajve në “Times Square”. Në dhjetor policia e mbylli sheshin për dy orë për të hetuar mbi një furgon të dyshimtë, megjithatë në atë rast në makinë u gjetën vetëm veshje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Obama, që nuk i ka kursyer elozhet për ndërhyrjen e shpejtë dhe punën e shkëlqyer të policisë së Nju Jorkut, duke i siguruar për mbështetje maksimale nga qeveria federale. Kryetari i bashkisë, Michael Bloomberg, ka deklaruar se neutralizimi i bombës, edhe pse artizanale, ka evituar një “ngjarje që mund të kishte pasur pasoja fatale”. “Patëm fat dhe reaguam shpejt”, deklaroi ai. Bomba ishte brenda një makine “Suv Nissan Pathfinder”, saktësoi kryetari i bashkisë në konferencën për shtyp dhe pranoi se për momentin autoritetet nuk kanë pista konkrete: “Nuk e kemi idenë se kush mund ta ketë bërë dhe përse”. Guvernatori Paterson foli për akt terrorist dhe premtoi hetime më të detajuara: “Për fat të mirë askush nuk u plagos dhe tani e gjithë vëmendja e qytetit dhe autoriteteve federale do të punojë për t’i siguruar drejtësisë përgjegjësin e këtij akti terrorist”. Ngjarja mund të kishte pasur pasoja të paimagjinueshme nëse një shitës ambulant bluzash nuk do të kishte vënë re makinën e dyshuar afër “Times Square” e më pas të lajmëronte policinë. Një agjent kishte parë tym nga sediljet e pasme të makinës së ndezur. Një burim anonim i policisë tha se një burrë u pa të arratisej nga makina, edhe pse kjo nuk është vërtetuar ende. Atentati i fundit terrorist në territorin amerikan i takon 25 dhjetorit, kur një student nigerian, 23-vjeçari Umar Faruk Abdulmutallab, një ndjekës i Al-Kaedas në Yemen, shpërtheu një bombë të fshehur në pantallona në bordin e një avioni Delta të linjës Amsterdam-Detroid, por pa shkaktuar dëme. Atentatori arriti të arrestohej menjëherë, ndërsa bomba u neutralizua nga ekuipazhi i avionit.
#