E Diel, 1 Nëntor 2026

Tornatore korrekt dhe formal. Ju lutemi, pak volum me Fellinin!

Pas një takimi korrekt dhe formal me regjisorin Giuseppe Tornatore, ku të gjithë ranë dakord dhe duartrokitën të gjitha që regjisori tha në këtë vizitë të parë për disa orë në Tiranë, pas limontisë së tetralogjisë së tij me temë dhe motiv Siçilinë, dhe disa dokumentarëve të mërzitshëm për personazhe të njohur të artit dhe qytetarisë italiane (Pirandello, Guttuso, Falcone) është momenti për të rritur pak temperaturën në ekran me një artist që s'rri urtë dhe që s'i shlyen kollaj hesapet me imagjinatën dhe pritjet që kërkon prej spektatorit.


Nisin sot ditët e Federico Fellinit të cilat i prezanton kritiku i kinematografisë Roberto Chiesi, përgjegjës i Qendrës së Studimeve - Arkivi Pasolini, nga Kineteka e Bolonjës. "Kinemaja e Federico Fellinit" hapet me "La Dolce Vita" (1959) ora 18.00 dhe me këtë rast përurohet Salla "Nënë Tereza" në Pallatin e Kulturës.


Chiesi vjen për të dytën herë në Tiranë. Vitin e kaluar ai mbajti një konferencë mbi krijimtarinë e Pasolinit. Është autor i një monografie mbi bashkëpunimin e këtij regjisori me sopranon Maria Callas për interpretimin e saj tek "Medea". Autor, po ashtu edhe i një studimi mbi Marcello Mastroiannin, si aktor teatri.
Mastroianni është protagonist gjatë javës.


Ai ka bashkëpunuar me Fellinin për disa nga veprat që do të shfaqen këto ditë. Siç është rasti i "La Dolce Vita" të cilën Chiesi e ka zgjedhur si filmin hyrës, pasi në fillim të 2010-ës u bë gjysmë shekulli nga realizimi i tij. Bashkë me "8 e ½" është ndër filmat me të cilët kritika është marrë gjatë.


Por programi i Chiesit përfshin filma më pak popullor të regjisorit, të së njëjtës epokë si "Fellini Satyricon" (1969) dhe nga të fundit të karrierës së tij si "Ginger e Fred" (1986).


I menduar si një refleksion mbi krijimtarinë e Fellinit, programi rreth tij parashikon edhe një dialog të spektatorit me bashkëpunëtorë të ngushtë të regjisorit italian. Këta janë kompozitori Nino Rota, poet dhe shkrimtar, i thirrur për ndihmë në skenarë nga disa regjisorë të epokës së kinemasë së konstruksionit.


Më 4 maj, ora 19:00, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, shfaqet baleti
italian bashkëkohor "I Bislacchi", ideuar nga koreografja dhe regjisorja Monica Casadei, e frymëzuar nga vepra të Fellinit.


Me balerinët Chiara Ameglio, Pieradolfo Ciulli, Vittorio Colella, Gloria Dorliguzzo, Sara Muccioli dhee Emanuele Serrecchia rindërtojnë mjedise tipike dhe personazhe nga universi viziv i regjisorit, duke lëvizuar mbi bazë të muzikës së Nino Rotës.


Projektohet dhe dokumentari "Udhëtimi i gjatë" i Andreij Khrzanovskijt, shkruar dhe rrëfyer nga Tonino Guerra. Është vlerësuar me Premio del Presidente della Repubblica Italiana si dokumentari më i mirë mbi artin italian.


Më 6 maj, ora 19.00, në Teatrin e Operës dhe Baletit, Roberto Porroni dhe "Ensemble Duomo" ekzekuton në koncert muzikën e Nino Rotës nga filmat "La Dolce Vita", "Amarcord", "8 e ½", "Giulietta degli Spiriti", "La Strada", "Le notti di Cabiria" dhe "Prova d'orchestra".


Ditët e Fellinit zhvillohen në kuadrin e stinës së aktiviteteve "Italia dhe Shqipëria 2010: dy popuj, një det, një miqësi".


Më poshtë, kalendari dhe oraret e shfaqjeve.


"La dolce vita" (1959) me Marcello Mastroianni dhe Anita Ekberg
3 maj, ora 18:00

"Ginger e Fred" (1986) me Marcello Mastroianni dhe Giulietta Masina
4 maj, ora 15.30

"8 e ½" (1963) me Marcello Mastroianni, Claudia Cardinale dhe Anouk Aimée
5 maj, ora 18.00

"Fellini Satyricon" (1969) me Martin Potter, Hiram Keller, Max Born
6 maj, ora 15:30

"Il casanova di Federico Fellini" (1976) me Donald Sutherland e Tina Aumont
7 maj, ora 18.00


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›