E Shtunë, 31 Tetor 2026

Giuseppe Tornatore, në Tiranë

Veprimtaria “Kinemaja e Tornatores” do të sjellë ekspozitë, filma e takime

Teatri Kombëtar në Tiranë duke filluar prej datës 30 prill e deri më 2 maj, do të çelë dyert për kinemanë e Tornatores. Bëhet fjalë për regjisorin e njohur italian, Giuseppe Tornatore, kinematografisë të së cilit do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë në kuadër të veprimtarive “Itali-Shqipëri 2010. Dy popuj, një det një miqësi”. Filma, ekspozitë e takime do të do të zhvillohen me këtë rast ku përgjatë tri ditëve do të shfaqen filma të ndryshëm. Kështu, ditën e parë do të inaugurohet ekspozita “Një vështrim nga set-xhirimi”, për të vijuar më pas me filmin që i dha popullaritet regjisorit “Nuovo Cinema Paradiso”, me të cilin fitoi edhe një çmim “Oskar” në kategorinë Filmi më i Mirë i Huaj, e më pas do të vijohet me filmin “L’uomo delle stelle”. Dita e parë e majit do të vazhdojë me shfaqjen e dokumentarit “Ditari i Guttuso-s” dhe “Shkrimtarë sicilianë dhe kinemaja”. Pas tij do të shfaqet dokumentari “Homazh Falcone-s” e më pas filmi mjaft i njohur edhe për publikun shqiptar “Malèna” që vjen nën interpretimin e të mirënjohurës, Monica Belluçi. E veçantë do të jetë dita e fundit e kësaj veprimtarie gjatë së cilës vetë regjisori Giuseppe Tornatore do të jetë i pranishëm në një takim të veçantë me publikun e të interesuarit. Nuk do të mungojë edhe shfaqja e tre filmave publicitarë si: “Profumo”, “Il cinema” dhe “Il funerale”. Dita e fundit e veprimtarive kushtuar kinemasë së Giuseppe Tornatores do të shfaqet filmi i fundit i tij titulluar “Baarìa” i cili çeli edicionin e shkuar të Festivalit të Filmit në Venecia. Filmi, pavarësisht se nuk fitoi asnjë çmim në këtë festival, u zgjodh për të përfaqësuar Italinë për çmimet “Oscar 2010”. Giuseppe Tornatore ka lindur në Bagheria (Baaria) të Sicilisë në vitin 1956. Ai është një regjisor, skenarist dhe producent kinematografik italian mjaft i njohur për impenjmet e tij sociale, si dhe filmave mjaft poetikë përmes të cilëve ka fituar popullaritet jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›