E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyrat e Tiranës në Pompidu

Kryebashkiaku Edi Rama, Anri Sala, Alban Hajdinaj dhe Gentian Shkurti në ekspozitën “Premtimet e së shkuarës” në Paris për të treguar mbi transformimet e shoqërisë shqiptare 20 vjet pas rënies së komunizmit

Tre artistë shqiptarë dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, prej 14 prillit ekspozojnë në qendrën Pompidu në Paris, të ftuar të bëhen pjesë e ekspozitës “Premtimet e së shkuarës; 1950-2010”. Rreth 50 artistë, kryesisht nga Europa Qendrore dhe Lindore rreken të tregojnë një histori të ndërprerë të artit në vendet e bllokut komunist. Përveç Edi Ramës, Anri Sala, Alban Hajdinaj dhe Gentian Shkurti janë artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në këtë ekspozitë. Ata janë artistë bashkëkohorë që e kanë njohur komunizmin, artin e prodhuar në të, por propozojnë një histori të re rreth 20 vjet pas rënies së këtij regjimi. Ngjyrat e Tiranës, ato me të cilat janë lyer një pjesë e mirë e pallateve të dikurshme, kanë tërhequr gjatë kësaj kohe jo pak herë vëmendjen. Kuratorë dhe artistë ndërkombëtarë e kanë parë jo rrallë si një ngjarje artistike, ndërsa inkuadruar brenda ekspozitës që qëndron e hapur deri në korrik në qendrën e madhe Pompidu, kjo dukuri përfaqëson transformimin e Tiranës përgjatë këtyre 20 viteve. Në këtë projekt, kryebashkiakut iu bashkuan artistë të njohur shqiptarë. Filmi dokumentar i Anri Salës “Dammi i colori” (jepmë ngjyrat), i cili i kushtohet pikërisht këtij fenomeni është shfaqur në këtë ekspozitë që ka përfshirë mediume të ndryshme.

Pikërisht idesë së transformimeve jo vetëm fizike, por edhe në koncepte i kanë mëshuar kuratorët Christine Macel, Joanna Mytkowska, Nataša Petrešin-Bachelez. Kjo ekspozitë merr në shqyrtim kontrastin e dikurshëm mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore, duke propozuar një këndvështrim të ri në historinë e vendeve të bllokut komunist njëzet vjet pas rënies së murit të Berlinit. Titulli e ka marrë shtysën nga një shprehje e filozofit gjerman, Valter Benjamin, (1892-1840) i cili në analizat e tij e konsideronte historinë si një sërë ngjarjesh të shkëputura. Sipas tij, vendet e Europës Lindore janë shembujt më të spikatur të kësaj dukurie. Qëllimi i ekspozitës ka qenë i dyfishtë: së pari të tregojë punën e artistëve bashkëkohorë, të cilët ndoshta janë pak të njohur për publikun francez, por puna e tyre ka lënë shenjë dhe ka spikatur në vendet amtare dhe së dyti, për të parë ndikimin e figurave kryesore të Europës Qendrore dhe Lindore në gjeneratat e reja të artistëve ndërkombëtarë. Njëqind e gjashtëdhjetë vepra të artit në të gjitha mediumet janë ekspozuar në Galerinë e Qendrës Pompidou, sipas një linje të strukturuar në bazë të gjashtë temave kryesore: Përtej utopisë moderne, popturia e tërësisë, Anti- art, Gjeste mikro-politike, gjeste poetike; Femërore-feministe; Hapësira publike-hapësira private.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›