Topi: Na duhet një gjyqësor i paanshëm
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri përballet me sfida, në lidhje me rritjen e pavarësisë së tij. Kjo ishte deklarata që bëri dje Presidenti Bamir Topi, gjatë një takim me kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin. Në fjalën e tij, Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë dhe theksoi rëndësinë e madhe që ka pavarësia e sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër, Presidenti nuk harroi të theksojë rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese. Sipas Presidentit, institucionet e drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor duhet të zbatojnë parimet e shtetit të së drejtës sipas standardeve më të larta europiane. “Sistemi i drejtësisë duhet të sigurojë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm, duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre”, deklaroi Presidenti Topi. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, shprehu kënaqësinë që, mes Kroacisë dhe Shqipërisë, bashkëpunimi është mjaft i frytshëm edhe në fushën e gjyqësorit, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim do të vijojë me sukses edhe në të ardhmen dhe duke e ilustruar këtë me një bashkëpunimin më të ngushtë mes këshillave të larta të drejtësisë së dy vendeve. Po kështu, kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë vlerësoi rolin dhe angazhimin e Presidentit Topi e njëkohësisht edhe kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbrojtjen dhe konsolidimin e pushtetit gjyqësor. Në lidhje me bashkëpunimin, Presidenti Topi vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë, duke vënë në pah se vizitat dhe takimet e ndërsjella kontribuojnë për të shkëmbyer mendime e përvoja për modelin e shtetit të së drejtës, si dhe për rritjen e cilësisë së punës dhe integritetit të gjykatësve.
Më pas, Topi e njohu kreun e Gjykatës së Lartë kroate me zhvillimet më aktuale në Shqipëri për realizimin e reformave integruese të vendit në Bashkimin Europian, si dhe vlerësoi përvojën e arritur deri më tani nga shteti kroat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
#