E Shtunë, 31 Tetor 2026

GjND përfundon sot seancat dëgjimore mbi pavarësinë e Kosovës

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do t'i japë sot fund seancave dëgjimore mbi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Gjykata filloi 10 ditë më parë mbledhjen e deklaratave nga shtete të ndryshme pro dhe kundër pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u përplasën gjithashtu mbi këtë çështje këtë javë gjatë dëshmive të tyre para të ashtëquajturës Gjykatë Botërore.

Seancat dëgjimore për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës filluan me 1 dhjetor para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ato do të përfundojnë sot me argumentet nga Vietnami dhe Venezuela, pas deklaratave të paraqitura dje nga Laosi, Hollanda, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Franca, Jordania, Norvegjia, Kroacia dhe Finlanda ishin ndër vendet që argumentuan në favor të Kosovës, ndërsa Kina, Qiproja dhe Spanja ndër ata vende që e kundërshtuan atë.

Delegacionet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dhanë gjithashtu argumentet e tyre pro dhe kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Çështja po ndiqet me shumë vëmendje sidomos nga vendet që kanë provinca që kërkojnë pavarësinë brenda territorit të tyre, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Spanjën, të cilët thonë se Kosova mund të krijojë një precedent.

Ambasadori rus në Hollandë, Kirill Gevorgian, i tha panelit prej 15 gjykatësish se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me rezolutën e OKB-së.

"Rezoluta mbronte integritetin territorial të Serbisë duke përjashtuar çdo veprim të njëanshëm në lidhje me Kosovën, qoftë nga shqiptarët apo nga Beogradi.”

Ndërsa këshilltari ligjor i Departamentit amerikan të Shtetit, Harold Hongju Koh tha të martën se pavarësia e Kosovës nuk shkel ligjin ndërkombëtar, meqenëse ishte vullneti i popullit.

"Ne i kërkojmë kësaj gjykate që të mos trazojë pavarësinë e Kosovës, duke refuzuar të japë mendimin e saj ose duke i dhënë përgjigje pozitive pyetjes nëse shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.”

Shtetet e Bashkuara thonë se shkëputja e Kosovës ishte rezultat i dështimit të Serbisë dhe Kosovës për të arritur një zgjidhje politike gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët pas konfliktit të 1999-ës.

Rreth 10 mijë shqiptarë u vranë dhe më shumë se një milion u dëbuan. Qindra serbë u vranë gjithashtu.

NATO-ja e bombardoi Serbinë për 78 ditë për të ndaluar forcat e ish presidentit Sllobodan Millosheviç të vazhdonin operacionet kundër shqiptarëve që kërkonin pavarësi.

Më shumë se 60 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por më shumë se 100 të tjerë nuk e kanë njohur atë.

Kreu i delegacionit të Kosovës, Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni tha për Zërin e Amerikës se më shumë se 60 vende të tjera pritet ta njohin pavarësinë së shpejti.

"Është e natyrshme që disa vende anëtare të OKB-së do të donin të respektonin procedurën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por ata vende më kanë thënë se do ta njohin Kosovën pavarësisht nga vendimi përfundimtar.”

Seancat dëgjimore përfundojnë sot. Gjykata nuk do të marrë vendim, por me kërkesë të Serbisë do të japë një mendim këshillimor mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, i cili pritet gjatë muajve të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›