E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në Bon me liderët më të mëdhenj evropianë

Kryeministri Berisha merr mbështetje të plotë nga liderët evropianë për integrimin e Shqipërisë në BE, liberalizmin e vizave dhe mirëkuptim të plotë për qëndrimin  e qeverisë lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërim të votave

Kryeministri Berisha në ditën e dytë të vizitës së tij në Bon ku mori pjesë në kongresin e EPP ishte pjesëmarrës në sesionin e dytë plenar të zhvilluar sot paradite, i cili u përqëndrua në votimet për modifikimet e statutit si dhe në nxjerrjen e rezolutës përfundimtare të kongresit. Gjatë këtij sesioni Kryeministri Berisha pati rastin të takonte dhe të përshëndetej me shumë liderë evropiane si presidentin e sapozgjedhur të BE-së Herman Van Rompuy kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, Kryeministri italian Silvio Berliskoni presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, etj Pas sesionit plenar Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare të zhvilluar nga CDU e shtruar për nder të kryetarëve të qeverive dhe të kryetarëve të partive të djathta të pranishme. Edhe gjatë kësaj dreke Kryeministri Berisha u takua dhe diskutoi me lideret evropiane, ku mori mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizmin e vizave si dhe gjeti mirëkuptimin e plotë të tyre për qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërim të votave.
Më pas, kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat, në të cilin u shpreh:
“Ishte një kongres i shkëlqyer, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Së pari, ripërtëriu lidershipin e Partisë Popullore Evropiane, partisë më të madhe të kontinentit, partisë që më personalitetin e saj udhëheq sot Bashkimin Evropian. Së dyti, trajtoi me një shkallë të lartë kompetence dhe përgjegjësie problemet madhore të sotme, siç është kriza ekonomike financiare, ndryshimi i klimës dhe inaugurimi i institucioneve të reja të Bashkimit Evropian, të cilat në këta rast, si parlamenti ashtu edhe presidenti, si  dhe Komisioni kryesohen nga qendra e djathtë.
Për mua ky ishte një rast i shkëlqyer për të paraqitur në fjalën time gjendjen, zhvillimet pozitive në Shqipëri, vitin 2009, si një vit i madh, për partitë popullore, po ashtu një vit i madh edhe për Shqipërinë. Gjithashtu ishte një rast i shkëlqyer për të zhvilluar një seri takimesh.
Më duhet të them se jehona botërore e festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë ishte e pranishme gjerësisht në këtë kongres dhe janë të shumtë pjesëmarrësit e kongresit por edhe udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore. Dhe unë, siç theksova në fjalim, u thashë miqve të mi se populli që ka vuajtur më shumë nga diktatura e egër komuniste, e festoi dhe i takonte ta festonte me madhështinë më të madhe; sikundër i njoha me qëndrimin e pakonceptueshëm të opozitës, e cila jo vetëm që nuk iu përgjigj ftesës time për të qenë e pranishme në këtë ngjarje të madhe për kombin, por bëri të kundërtën e denoncoi, duke e shpallur si antimiting apo  e provokoi në mënyrat më të ulëta, duke shpërndarë kryetari i bashkisë,  plehrat nëpër rrugët e Tiranës, në prag të kësaj ngjarje.
Sigurisht shfrytëzova rastin, pasi tani po dal nga dreka me kryetarët e qeverive dhe të partive, ku takova gjerësisht kolegët e mi të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të Suedisë, Italisë, të Gjermanisë, të Francës, por mund të them të të gjitha vendeve. Në radhë të parë diskutova për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjeta mbështetje të plotë; një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam patur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel  për të vizituar Shqipërinë.
Në të gjitha bisedimet me kolegët e mi, natyrisht që kam trajtuar edhe kërkesën absurde të opozitës për të rinumëruar votat pas një vendimi gjykate, i cili e përjashton këtë mundësi. Kam gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e mi për qëndrimin e qeverisë dhe qëndrimin tim ndaj kësaj kërkese, sikundër i njoha me ofertën që unë kam bërë për problematikën tjetër, në mënyrë që opozita të marrë vendin e saj në parlament.
Mendoj se ky kongres ishte një mundësi shumë e madhe për mua, qeverinë time, si për të promovuar reformat që kemi bërë, ashtu dhe për të kërkuar mbështetje, heqjen e vizave, etj. Unë gjatë darkës takova shumicën e personaliteteve, dhe veçanërisht darkën ia përkushtuam vizave dhe biseduam si me komisionerët përgjegjës dhe të tjerë për problemin e vizave, ashtu edhe me kryeministrat. Pra them se ky ishte një kongres jashtëzakonisht i rëndësishëm për Partinë Popullore Evropiane, por po kaq i rëndësishëm edhe për Shqipërinë.


Berisha takohet në Bon me Kryetarin e Partisë greke Demokracia e Re, z. Antonis Samaras


Në vijim të pjesëmarrjes në Kongresin e Partive Popullore Europiane, në Bon të Gjermanisë, Kryeministri Berisha pati një takim me Kryetarin e Partisë greke Demokracia e Re (Nea Demokratia), z. Antonis Samaras. Kryeministri Berisha e uroi z. Samaras për zgjedhjen e tij në postin e Kryetarit të Partisë Demokracia e Re. Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dy partive simotra dhe theksuan vullnetin e të dy palëve për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel akoma më të lartë, në interes të zhvillimit të të dy vendeve dhe mirëqenies së dy popujve miq. Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Greqi, z. Samaras, vlerësoi arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe mazhorancës së kryesuar prej tij në vitet e fundit, veçanërisht reformat e rëndësishme ekonomike të ndërmarra prej qeverisë shqiptare, si dhe përpjekjet e qeverisë, përmes implementimit të reformave thelbësore për plotësimin e standardeve për integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha e njohu z. Samaras me zhvillimet në vend dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin, duke përmendur këtu; politikën e uljes së taksave, vendosjen e taksës së sheshtë, vendosjen e prokurimeve elektronike, taksave elektronike, heqjen e 2/3 së lejeve dhe licencave dhe vendosjen e të tjerave të sistemin “One Stop Shop, shkurtimin e shpenzimeve të administratës, etj. Këto masa kanë sjellë rritjet e të ardhurave dhe i kanë dhënë biznesit shumë më tepër frymëmarrje, theksoi Kryeministri Berisha. Të dy personalietet diskutuan për përkrahjen e rritjes së mëtejshme të investimeve greke në Shqipëri, në fusha të ndryshme të ekonomisë. Kryeministri Berisha siguroi se investitorët grekë do të kenë përkrahjen e plotë të tij dhe te qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimet e tyre në Shqipëri të jenë një histori suskesi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›