Gjak për barrikada, KFOR i vendosur për sigurimin e lëvizjes së lirë
Pjesëtarët e KFOR-it ia dolën të largojnë një barrikadë të premten në Veri. Por, gjatë një përleshjeje me serbët në fshatin Rudarë të Zveçanit ku pati edhe të shtëna, u plagosën dy ushtarë dhe tre serbë lokalë. Për këto zhvillime pati reagime në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel. KFOR shprehet i vendosur për të siguruar liri të lëvizjes në pjesën veriore.
Tentimi i pjesëtareve të KFOR-it për heqjen e barrikadave në fshatin Rudar ka rezultuar me plagosje të dy ushtarëve dhe disa civilëve. Pati edhe arrestime. Situata është përkeqësuar tepër, kur serbët kanë nisur të shtënat me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të KFOR`it. Në përpjekje të largimit të barrikadës, ushtarët hasën në rezistencën e barikaduesve.
Më pas erdhi edhe tek përleshja, e nuk munguan as të shtënat mes dy palëve. Gjatë përleshjeve mes KFOR-it dhe grupeve serbe te barrikada, dy ushtarë dhe tre serbë janë plagosur në veri të Mitrovicës. Plagosjen e ushtarit e ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i cili ka thënë se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. “Megjithatë, KFOR-i do të përgjigjet në vetëmbrojtje në përputhje me rrethanat, në qoftë se kjo është e nevojshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga misioni paqeruajtës në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, KFOR-i zotohet se nuk do të lejojë që situata të avancojë më tej dhe se do të përdorë një nivel proporcional të forcës për të mbajtur një "mjedis të sigurt". Pas këtij incidenti, që nisi në orët e paradites të premten, KFOR-i ka vendosur pika kontrolli për automjetet të cilat kalojnë në zonat e siguruara dhe kjo bëhet për arsye sigurie. “Kjo është e lidhur me largimin e bllokadës dhe mbetet përkohësisht. Pas heqjes së pengesës, do të heqin edhe pikat e kontrollit të automjeteve dhe zonat e siguruara në bazë të zhvillimit të situatës e përgjithshme e sigurisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga KFOR-i.
Raportohet se serbët e plagosur janë shtruar në spitalin e veriut të Mitrovicës, ku mjekët serbë thonë se njëri prej tyre është në rrezik jete. Ndërkaq, oficeri amerikan, Jozef Linch ka thënë se ushtarët e KFOR-it do të shtinë me armë në serbët e grumbulluar, nëse ata do të gjuajnë me gurë pjesëtarët e KFOR-it, apo nëse vërehen armë në masën e grumbulluar, raporton gazeta serbe “Blic”.
Sidoqoftë, plagosja e ushtarëve dhe civilëve nuk e ka ndalë ushtrinë që ta kryejë misionin e saj të nisur të premten në mëngjes. KFOR ka vazhduar operacionin e largimit të bllokadave në rrugë në afërsi të Rudarit. Situata në veriun e Kosovës është qetësuar rreth orës 13:00, por përfaqësuesit e serbëve lokalë kanë vendosur barrikada të reja me pohimet se “qytetarët nuk janë të sigurt”. Fshati Rudar është i bllokuar, qytetarët serbë rrinë në shtëpi, ndërsa helikopterët po fluturojnë në terren duke hedhur karrema infra të kuq për të parandaluar sulmin e mundshëm me raketa nga toka.
Ndërkohë serbët kanë bërë një barrikadë të re para ushtarëve të KFOR-it në Rudar, në rrugën magjistrale Leposaviq-Mitrovicë. Por, KFOR-i shpejt e largoi me ekskavator zhavorrin, ndërsa qytetarët nuk kanë bërë rezistencë. Kryetari ilegal i Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë se do të bllokohet KFOR-i dhe të gjitha misionet ndërkombëtare në veri.
Duke folur për gjendjen në veri të Mitrovicës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se mbetet ende e tensionuar dhe ka shtuar se KFOR-i mbetet i vendosur për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes për qytetarët e asaj pjese. Ai ka sqaruar se kanë qenë serbët ata që kanë qëlluar në drejtim të KFOR. Sipas tij, KFOR ka përdorur ndaj serbëve gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, u bëri thirrje trupave të KFOR-it që të përmbahen nga përdorimi i forcës. Ai gjithashtu i kujtoi KFOR-it vetëpërmbajtjen në mënyrë rigoroze për ushtrimin e mandatin e tij, si kundër ju drejtua edhe serbëve të veriut të Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe të injorojnë provokimet. Duke komentuar incidentin afër Rudarit në veri të Kosovës, ku pati të shtëna me armë zjarri dhe plagosje të disa personave, Bogdanoviç u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.
Ishte ky aksioni i KFOR`it, i cili ka alarmuar Serbinë. Presidenti i ri serb, Tomislav Nikolliç, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë ka mbledhur në një takim urgjent përfaqësuesit politikë, kryeministrin në largim, Mirko Çvetkoviç, ministrin për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ministren e Drejtësisë dhe ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac. Takimi, siç është bërë e ditur, është mbajtur në presidencën serbe, por nuk ka pasur deklarata për shtyp. Ende nuk është bërë e ditur se cili është qëllimi i këtij takimi. Politika serbe ende nuk ka reaguar me deklarata, por është mbajtur edhe takimi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë për të diskutuar për këtë.
Sidoqoftë, pasi e zhvilluan aksionin e largimit të barrikadës kryesore në Rudar pasditen e së premtes, KFOR-i amerikan dhe gjerman janë tërhequr nga aty derisa raportohet se në vendin ku u plagosën ushtarët dhe civilët kanë mbetur vetëm KFOR-i grek. Kështu situata në veri është qetësuar, ndërsa KFOR-i pas largimit të barrikadave është tërhequr deri te vendi i quajtur `Kërshi i Dudës`. Magjistralja e Ibrit tani është plotësisht e kalueshme, ndërsa KFOR-i rreth orës 16:00 ka larguar edhe një barrikadë nga zhavorri afër fshatit Rudar, të cilën serbët e kishin vënë gjatë ditës.