E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëri joreale me njerëz realë Nga Dr. Alban DaciNdodhesha për darkë tek një mik i imi diku në një qytetet të Italisë, i cili në fillim të viteve ‘90, për shkak të vështirësive të shumta që po kalonte familja e tij, ashtu si shumë familje të tjera s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shoqëri joreale me njerëz realë Nga Dr. Alban Daci

Ndodhesha për darkë tek një mik i imi diku në një qytetet të Italisë, i cili në fillim të viteve ‘90, për shkak të vështirësive të shumta që po kalonte familja e tij, ashtu si shumë familje të tjera shqiptare, vendos të marrë rrugën për një jetë më të mirë, për të ndërtuar një të ardhme më të qetë, të sigurt dhe më normale.

Familja e mikut tim është një familje e nderuar, me një trashëgimi të mirë intelektuale dhe me formim edukues për t’u marrë shembull nga shumë familje të tjera. Ai bashkë me anëtarët e familjes së tij, pas një periudhe me sakrifica dhe sfida të mëdha, tashmë është plotësisht i integruar në shoqërinë italiane. Ai vetë punon në një firmë serioze ndërtimi, ku të gjithë kolegët kanë një respekt të veçantë për të. Ai është një person shumë i sjellshëm, sepse përshëndet këdo; është human, sepse ndihmon këdo që gjendet në vështirësi. Nusja e tij, është një njeri i mrekullueshëm, edhe ajo është plotësisht e integruar në shoqërinë italiane, punon me ndershmëri, si dhe tashmë ka filluar një shkollë dyvjeçare për t’u bërë estetiste. Ndërsa dy vajzat studiojnë në shkollë dhe dallohen për sjellje shembullore dhe për rezultate të larta në mësime.

Pse bëra këtë parantezë duke marrë si shembull këtë familje të mrekullueshme, që ka ardhur në Itali nga një zonë e Shqipërisë me probleme serioze ekonomike të trashëguara ndër vite, ku breza të ndryshëm politikanësh nga të dyja anët e spektrit politik kanë ardhur dhe kanë ikur pa bërë asgjë? Sepse, në darkë, duke ndjekur emisionet e lajmeve në televizionet shqiptare, dëgjojmë një histori, që jo vetëm na shokoi, por na futi në një reflektim të thellë njerëzor. Skandali kishte të bënte me një rast të zbuluar diku në një fshat të Dibrës, ku për një periudhë prej 20 vjetësh babai, me justifikimin se vajzat e tij kanë probleme të rënda mendore, i ka mbajtur të lidhura me zinxhir, sikur të kishin qenë të dënuara nga padroni i tyre.

Shumë herë kam shkruar, ku vëmendjen time e kam përqendruar në realitete njerëzore që ne i kemi të pranishme çdo ditë, por për faktin se ato janë larg portës dhe oborri tonë nuk na intereson t’i tregojmë, t’i bëjmë publike, si dhe të përpiqemi t’i ndryshojmë nga të papranueshëm dhe të mjerueshëm, në normalë dhe të pranueshëm. Në fillim, me të drejtë trajtova si shembull familjen e mikut tim, e cila për koincidencë edhe ajo është nga Dibra, por që nuk ka asnjë gjë të përbashkët me rastin e skandalit televiziv, ku babai trajton në mënyrë çnjerëzore për 20 vjet vajzat e tij, për faktin se ato kanë probleme mendore.

Nëse njohim mirë realitetin e këtyre zonave të thella të Shqipërisë, deri diku këto dy familje që i kemi marrë si shembuj të dy ekstremeve të një realiteti human mund të themi se, ato në origjinë kanë të përbashkët mjerimin dhe braktisjen e institucioneve që i ka shoqëruar për dekada e dekada me radhë. Për ta kuptuar më mirë se për çfarë mjerimi e kam fjalën, do ju jap shembuj që i kam inspektuar drejtpërdrejt në terren. Në shumë fshatra ka familje që jetojnë, jo vetëm nën mesataren e pranuar, por në një mjerim të thellë. Shumë prej këtyre familjeve nuk kanë asnjë lloj të ardhure mujore, sepse nuk posedojnë prona (nëse i posedojnë, nuk mund të garantojnë prodhime bujqësore, sepse nuk kanë ujë për t’i vaditur, nuk kanë mjete për t’i punuar etj.), dhe nuk kanë asnjë lloj profesioni apo zanati për të siguruar punë.

Gjithashtu, nuk kanë të garantuar edhe mbështetjen e institucioneve lokale dhe qendrore. Ekziston përkrahja sociale për familjet nën nevojë, e cila administrohet dhe shpërndahet nga komunat. Por, për shkak të korrupsionit të thellë që i ka kapur për fyti komunat, marrin asistencë sociale familjet që nuk kanë nevojë, por që janë ndoshta të afërt me përfaqësuesit e komunave, dhe nuk marrin ose marrin shuma qesharake familjet që me të vërtetë kanë nevojë, por që nuk kanë asnjë të njohur apo familjar që punon në komunë.

Po ju tregoj një histori të vërtetë: në një fshat të një komune të Dibrës shkon kryefamiljari i një familjeje të varfër për të tërhequr asistencën e tij sociale dhe punonjësi i komunës i thotë se “për këtë muaj të takojnë vetëm 2000 lekë të vjetra.” Fshatari i thotë se “kjo shumë nuk kryen asnjë hall. Prandaj, po t’i jap prapë ty që të pish një kafe, sepse ndoshta nuk ke!” Rastet e abuzimit të kësaj natyre në këto fshatra kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot, në qetësinë absolute, duke mos e çarë kokën as për përgjithësinë morale dhe ligjore, përderisa sa janë persona që punojnë në hapësirën publike me qëllim për të ndjekur dhe mbrojtur të drejtën e përbashkët të gjithë banorëve. Politikanët e nivelit lokal dhe qendror kujtohen se në këto zona ka njerëz që jetojnë në kushtet e një braktisjeje të madhe dhe të një mjerimi migjenian, vetëm kur kanë për të bërë fushata dhe për siguruar votat.

Sapo mbyllet tregu i votave, mbyllet edhe mundësia për të realizuar premtimet false që politikanët kanë bërë. Është për të ardhur keq se si këta bashkëqytetarët tanë, këta njerëz si ne nuk kanë kushtet më minimale të jetesës, sepse Shteti i ka harruar plotësisht duke i braktisur në një realitet absurd të paimagjinueshëm dhe të pakrahasueshëm me asnjë realitet tjetër normal jetësor.

Realiteti i këtyre zonave ka edhe shumë elemente të tjera, të cilat ndoshta do t’i zbulojmë çdo e ditë e nga pak përmes skandaleve ditore. Përse do të ndodh kjo?

Sepse, në këto 20 vitet e fundit, politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për këto zona. Në këto 20 vitet e fundit fshatrat e zonave të thella malore, për shkak të migrimit të brendshëm (personat me formimin më të mirë akademik, profesional dhe intelektual, për një jetë më të mirë janë larguar, o në drejtim të Shqipërisë së Mesme, ose kanë vendosur të emigrojnë jashtë vendit), dhe për shkak të vështirësive ekonomike kanë prodhuar, le të themi, breza të tërë rinjsh pa formim elementar shkollor.

Pjesa më e madhe e të rinjve, të gjinisë mashkullore, sapo mbarojnë klasën e nëntë, duke mos pasur asnjë bazë ekonomike për të vazhduar më te, si dhe duke mos parë asnjë të ardhme në vendin e tyre, marrin rrugën e emigrimit, kurse vajzat, sapo mbaroj klasën e nëntë, për shkak të fanatizmit të prindërve të tyre, të arsyeve ekonomike, braktisin shkollën dhe mbyllen në shtëpi, derisa “fati” në një moshë shumë të re do iu japë mundësinë të gjejnë një burrë, të martohen dhe shpejt e shpejt të bëjnë edhe fëmijë.

Në disa fshatra gruaja akoma konsiderohet si një qenie që duhet të qëndrojë me “macen te vatra”, duhet të zbatojë urdhra, duhet vetëm të punojë për fëmijët, burrin, familjen, duhet të punojë dhe nuk duhet të bëjë zë, ka të drejtë të zbatojë urdhra dhe nuk duhet të guxojë të kërkojë të drejta. Në këto fshatra, historikisht është zbatuar ligji kanunor, se gruaja duhet të përdoret si kafshë shtëpiake, duhet të ngarkohet me ngarkesë sikur të ishte kalë, me pretekstin se burri e ka blerë, kur ka shkuar t’i marrë dorën në shtëpinë e prindërve. Për të vërtetuar këto, mjafton që të kalosh qoftë edhe njëherë përmes këtyre fshatrave, dhe menjëherë do të jepet rasti të shikosh një grua të re apo të moshuar, që është e ngarkuar me jonxhë në shpinë dhe se duhet të bëjë një orë udhë në këmbë e ngarkuar ashtu nga ara deri te shtëpia.

Duke qenë se në këto 20 vitet e fundit nuk është investuar aspak në formimin arsimor të brezave të rinj, të cilët, të pashkolluar dhe të paintegruar, marrin si të vërtetë dhe si shembull për t’u vënë në zbatim rregullat e baballarëve të tyre, të cilët jetojnë me vizionet dhe mendimet e periudhës mesjetare. Të rinjtë e këtyre zonave në këto rrethana nuk munden të shkëputen nga realiteti i vjetruar që i rrethon, sepse ato nuk janë në kontakt me botën reale as përmes diturisë dhe as përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, ngaqë nuk kanë pasur mundësinë të lëvizin as edhe për pak për kohë për të shkuar në botën e qytetëruar, ku gruaja dhe burri janë të barabartë dhe së bashku bashkëpunojnë për një të ardhme të përbashkët. Shumë femra të këtyre zonave vuajnë dhunën e prindërve, kur janë vajza dhe vuajnë ndoshta edhe dhunën çnjerëzore fizike të burrit, kur martohen. Në këto zona të keqtrajtosh një grua bën pjesë në normalitet, në rregullin e shkruar, se burri mund t’i bëjë gjithçka gruas së tij dhe ajo nuk mund të gëzojë asnjë lloj të drejte mbi veten e saj.

Aktualisht, nuk ka asnjë lloj organizmi, qoftë qeveritar apo dhe joqeveritar, që mund të marrë në mbrojtje të drejtat e këtyre femrave, të cilat punojnë pa pushim, durojnë dhunën psikologjike dhe fizike të burrave të tyre, nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Gjithashtu, vajzat nuk sigurojnë as mbrojtjen e prindërve, sepse ata, për shkak të kodit të mbajtjes së fjalës dhe të respektimit të miqësisë, nuk mund t’i mbrojnë vajzat e tyre, edhe kur ato kanë plotësisht të drejtë.

Vajzat e këtyre fshatrave, në një moshë fare të re, kur ndoshta nuk janë as të vetëdijshme për hapat që po bëjnë, fejohen dhe martohen nga prindërit e tyre pa pasur të drejtë të shfaqin asnjë lloj gjykimi, qoftë pozitiv apo edhe negativ. Ato duhet të pranojnë të martohen me persona që nuk i njohin, që nuk i kanë takuar asnjëherë me parë. Pra, edhe një ndër të drejtat themelore, siç është ajo që çdo person duhet ta ndërtojë jetën ashtu siç mendon dhe dëshiron vetë, iu mohohet. Ka pasur raste që maskarenj që kanë emigruar jashtë dhe që kanë bërë pará në mënyra jolegjitime, paraqiten në familje të varfra për t’iu kërkuar dorën e vajzës, duke iu treguar shuma parash dhe makina luksoze. Prindërit e këtyre vajzave, duke qenë të paformuar dhe në varfëri, mashtrohen dhe ua besojnë vajzën. Maskarenjtë, për ta bërë sa më të besueshëm qëllimin e tyre, bëjnë dhe ceremoni martesore, dhe pastaj i marrin në Itali, me pretekstin se tashmë ajo është nusja e tyre dhe duhet të jetojnë bashkë, por në të vërtetë sapo i sjellin në Itali, i nxjerrin në rrugë për t’i shfrytëzuar si prostituta.

Rasti i skandali të fundit, i cili për nga natyra është monstruoz, çnjerëzor, i papranueshëm, nuk është i rastësishëm dhe i izoluar, që mund të personifikohet vetëm me një vend apo zonë të Shqipërisë. Ky është një rast, i cili vë para përgjegjësisë të gjithë sistemin tonë shoqëror që kemi ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Ne kemi në Tiranë njerëz pa profesion të mirëfilltë dhe pa të ardhura fikse dhe të deklaruara që lëvizin me makina të tipit “Humer”, BMV X6, “Mercedes”, ne kemi kryetarë komunash, që para se të zgjidheshin ishin njerëz normalë, por, pasi mbarojnë mandatin, janë njerëz shumë të pasur, me makina luksoze, me shtëpi moderne. Nga ana tjetër, kemi intelektualë të vërtetë që kanë mbaruar universitete, ushtrojnë profesionin e tyre prej vitesh, por që nuk kanë arritur të sigurojnë edhe një shtëpi. Kjo është shoqëria joreale, por me njerëz realë që ne kemi ndërtuar në këto dekada. Kjo është e vërtetë, sepse, po të qëndrosh pranë një rruge në Shqipëri, shikon aq shumë makina luksoze, sa të krijohet bindja se e gjithë Shqipëria qenka kështu dhe se të gjithë shqiptarët jetojnë si në parajsë. Kjo është shoqëria joreale, sepse mjafton të largohesh vetëm pak orë më larg dhe para syve të shfaqen realitete që të ngrenë përpjetë qimet e kokës.

Në këto realitete, që shfaqen në horizontin tonë, shikon njerëz që jetojnë pa të ardhura minimale, shikon që femrat trajtohen akoma sikur të ishte kulmi i periudhës mesjetare, shikon njerëz që nuk kanë asnjë lloj forme integrimi në botën moderne, shikon njerëz që nuk kanë asnjë profesion dhe nuk besojnë tek e ardhmja që i pret. Këta janë njerëz realë, që jetojnë në shoqërinë tonë, por që ne nuk i shikojmë ata, sepse ata janë jashtë oborrit tonë, jashtë jetës tonë. Këta njerëz janë realë, sepse janë të prekshëm; janë realë, sepse ekzistojnë; janë realë, sepse përpiqen të jetojnë, edhe pse larg një jete normale dhe të pranueshme. Ne duhet të shkojmë t’i ndihmojmë, duhet të jemi të sinqertë dhe të ndershëm me ta, duhet t’i trajtojmë si qytetarë me drejta të plota, duhet ta përqendrojmë vëmendjen dhe forcën tonë që edhe ata të kenë mundësinë për të njohur progresin, lirinë individuale pa dallim seksi. Ata kanë nevojë për politikanë të përgjegjshëm, për një shoqëri aktive që ka për objektiv qenien njerëzore, të drejtat dhe dinjitetin e saj. Mendoj se ka ardhur momenti t’i japim fund ndjenjës individualiste, e cila në këto dekada na fundosur në një realitet të vështirë njerëzor. Në rast se mendojmë vetëm për vetën tonë, atëherë shoqëria jonë në kompleks do të jetë shumë e vështirë dhe e egër në të njëjtën kohë, duke na krijuar vizione joreale para syve tanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›