Gjaku, paketë përfitimesh për dhuruesit vullnetarë
Dhuruesit vullnetarë të gjakut në vendin tonë për herë të parë do të mund të trajtohen nëpërmjet një pakete të posaçme përfitimesh. Ministria e Shëndetësisë po përgatit një paketë përfitimesh për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut. Në Shqipëri, numërohen mbi 7 mijë dhurues vullnetarë, të cilët pritet të përfitojnë lehtësi shërbimesh, duke nisur nga transporti publik falas deri te ekzaminimet shëndetësore me kosto të ulët. “Dhuruesit e gjakut te ne të kenë disa përfitime apo lehtësime nga sistemi. Jemi në një proces për të kërkuar mirëkuptim më të gjerë dhe nga aktorët e tjerë për të parë mundësinë e transportit falas, siç është dhe në vende të tjera, një vizite pa radhë në institucionet shëndetësore, mospagesës për ekzaminimet e shtrenjta”, - thotë drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Më tej ai shton se cilësia e gjakut do të jetë më e sigurt në filli të vitit të ardhshëm, pasi në vendin tonë priten të vijnë dy pajisje të fjalës së fundit, me një vlerë prej 1 milion dollarë. Këto aparatura do të shërbejnë për analiza më të specializuara të gjakut. “Vitin tjetër është planifikuar nga buxheti i shtetit që kjo siguri të jetë e sofistikuar në Qendrën Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, pra do të blihen dy aparatura moderne, shumë të shtrenjta që të dyja bashkë kushtojnë rreth 1 milionë dollarë që si të thuash zgjeron gamën e sigurisë, realizon analiza të tjera shtesë në mënyrë që gjaku ynë të jetë edhe më i sigurtë nga ç’është”, - thekson Pipero. Gjatë verës, banka e gjakut, sipas zyrtarëve të Shëndetësisë nuk ka pasur mungesë të gjakut. Fushatat e shpeshta për dhurimin e gjakut kanë bërë që nëpër qendrat e urgjencës dhe në spitalet e vendit të ketë pasur rezerva të mjaftueshme.