Viti i ri akademik, UET shpall ofertat e bursave
Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Universiteti Europian i Tiranës shpall ofertat e bursave që do të ofrohen për studentët që do të vijojnë studimet pranë tij. Bëhet fjalë për një larmi bursash, që nuk nisin e përfundojnë vetëm me kategorinë e studentëve që bëjnë pjesë në shtresat sociale të shoqërisë. Kështu, UET edhe këtë vit do të ofrojë bursa studimi edhe për ata të rinj që kanë talente në fusha të ndryshme të jetës, ose janë persona VIP në jetën publike të vendit, e përjashtim nuk bëjnë as studentët që vijnë me notat 10-ta nga Matura. Të gjitha detajet për bursat në UET bëhen të ditura në një intervistë të posaçme nga pedagogia e këtij universiteti, Nevila Xhindi, e cila shpjegon sesi punohet me studentët bursist në UET, cilat janë ofertat për VIP-at, bursat surprizë që do të jepen për studentët në 5-vjetorin e themelimit të universitetit etj. Ndërkaq, ajo hedh edhe një ide për debat publik lidhur me trajtimin me bursa të studentëve shqiptarë, qoftë në institucionet publike apo private të arsimit të lartë. Sipas Xhindit, studenti që përfiton bursë duhet t’ia kthejë në një mënyrë apo në një tjetër universitetit ku ndjek studimet, apo shoqërisë, atë që ka marrë. Dhe për këtë rast, ajo tregon shembuj sesi vepron UET në këtë drejtim, që në fakt është mirëpritur nga të gjithë studentët bursistë të tij, pasi askush prej tyre nuk ndihet sikur ua ka “falur” dikush shkollën, por janë tepër krenarë për atë që kanë përfituar, sepse e kanë merituar me punë.
Sa bursa ka planifikuar të shpërndajë UET për vitin e ri akademik?
Universiteti Europian i Tiranës (UET) ka planifikuar të japë 100 bursa, të ndara në disa kategori. Këto bursa janë të aksesueshme nëpërmjet një formulari aplikimi, i cili nga viti në vit përmirësohet, bazuar tashmë në eksperiencat e krijuara në UET. Aktualisht, UET ka 255 studentë bursistë, kryesisht në nivelin Bachelor, por edhe në nivelet Master.
Si do të bëhet ndarja e tyre dhe cilat kategori studentësh do të përfitojnë?
UET ka një procedurë të bursave, që miratohet në Senatin e Universitetit, me propozim të Rektoratit, dhe që miratohet nga presidenti i universitetit. Studentët aplikojnë dhe në bazë të formularit ata plotësojnë kategorinë së cilës i përkasin. Bursë përfitojnë kategoritë e studentëve, si: ekselenca, studentët VIP dhe talente, studentët me probleme sociale, me mesatare mbi 9.2 dhe studentët me mesatare me mbi 9.5. Bursat janë të aplikueshme për studentët e rinj, por edhe për studentët aktual, të cilët duhet të konkurrojnë për të marrë bursën. Jo secila nga kategoritë ka të njëjtin përfitim nga bursat. Parë nga këndvështrimi i institucionit, ky është një shërbim publik, është një politikë sociale që ndjek universiteti, por është edhe promovim i vlerave që mbartin studentët. Parë nga këndvështrimi i një studenti, është një mundësi për të studiuar në një institucion të arsimit të lartë me vlera dhe me reputacion siç është UET, që është renditur i pari në procesin e rankimit të universiteteve. UET i bashkohet një komuniteti shumë dinamik studentësh, të cilëve u jepet mundësia të punojnë dhe të jenë në auditorë me emrat më të shquar të fushës akademike, të shkencës, të fushës publike etj.
Për studentët e ekselencës, sa bursa do të jepen dhe cilat do të jenë kriteret?
Ndarja në këtë rast është që jepen disa bursa për studentët ekselentë të UET-it, por edhe për të rinjtë. Për studentët e ekselencës ne promovojnë studentët tanë aktual në UET, ata që nga viti në vit janë me 10 absolute, dhe ndërkohë jemi të hapur dhe e quajmë privilegj që studentë që vijnë me dhjeta nga Matura, të kenë mundësi të marrin bursë ekselence. Dhe kjo i jepet automatikisht studentit që vjen në UET. Por, brenda kësaj ekselence kemi edhe bursat e përshkallëzuara, që janë zbritja e pagesës së shkollimit me 20-30% nga tarifa normale, sipas mesatares. Proceduat e aplikimit kanë filluar dhe caktimi i bursave do të bëhet nga një komision i veçantë, i ngritur sipas procedurave të përcaktuara në UET dhe përfituesit do të shpallen më 7 tetor në një ceremoni zyrtare.
Si punohet me studentët bursistë në UET?
Studentët bursistë në UET, përveç faktit që marrin një bursë, kontratës së tyre me UET-in i bashkëngjitet një aneks i detyrimeve që lindin nga kjo bursë. Këta studentë duhet që gjatë vitit shkollor të punojnë në UET në disa nga sektorët e përcaktuar, pra t’i kthejnë një të mirë komunitare universitetit për bursën e dhënë. Në parantezë, unë duhet të hap më shumë një diskutim publik që lidhet me këtë aspekt dhe me filozofinë e dhënies së një burse. Të fitosh një bursë është gjithmonë shumë mirë, por unë mendoj se kjo nuk duhet parë vetëm si përfitim. Bursa i duhet kthyer shoqërisë herët apo vonë në kohë, në një mënyrë apo në një tjetër, e përkthyer në orë pune apo në një të mirë publike. Së fundi, kam dëgjuar që qeveria shqiptare ka akorduar 3500 bursa për nxënësit dhe studentët dhe e përkrah shumë këtë lloj politike. Jam në mbështetje të kësaj politike sociale, dhe, nëse është e nevojshme, pse jo, të kemi dhe më shumë bursa, por jam e mendimit që si pjesë e kësaj shoqërie, si taksapaguese, mendoj që, duke përjashtuar kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, të gjitha kategoritë e tjera duhet t’ia kthejnë shoqërisë shqiptare me punë. Unë vetë kam qenë përfituese e disa bursave akademike dhe joakademike jashtë Shqipërie. Kusht në të gjitha kontratat që kam firmosur ka qenë kthimi im në Shqipëri dhe për t’i shërbyer shoqërisë shqiptare. Këtë ka në qendër edhe bursa e ekselencës që jep Ministria e Arsimit, që duhet të kthehesh në Shqipëri dhe t’i shërbesh vendit. Mendoj që kjo duhet përkthyer dhe duhet realizuar të paktën në nivelin e bursave për studentët. Dhe kushtet mund të jenë nga më të ndryshmet, si për shembull, unë të jap Mjekësinë, por ti duhet të punosh në një rreth të largët të vendit. Kjo përkthehet në disa kushte, të shkosh të punosh në një zonë të thellë malore, të japësh ndihmë në një drejtim të caktuar për komunitetin, të studiosh në degë që nuk preferohen etj. UET e ka të aplikuar këtë lloj ideje tashmë dhe kryhet me sukses. Studentët ndihen mirë, sepse nuk ua “fali” dikush shkollën, por e merituan atë me punë.
UET ka promovuar çdo vit edhe të rinj që kanë spikatur në fusha të ndryshme të jetës, duke bërë kështu edhe mjaft studentë VIP pjesë të tij. Çfarë do të ofrohet gjatë vitit të ri akademik për këta të rinj?
UET ka shumë prioritet bursat VIP dhe ato të talenteve. Është kënaqësi të kesh në universitet sportistë të mirë, këngëtarë të mirë, muzikantë, futbollistë, balerinë, sepse nesër ata mund të përbëjnë imazhin e UET-it. Ata që janë aktualisht në UET e kanë ndjerë se sa të nderuar dhe të përfshirë janë në jetën studentore në UET, dhe sa shumë UET bashkëpunon me ta jo vetëm sot që ata janë në bankat e shkollës, por edhe kur largohen prej saj, pasi janë pjesë e ALUMNI-t. Sivjet, në pesëvjetorin e themelimit të tij, UET do të ndajë edhe bursa speciale për disa studentë që janë krenaria e këtij universiteti, që janë rritur akademikisht bashkë me UET-in, por kjo do të jetë një surprizë që do të zbulohet në ceremoninë e 5-vjetorit të UET-it që do të zhvillohet së shpejti.
Ekselentët
“Për studentët e ekselencës, ne promovojnë studentët tanë aktualë në UET, ata që nga viti në vit janë me 10 absolute, dhe ndërkohë jemi të hapur dhe e quajmë privilegj që studentë që vijnë me dhjeta nga Matura, të kenë mundësi të marrin bursë ekselence. Dhe kjo i jepet automatikisht studentit që vjen në UET”.
Bursa
Të fitosh një bursë është gjithmonë shumë mirë, por unë mendoj se kjo nuk duhet parë vetëm si përfitim. Bursa i duhet kthyer shoqërisë herët apo vonë në kohë, në një mënyrë apo në një tjetër, e përkthyer në orë pune apo në një të mirë publike.
Për maturantët e shkëlqyer, UET ndjek një politikë të tarifave inkurajuese. Studentët që kanë një mesatare mbi 9.2 përfitojnë përkatësisht 20% ulje në tarifën e shkollimit dhe mbi 9.5 përfitojnë 30% ulje për tarifën e shkollimit.
Bursat e ekselencës
UET-i inkurajon me bursa studentët e shkëlqyer. Në përputhje me rezultatet e vitit paraardhës, çdo vit jepen bursa për studentët më të mirë. Këto quhen “bursat e ekselencës”. Ju mund të jeni potencialisht ndër 10 më të mirët, ndaj përpjekja juaj për të mësuar sa më mirë inkurajohet që në shkollë. Universiteti Europian i Tiranës synon që gjithnjë e më tepër t’u japë hapësirë studentëve të ekselencës, si një motor për të çuar përpara cilësinë në universitet. Të gjithë maturantët, që vijnë nga sistemi i shkollave tona të mesme, që janë diplomuar me të gjitha notat 10, dhe që kanë arritur një nivel të caktuar pikësh nga provimet e Maturës Shtetërore, nivel që përcaktohet çdo vit nga një urdhër i veçantë i Rektorit, kanë një bursë ekselencë në vitin e parë të studimeve. Në vitin e dytë, në raport me rezultatet e vitit të parë, studentët e ruajnë ose jo bursën për vitet e mëtejme. Po ashtu, studentët e UET-it, në raport me rezultatet e shkëlqyera (të gjitha notat 10) të vitit paraardhës përfitojnë në vitin pasardhës bursën e ekselencës.
Bursat e talentit
UET e pëlqen dhe e synon si model për studentin e vitit atë profil të rinjsh që spikatin në të gjitha fushat e jetës: në art, politikë, sport, shkencë. Ndaj për këto kategori, UET, që në krijimin e tij ka praktikuar formatin e bursave të talentit. Shumë këngëtarë, artistë, prezantues televizivë, sportistë kanë marrë këtë bursë dhe, madje, disa prej tyre kanë arritur të bëjnë pjesë te të diplomuarit e parë. Këngëtari Turjan Hyska, prezantuesja Xhemi Shehu, këngëtarja Anjeza Shahini janë ndër VIP-at të diplomuar në UET në dy vjetët e fundit. Po ashtu, UET-i ka promovuar çdo vit edhe të rinj që kanë spikatur në forumet rinore të partive kryesore politike, duke i nxitur të rinjtë të merren me jetën publike dhe politike.