E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjallë!" në ekranin e madh

Duke filluar nga data 5 shtator, ora 20.00 bashkëprodhimi shqiptaro-austriak, "Gjallë!" i regjisorit Artan Minarolli, nis xhiron e kinemave prej Kinema "Imperialit" në Tiranë.


Në historinë e djalit që kërkon të shpëtojë nga një histori gjakmarrjeje ku ishte përfshirë babai i tij, interpretojnë Kreshnik Xhelilaj, Bruno Shllaku, Xhevdet Feri, Nijada Saliasi etj.


Filmi u shfaq premierë para pak ditësh në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ku u vlerësua me Çmimin Special të Jurisë.

"Gjenerali...", premierë në Shkup


Teatri Shqiptar i Shkupit dha dje premierë shfaqjen "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", bazuar në romanin e rinisë së hershme të Ismail Kadaresë. Regjisori nga Sarajeva, Dino Mustafiq, ka punuar mbi dramatizimin e Jeton Nezirajt.


Skenografia është realizuar nga Dragutin Broz, kostumet nga Bllagoja Micevski, koreografia nga Gjergj Prevazi.
Interpretojnë: Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Vebi Qerimi, Musherefe Llozani, Adrian Aziri, Valon Ademi - Valoni, Merlinda Saiti, Genci Mirzo, Sabedin Selmani, Teuta Ajdini - Jegeni, Amernis Nokshiqi - Jovanovska, Zarie Jonuzi, Fisnik Zeqiri, Blerim Dardhishta, Visar Etemi, Emine Kadriu dhe Drita Aliu.


Ky roman i Kadaresë, më i referuari ndër veprat shqiptare të artit, po edhe ndër vetë veprat e autorit në versionet kinematografike, balet, pikturë, muzikë etj., për herë të parë u vu në skenën e Teatrit Popullor në Tiranë nga regjisori Pirro Mani, në vitet shtatëdhjetë.


Po atë kohë kaloi kufijtë shtetërorë dhe u shfaq në Prishtinë. Tani "Gjenerali..." shkon në një konceptim krejt tjetër, në këndin tjetër të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup.

------------------------------------------------------

Festivali i Venecias: Monicelli dhe filmat kot


Një nga mjeshtrit që janë në jetë të kinemasë italiane, Mario Monicelli, ka thënë së fundi për kinemanë që bëhet në vendin e tij: "Sot nuk tregojnë Italinë ashtu si është. Prodhohen shumë filma të bukur, të xhiruar mirë, me ndonjë aktor të mirë, lojna dramatike që gjithnjë përfundojnë për bukuri. Kështu të gjithë janë të kënaqur dhe nuk mendojnë. Italia është e kundërta e asaj që shihet në kinema."


Monicelli i filmave "La grande Guerra", "I soliti ignoti", "Amici miei", "Un borghese piccolo piccolo", "Il marchese del Grillo" etj, që ka drejtuar aktorë si i shkëlqyeri Alberto Sordi, Vittorio Gassman, Totò, po edhe Marcello Mastroianni, Ugo Tognazzi apo francezin Philippe Noiret, i ka thënë këto goxha fjalë që i kanë hije, mu në zemër të Festivalit të Venecias në ditën e tij të parë që u hap pikërisht me "Luftën e madhe" të Monicellit, i cili, në rrugicën e kuqe të starëve me trupa egërsisht palestre, thuajse si 50 vjet më parë kur mori "Luanin e Artë", shkeli me këmbë të lehtë prej 94-vjeçari veshur me atlete.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›