Biçikleta dhe aparati që kaluan në gjashtë shtete
Fotografi Stefan Rohner ekspozon sot në "Lindart", fotot e udhëtimit me biçikletë nga Spanja deri në Shqipëri.
Momentet që ka fokusuar me aparatin e tij i paraqet me titullin "Fotografia e rrugës"
Pak muaj pasi ishte kthyer nga një seminar në Rusi, fotografi Stefan Rohner merr një ftesë për një tjetër seminar. Këtë herë ftesa i vjen nga një vend i vogël i Europës, Shqipëria. Më saktë, nga shkolla e fotografisë. "Projekt 5.6" e fton Rohnerin për të ndarë eksperiencën e tij si fotograf me studentët.
Për gjatë gjithë kësaj jave, fotografi së bashku me dhjetë studentë ka shkuar në ambiente të ndryshme urbane të kryeqytetit, ku kanë fotografuar grimca të vogla jete. "Kjo ishte pjesa e parë e ditës, - thotë ai.
- Pasdite analizonim gjithë punën e bërë paradite". Java ka përfunduar dhe seminari gjithashtu. Por përpara se të largohet, Rohner-i shfaq në mbrëmje, në orën 19:00, në Qendrën Kulturore "Lindart", disa nga punët që ka realizuar rrugës për në Shqipëri.
Një rrugë që ka një histori të sajën.
Rohner nuk kishte qenë kurrë më parë në Shqipëri, por diçka kishte dëgjuar, më shumë për konfliktet në Ballkan, dhe kjo ftesë ishte një mundësi për të vizituar këtë vend.
Udhëtimi nga ishulli i Ibizës, Spanjë, deri në Shqipëri nuk ishte një udhëtim komod me avion.
47-vjeçari gjerman preferoi të ngasë biçikletën e tij MTB për 2300 km nga njëri skaj i Evropës në tjetrin. "Doja të vija në lëvizje trupin dhe mendova se udhëtimi me biçikletë ishte një ide e mirë", - thotë Rohner.
Kështu, më 23 gusht i hipi biçikletës në Barcelonë, udhëtoi drejt Francës, zbriti në Itali, mori një traget deri në Kroaci, kapërceu Malin e Zi dhe stacioni i fundit ishte Tirana. Gjithë përshtypjet e mbledhura me aparatin fotografik gjatë këtij rrugëtimi, Rohner i prezanton sot në mbrëmje, nën titullin "Fotografia e rrugës".
"Më pëlqen që fotografitë t'i bëj me film", - thotë ai. "Fotografia bardhezi është shumë më cilësore kur printohet në letër. Nuk jam kundër aparateve digjitale, por më pëlqen më shumë t'i zhvilloj vetë fotografitë në laborator", - thotë Rohner.
Foton në letër e konsideron një copëz art që e ka realizuar vetë, që nga fillimi deri në fund. "Është diçka e mrekullueshme të mbash një fotografi në duar. Nuk ka asnjë aparat që mund të të japë këtë ndjesi", - thotë ai.
Në Shqipëri nuk ka pasur kohë të bëjë fotografi, por nëse do të kishte qëndruar më shumë, thotë se do të ishte marrë me makinat dhe dyqanet që shesin pjesë këmbimi për to. "Më bën përshtypje se sa shumë makina "Benz-mercedes" ka këtu", - tregon ai. Megjithatë, kjo nuk është e vetmja gjë që i ka bërë përshtypje gjatë këtyre ditëve.
Në celularin që mban në dorë, Rohner tregon disa fotografi që i ka realizuar në Letoni. Aty është një vajzë duke pirë cigare, veshur me një palë pantallona tepër të shkurtra, dekolte të ekzagjeruar dhe këpucë shumë të larta në ngjyrë të kuqe. "Këtu në Shqipëri kam parë shumë vajza të veshura në këtë mënyrë.
Edhe në Ibiza ku jetoj, vishen kështu, por këtu këtë veshje e sheh në çdo orë të ditës", - thotë Rohner. Janë të tilla situata, që i tërheqin vëmendjen, dhe që më pas i përjetëson me aparatin e tij. "Të gjithë ne jemi qenie shumë të bukura, por secili sipas mënyrës së tij. Mua më pëlqen të kap pikërisht këtë veçori apo një pjesë të sajën, të përjetësoj këtë moment".
Fotografinë nuk e konsideron si profesionin e tij. "Sot është shumë e vështirë të jetosh dukë bërë fotografi. Nëse merresh me foto komerciale, modë apo reklamë mund edhe të fitosh diçka, por jo me këtë lloj fotografie", - shpjegon Rohneri.
Në Ibiza ka një kompani elektrike të tijën, që është edhe burimi kryesor i të ardhurave, ndërsa fotografia është tjetër gjë. "Fotografinë e kam mësuar në mënyrë autodidakte, pasi studimet i kam kryer për inxhinieri elektrike. Në fakt, është kjo kompani që më bën të mundur të udhëtoj shpesh, për fotografinë", - përfundon Rohner-i.
New Millenium
Kinema "Millenium" ishte e mbyllur gjatë gjithë gushtit për shkak të një rikonstruksioni. Deri dje fasada e saj ishte mbuluar me një afishe që nuk të linte të shihej përtej. Sot kjo afishe është hequr dhe kushdo mund të shohë ndryshimet e "Milleniumit".
Ka ndryshuar plotësisht hyrja e saj. Struktura e katit të parë ka ndryshuar. Në "Milleniumin" e vjetër kishte vetëm dy dyer në fasadë, tani ka tre; dy për barin dhe një për të hyrë në sallë.
Nga fasada është zhdukur edhe ajo dritarja rrethore, ku të gjithë përkuleshin për të blerë bileta. Është zëvendësuar me një dritare katrore të bardhë. Po kështu, edhe dy portat e mëdha prej druri janë zëvendësuar me dy dyer katrore prej duralumini, të gjitha këto të bardha.
Kjo është e vetmja pjesë e kinemasë që është rikonstruktuar. Në sallën me 255 vende ku projektohen filmat nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Janë po ato karrige, ku për 9 vite rresht publiku është ulur për të ndjekur filma, kryesisht produksione amerikane.
Pas kësaj ndërprerjeje, "Millenium" hap dyert sot në orën 17:30 me shfaqjen e komedisë "Year one", të regjisorit Harold Ramis, ku interpretojnë aktorët komikë Jack Black dhe Michael Cera. Pastaj radhën e ka pjesa e gjashtë e magjistarit Harry Poter. Oraret dhe çmimet e biletave janë po ato.
Kinema "Millenium" (u quajt "Millenium 2" deri në në vitin 2006, kur u mbyll kinema "Millenium 1", ish-kinema Republika), ishte e vetmja sallë kinemaje në Tiranë deri në vitin 2007, vit kur u hapën dy salla të vogla të quajtura "Imperial" në mjediset e një hoteli.
"Gjenerali...", sonte premiera në Shkup
Sonte, ora 21:30, në Teatrin Shqiptar të Shkupit jepet premiera e shfaqjes "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", bazuar në romanin e rinisë së hershme të Ismail Kadaresë. Regjisori nga Sarajeva, Dino Mustafiq, ka punuar mbi dramatizimin e Jeton Nezirajt. Skenografia është realizuar nga Dragutin Broz, kostumet nga Bllagoja Micevski, koreografia nga Gjergj Prevazi.
Interpretojnë: Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Vebi Qerimi, Musherefe Llozani, Adrian Aziri, Valon Ademi - Valoni, Merlinda Saiti, Genci Mirzo, Sabedin Selmani, Teuta Ajdini - Jegeni, Amernis Nokshiqi - Jovanovska, Zarie Jonuzi, Fisnik Zeqiri, Blerim Dardhishta, Visar Etemi, Emine Kadriu dhe Drita Aliu.
Ky roman i Kadaresë, më i referuari ndër veprat shqiptare të artit, po edhe ndër vetë veprat e autorit në versionet kinematografike, balet, pikturë, muzikë etj., për herë të parë u vu në skenën e Teatrit Popullor në Tiranë nga regjisori Pirro Mani, në vitet shtatëdhjetë. Po atë kohë kaloi kufijtë shtetërorë dhe u shfaq në Prishtinë. Tani "Gjenerali..." shkon në një konceptim krejt tjetër, në këndin tjetër të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup.