Tatimet heqin tre kompani nga lista e falimentit
Pas presionit të medieve tatimet kanë hequr kompanitë dhe kanë shkarkuar përgjegjësin e tatimpaguesve të mëdhenj
TIRANË- Falimenti i kompanive "VIP" ka shkaktuar furtunë në Drejtorinë e Tatimeve. Personi përgjegjës për tatimpaguesit "VIP" është larguar nga detyra ndërsa tre kompani të fuqishme janë hequr nga lista.
Burime të brendshme të institucionit kanë pohuar heqjen nga lista të tre kompanive por nuk kanë dhënë më shumë shpjegime për punonjësin e larguar nga detyra.
Ky veprim vjen pas presioneve të vazhdueshme të bizneseve dhe të medias në lidhje me mënyrën se si u përpilua lista nga Tatimet dhe publikimin e saj.
Tashmë, lista me jo më me 27 subjekte por me 24 të tilla është publikuar edhe në faqën zyrtare të Drejtorisë së Përgjithsme të Tatimeve, ndërkohë që burime ende të pakonfirmuara nga brenda institucionit bëjnë të ditur se për shkak të hartimit të listës me subjektet tregtare duke shpallur publikisht se janë në proces falimentimi, e ka pësuar edhe një funksionar i Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, i cili është shkakuar nga puna.
Sipas të dhënave, tashmë "listës së zezë" të Tatimeve, i mungojnë kompanitë Eagle Mobile, Bankers Petrolium dhe Univers Alb.
Duket se Tatimet nuk kanë ndryshuar qëndrim për 24 shoqëritë e tjera tregtare të cilat vazhdojnë të jenë në listën dërguar pranë gjykatës. Sipas shpjegimit të bërë nga Tatimet, do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë nëse vërtet bizneset janë me humbje apo deklarohen të tillë për t'iu shmangur detyrimeve fiskale.
Dy ditë më parë, Gjykata e Shkallës së parë Tiranë, kishte pranuar paditë e Tatimeve për falimentin e kompanive dhe kishte filluar shqyrtimin e çështjeve. Pas publikimit të listës, biznese të ndryshme janë shprehur të shqetësuar për mënyrën arbitrare që sipas tyre është vepruar në këtë rast.
Po ashtu, disa nga subjektet e përfshira në liste, ose e kanë mohuar kategorikisht se janë me humbje ose janë shprehur se kanë bilanc negativ për shkak se ende janë duke investuar.