E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon akuzat "italiane" të Pajës

TIRANË- Autoritetet e drejtësisë italiane, refuzojnë të sjellin në Shqipëri dosjen penale në ngarkim të Ilir Pajës, duke detyruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda t'i pushojë akuzat e kryera nga 35- vjeçari në Itali. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët i kanë njoftuar vendimin e pushimit të akuzave të ngritura menjëherë pas arrestimit të tij vitin e kaluar me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi ishte dënuar me "burgim të përjetshëm".


Sipas prokurorisë, arrestimi i Pajës në mars të 2008, vijoi me ngritjen e akuzave ndaj tij për "vrasjen e mbetur në tentativë" ndaj agjentit të policisë që po tentonte ta arrestonte dhe për akuzat e kryera në shtetin fqinjë, Itali, pas arratisjes spektakolare të 14 gushtit 2007. "Me anë të tre shkresave zyrtare të dërguara me letër-porosi i kemi kërkuar autoriteteve italiane të na vënë në dispozicion provat materiale në ngarkim të shtetasit Ilir Paja të kryera në shtetin fqinjë nga i pandehuri pas arratisjes së 14 gushtit 2007.


Por, autoritetet e drejtësisë italiane, nuk kanë preferuar të sjellin dosjen penale të Pajës në Shqipëri, duke u shprehur se 35- vjeçari do të hetohet dhe gjykohet në mungesë në shtetin fqinjë ku edhe do të marrë dënimin e merituar për pesë akuzat e reja që rëndojnë mbi personin e tij.


Për këtë fakt, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosu pushimin e hetimit ndaj Pajës për veprat penale të "Arratisjes nga burgu" më 14 gusht 2007; "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta" të policit në momentin e arratisjes; "rrëmbimit të personit" të një shtetase Rumune dhe më pas "përdhunimin" e saj si dhe kryerjen e veprës penale të "armëmbajtjes pa leje",-thuhet nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›