"Gjallë", një çmim në Montpellier
Filmi "Gjallë" i regjisorit Artan Minarolli është vlerësuar me çmim në edicionin e 31 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier të Francës. Në mes të pesë çmimeve ndërkombëtare për filmin me metrazh të gjatë, filmi "Gjallë" ka fituar çmimin për mbështetjen teknike nga "Eclair Laboratoires". Ky çmim, që ka vlerën e 5.500 eurove, është i dyti çmim i rëndësishëm për filmin "Gjallë", pas atij special që mori në Festivalin Ndërkombëtar të Durrësit në muajin gusht. Ndërkohë që është përzgjedhur edhe si filmi që do të përfaqësojë Shqipërinë në seksionin e filmit të huaj, për Edicionin e 82 të çmimit "Oskar" për vitin 2010. Gjithashtu, në shkurt 2010 filmi "Gjallë" do të marrë pjesë në garën zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beograd si dhe në "Festival International du Film d‘Amour de Mons" në Belgjikë. Në Festivalin e Montpellier me çmimin e madh, "Antigona e Artë", u vlerësua filmi izraelito-gjerman "Ajami". Festivali i Montpellier zhvillohet që prej vitit 1979 dhe është një ndër festivalet e rëndësishme të filmit ndërkombëtar, ku herë pas here merr pjesë edhe Shqipëria me prodhimet e saj.