Fernando Torres rrezikon dy muaj pushim
Sikur të mos mjaftonte diferenca e madhe në Premierligë me Çelsin kryesues (9 pikë shkëputje) dhe fakti që kualifikimi në Champions duket në rrezik, Liverpuli është prekur nga një "epidemi" dëmtimesh. Pas kapitenit Stiven Xherard, që sipas gjasave do t‘i nënshtrohet operacionit, shqetësuese është edhe gjendja e Fernando Torres. Sulmuesi spanjoll vuan nga hernia në ijë dhe pas vizitave mjekësore, edhe ai rrezikon ndërhyrjen kirurgjikale. Operacioni duket i paevitueshëm, nëse trajneri Rafa Benitez vendos ta aktivizojë lojtarin e dëmtuar. Torres mund të jetë i detyruar të mungojë dy muaj, duke humbur kështu pjesën më të rëndësishme të sezonit të "Reds"-ave. 25-vjeçari ka udhëtuar me skuadrën për transfertën e sotme në fushën e Lionit dhe Benitez pohoi: "Nuk kisha shumë alternativa. Duhet të veprojmë me kujdes, pasi mundësia që Torres të operohet është konkrete".