Gjergj Xhuvani: E mbylla ciklin e komunizmit
Janë epokat ato që krijojnë drama. Njerëzit detyrimisht kthehen në personazhe dhe përjetues të tyre. Me këtë filozofi i është qasur regjisori Gjergj Xhuvani diktaturës shqiptare. "Lindje-Perëndim-Lindje", i shfaqur dje në një projeksion për gazetarët, ndërsa sot do të ketë premierën, është filmi që përmbylli trilogjinë e kësaj epoke. Jo sipas kronologjisë së realizimit, por të trajtimit, nis me "I dashur armik", si momenti i instalimit të sistemit diktatorial në Shqipëri, vazhdon me "Parrullat", që shënon edhe kulmin e diktaturës, dhe mbyllet me këtë prodhim të fundit. Vet Xhuvani i ka dhënë përgjigje në konferencën për shtyp pas filmit, pikëpyetjes së ngritur gjatë këtyre viteve se sa do t‘i duhej akoma të qëndronte brenda komunizmit. "Me këtë film mbylla ciklin e komunizmit për t‘iu rikthyer temave aktuale. Ndihem i qetë që e përfundova këtë trilogji. Nëse e kam mbyllur mirë apo keq, u takon të tjerëve ta gjykojnë", tha Xhuvani. Në këtë rikthim kinematografik, regjisori ka pasur krahë edhe të atin, Dhimitër Xhuvani, që do t‘i mungojë prezantimit të prodhimit të fundit. Si skenarist është i pranishëm në dy filmat e këtij cikli, "I dashur armik" dhe "Lindje-Perëndim-Lindje", ndërsa skenari i "Slogans" i takon Ylljet Aliçkës. Vërtitja e një rrote biçiklete në një barakë të vogël, muret e së cilës janë mbushur nga një anë me pjesë llastiqesh të përdorur, e nga ana tjetër me foto të një kohe të lavdishme të Ilo Zotos, shënon shpalosjen e atmosferës shqiptare në kapërcyell të viteve ‘80-‘90. Një zarf i sjellë me porosinë "urgjent" shënon nisjen e një kalvari ngjarjesh. Me urdhër nga lart, Ilo Zoto (Ndriçim Xhepa) ish-kampion i çiklizmit 20 vjet të shkuara, së bashku me një ekip prej pesë çiklistësh do të përfaqësojnë Shqipërinë në një garë në Francë. Lajmi bën bujë. Atmosfera dhe detajet e përzgjedhura në vazhdim të ngjarjeve fillojnë të kornizojnë realitetin shqiptar në prag të ndërrimit të regjimeve. Ilo Zoto, pasi ka marrë direktivat në zyrën e zvministrit (interpretuar nga Petrit Malaj), ku i është theksuar ngarkimi i një detyre të lartë patriotike, nis stërvitjen. Rrugës, teksa drejton grupin e katër çiklistëve (Oni Pustina, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulëzim Zeqja), Gimi (Helidon Fino), postieri i lagjes që i hipën çdo ditë biçikletës, i sfidon hapur. Ai është i pesti që i shtohet ekipit. Pjesa tjetër e filmit vazhdon me përgatitjet për nisje, me episode mbushur me humor e sarkazëm. Një trajtim i njohur i Gjergj Xhuvanit si regjisor dhe një element dallues i penës së Dhimitër Xhuvanit. Këtë ekip e ka prirë fati. Për herë të parë do të kalojnë kufirin shqiptar drejt Perëndimit. Darkave, Ilo Zoto përpiqet të mësojë disa fjalë frëngjisht, Tafa (Ervin Bejleri), i fiksuar për një televizor me ngjyra, përmes zinxhirit që lidh rrotat e biçikletës komandon një antenë të sajuar në tarracë përmes së cilës sheh televizionin italian, ndërsa Gim postieri sapo nis një skenë dashurie me gruan, i duhet të bëjë një premtim: të sjellë nga Franca intime të kuqe. Në nder të tij, si njeriu i parë i fshatit që do të shkojë jashtë, organizohet një ceremoni përcjelljeje, ku shiriti i kuq i sajuar pritet me një palë gërshërë dhensh. Situatat komike pasojnë njëra-tjetrën. Përtej kufirit, secili dëshiron të blejë diçka. Tafa do një televizor me ngjyra, një do të bëjë dashuri me një vajzë franceze, ndërsa Iloja, në supin e të vetmit kostum të mirë që ka, fut ca dollarë për të blerë ilaçe në mënyrë që ai dhe gruaja e tij të bëjnë fëmijë. Nuk kanë lekë të tjera, veç ca florinjve që duhet të gjejnë mënyrën si t‘i kalojnë në kufi. Xhimondi (Lulzim Zeqja) i gëlltit një e nga një, për t‘i nxjerrë me jashtëshqitje sapo të kalojnë kufirin. Në momentet e fundit, prapë me urdhër nga lart, ai duhet të zëvendësohet nga një tjetër çiklist, spiun i partisë. Me sa të mundin, djemtë duan t‘i marrin florinjtë, duke e detyruar t‘i nxjerrë në infermierinë e portit. Regjisori është ndalur gjatë në këtë pjesë të parë të filmit. Ka zgjedhur detaje, ashtu sikurse edhe në dy filmat e mëparshëm, për të ngritur një tablo reale të Shqipërisë së asaj kohe. "Themelore në këtë triptik filmash mbi komunizmin është njeriu dhe ai nuk vdes kurrë. Është njeriu, personazhi që i lidh këto histori dhe përmes tyre kam fiksuar kohën. Nuk kam bërë filma për politikën. Nuk jam as pro dhe as kundër komunizmit. Në filmat e mi nuk ka njerëz të këqij, ata janë të dhimbshëm, të ngrohtë. Janë epokat që krijojnë dramat, të cilat i përjetojnë njerëzit", tha Xhuvani pas projeksionit. Nisja me anije mallrash drejt Triestes nga Porti i Durrësit shënon nisjen e tyre drejt Perëndimit. Me të mbërritur në tokën italiane, kontrasti është i qartë. Godina madhështore, vajza që nuk ngurrojnë t‘i përshëndesin, të rinj që puthen lirshëm në rrugë, hotele me yçkla që as nuk i kanë ëndërruar. Më në fund, në dhomat e hotelit, Tafa sheh reklamën e tij të preferuar me ngjyra. Ndërsa spiuni shkrihet me skena erotike. Në pritje të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare, në lajmet italiane shohin kaosin e Shqipërisë. Protesta, njerëz që kacavirren në mure ambasadash, të bërtitura, të qara... Gjenden të braktisur. Asnjë nuk përgjigjet. U duhet të lënë dollarët dhe florinjtë për të paguar hotelin, e të nisen me biçikleta përmes Jugosllavisë për të mbërritur në Shqipëri. Diku net pa ngrënë, diku bujtës në shtëpi jugosllave, policë që u mohojnë kalimin në kufi, një garë e rremë për të kaluar pa u vënë re në qytete jugosllave e më në fund të kufirin shqiptar. S‘ka frymë njeriu. Një mur përtej traut shkruan "Poshtë komunizmi"... Për secilin nga protagonistët e filmit, këto janë ngjarje pak a shumë të përjetuara në vitet ‘90. Secili prej tyre e gjen veten në ndonjë episod. Vet ideja e këtij filmi lindi nga një bisedë miqsh dhe tregime ngjarjesh personale të asaj kohe. "Unë vet kam qenë në Francë atë kohë ku m‘u lutën të qëndroja e nuk rrija dot, të tjerë po ashtu kanë episode të ngjashme. Ky film është një sintezë përjetimesh", ka thënë Xhuvani. Ndërsa aktori Ndriçim Xhepa ka përjetuar realisht një histori të ngjashme. "Në vitin 1991, bashkë me një grup xhirimi kemi qenë në Romë, dy ditë para se të ndodhnin trazirat dhe të niseshin anijet. Pasi kishim xhiruar dhe na duhej të ktheheshim, gjithçka ishte bllokuar. Grupi i xhirimit me autobus ka përshkruar të njëjtin itinerar si edhe çiklistët për t‘u kthyer në Shqipëri. Nuk kishte shumë ndryshim në ishe intelektual, artist, punëtor apo sportist", thotë Xhepa, për të cilin peripecitë e shqiptarëve për të lëvizur të lirë përtej kufijve të tij nuk ka ndryshuar shumë në ditët e sotme dhe nuk dihet se kur do ndodhë. "Lindje-Perëndim-Lindje" si realizim është në vazhdën e filmave të mëparshëm të regjisorit Xhuvani. Ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën në lidhje logjike, pa kthesa të forta dramatike, me karaktere, dramaciteti i të cilëve fshihet pas një gjuhe plot humor e sarkazëm. "Çdo regjisor krijon stilin e tij që është gjithmonë derivat i zhanrit. Unë jam i afeksionuar mbas komedisë dramatike dhe nga kjo frymëzohet edhe marrëdhënia e së vërtetës dhe jetës. Ky gërshetim më vjen në mënyrë shumë burimore dhe organike. Nuk kam ndonjë strategji të caktuar", thotë Xhuvani. Ndërsa aktorët i sheh të çlirët në realizimin e karaktereve të tyre. Të pranishëm në konferencën për shtyp ata kanë vlerësuar bashkëpunimin dhe frymën e ekipit në realizim. Për regjisorin, Ndriçim Xhepa ishte jo vetëm trajner në film, por edhe në sheshin e xhirimit. Rrugëtimi i mëtejshëm i filmit, përfshin së pari shfaqjen prej nesër për publikun e kryeqytetit, e në vazhdim me siguri pjesëmarrjen në festivale. Për këto, Xhuvani shprehet se janë punë të distribucionit, por me siguri që do të ketë një prezantim në disa vende. Angazhimet e radhës për të? Thotë se ka shumë tema aktuale për t‘u hedhur në shirit. Në fund të muajit nis xhirimi i një tjetër filmi, një problem aktual ku personazh është sërish njeriu.