E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, Gjinushi: Katër shtyllat e propozimit tonë

Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi thotë se Shqipëria është e lodhur nga reformat zgjedhore, pasi sipas tij, i pari vjen vullneti politik. “Kodi gjithmonë thes me miell është dhe sa herë t’i biesh, aq herë nxjerr, pra ka nevojë gjithnjë për rregullime konform rekomandimeve të OSBE/ODIHR”

Intervistoi: Fejzi Braushi

Zoti Gjinushi, Komisioni Europian publikoi pak ditë më parë Progres-raportin për periudhën 2010-2011, ku Shqipëria ka humbur sërish shansin për të marrë statusin e vendit kandidat, ndërkohë që konfliktet politike jepen si shkak për të. Si e gjykoni këtë raport?

Ky është dështimi më i turpshëm dhe më i pashembullt i qeverisë, sepse është qeveria që merr misionin për të drejtuar vendin dhe detyrimin për të integruar vendin. Është më se e njohur që në fushatën e 2005-ës, gjithë angazhimi dhe debati bëhej se cili krah integronte më shpejt Shqipërinë. Pra, integrimi europian është baza e qeverisë. Tani që dështoi për të dytën herë radhazi, qeveria thotë se ka dështuar Shqipëria, përveç meje. Pra ky është debati më absurd dhe më qesharak dhe tregon nga ana tjetër një mentalitet politik anadollak për ta kërkuar fajin tek të tjerët, kur dështon vetë. Edhe po të zbresim konkretisht tek situata politike, dihet se dështimi ka disa shtylla dhe të gjitha janë mosplotësime dhe mosrealizim angazhimesh nga ana e qeverisë. Këtu përfshihet korrupsioni, pavarësia e gjyqësorit, administrata civile, pronat, zgjedhjet. Pra të gjitha fusha që janë në dorë të qeverisë, përfshi këtu edhe zgjedhjet, pasi është ajo që i organizon. Qartazi del që shkaktar i këtij dështimi është vetëm kjo qeveri dhe ne jemi pak të befasuar që edhe një pjesë e opozitës nuk e thotë këtë të vërtetë të madhe, por rri e kompleksuar para këtij dështimi të madh. Qeveria është zgjedhur për të integruar vendin dhe pas këtij dështimi spektakolar i hap rrugën një qeverisjeje tjetër.

Drejtuesit e lartë të BE-së por edhe vetë raporti theksojnë se shkak kryesor është ngërçi politik dhe bllokimi. Sa përgjegjësi ka opozita?

Prandaj i numërova me radhë se cilat ishin problemet, ku del qartë se i gjithë problemi është qeverisja. Madje edhe ngërçi. Ngërçi politik nuk është thjesht bllokimi i 3/5-ave, por do të thotë një politikë në qorrsokak dhe kjo sepse kjo qeveri nuk bashkëpunon me kërkënd. Qeveria nuk respekton Kushtetutën e vendit dhe këtu nuk e di se çfarë roli ka opozita dhe cila është përgjegjësia e opozitës. Kjo qeveri vret opozitën në protestë paqësore dhe përsëri paska përgjegjësi opozita; s’e kuptoj se ku gjendet ajo. Vidhen zgjedhjet në Tiranë dhe sërish unë s’e kuptoj se ku është përgjegjësia e opozitës. Po ashtu për pronat e kështu me radhë. Atëherë, si mund t’i thuash një opozite që ti ke një problem që nuk bashkëpunon me këtë qeveri. Për çfarë të bashkëpunojë, për të vjedhur pronat bashkë, për të vjedhur votat bashkë, njëri mund t’i vjedhë votat. Apo të bashkëpunojë për të mbuluar krimin e 21 janarit. Le të marrim dhe ngërçin, meqë e përmendin shumë. Ngërçi nuk është thjesht ajo që u nis, fillimisht ngërçi ishte bojkot, mos-hapje e kutive të votimit me bojkotin. Në lidhje më këtë opozita lëshoi gjithçka, pra pranoi që të kalojë nga rinumërimi i votave në hetim të zgjedhjeve, pranoi të mos ndryshojë rezultatin, pranoi që të mos hetoheshin as fletët, por vetëm materialet. Pushteti, çfarë pranoi? Asgjë. Përkundrazi, kaloi në djegie të kutive të votimit dhe fletëve të votimit. Opozita pranoi edhe që të kthehej në Kuvend, ndërsa mazhoranca asgjë. Ngërçi kaloi më pas edhe në vrasje, ndaj si mund të bashkëpunohet më tej me të....Pavarësisht kësaj, opozita hyri dhe në zgjedhje, të cilat qeveria i vodhi prapë, siç ndodhi në Tiranë. Ndaj opozita ka vetëm një gabim pasi ka toleruar më shumë se ç’duhet, ajo ka toleruar të gjitha të drejtat e saj themelore. Në raport duhej thënë më qartë dhe më fort, nëse ka një vërejtje, unë kam për këtë pjesë se edhe ngërçi, bojkoti, bllokimi nuk mund të thuhet me një fjali se ka kapur Parlamentin dhe gjithë institucionet. Këtu situata është skandaloze, sepse nuk ka më bojkot të Parlamentit, sepse ai është ndalur, pra u ka ngel disave sahati tutje, por ka një mosfunksionim të Kuvendit. Gjithashtu kemi dhe një bojkot total të Kryeministrit ndaj kreut të SHISH-it, ndaj Presidentit, si dhe ndaj kryeprokurores. Ky është alarmi i vërtetë dhe kjo tregon se kush është shkaktari i bllokimit, ndërsa opozita nuk bllokon gjëkundi. Këtu në Shqipëri e kanë shpikur këtë, që opozita të bllokon. Opozita këtë punë ka, është roja e qeverisë dhe alternative që thotë se po dështove ti, atëherë hap rrugën se qeveris unë.

Në raport flitet edhe për nevojën e reformës zgjedhore…..

Shqipëria është lodhur në të kryerin e reformave zgjedhore. Kjo sepse reforma zgjedhore fillon nga reformimi i vullnetit politik për të bërë zgjedhje të lira apo për të vjedhur. Pra, shkak i deformimeve elektorale nuk është as Kodi, as sistemi, është vetëm nevoja e disave për të vjedhur me çdo kusht votën. Dhe zgjedhjet e fundit vërtetuan atë që opozita ka thënë prej kohësh, që vidhet pushteti për të vjedhur votën dhe pastaj vidhet vota për të marrë pushtetit. Madje tani është shtuar edhe ajo që për të mbrojtur këtë pushtet, jo vetëm vidhet vota, por vriten dhe njerëzit. Pra ndalen dhe protestat me dhunë të armatosur vetëm për të mbrojtur këtë klan. Kjo do të thotë që reforma zgjedhore s’mund të shihet thjesht si amendime në Kod dhe ndryshim sistemi. Amendime në Kod dhe ndryshim sistemi bën një vend që është në lustrimin e reformës, pra kur gjerat kanë ecur mirë por ka nevojë ende për disa përmirësime dhe jo kur zgjedhjet shoqërohen me deformim të karakterit deri me vjedhje me kuti të shqyera apo me vota të hedhura nga një qendër në një qendër tjetër votimi.

Masat që propozoni, cilat janë?

Garancitë infrastrukturore, në automatizim të votimit në shkallën e duhur, të numërimit, të identifikimit, në mënyrë që të bjerë sa më shumë subjektivizmi në organizimin e procesit. Pastaj shtylla e tretë janë ndryshimet në Kod, se Kodi gjithmonë thes me miell është dhe sa herë t’i biesh, aq herë nxjerr, pra ka nevojë gjithnjë për rregullime konform rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Pika e katërt është sistemi dhe kjo mbetet një pikë e nxehtë, meqenëse edhe sistemi spanjoll u implementua në mënyrë të njëanshme, jo i përshtatur siç duhet, madje keq në kushtet e Shqipërisë. Por këto dy të fundit nuk kanë asnjë vlerë pa të parën.

Për sa i përket KQZ-së, çfarë kërkon opozita dhe çfarë do paraqisni si propozim në tryezën e së martës së ardhshme?

Zgjedhje të lira dhe të ndershme, të organizuara nga Sali Berisha nuk ka, janë të papajtueshme. Zgjedhje të lira me Sali, Ristan e me Sashenkë e me radhë, nuk ka. Ti bëji çfarë të duash ligjit, absolutisht do të ndodhesh në të njëjtën situatë. Madje situata ka ardhur duke u përkeqësuar dhe kjo për shkak sesa më shumë bie mbështetja e qeverisë, aq më shumë vota të vjedhura duhen.

Si mund të zgjidhet?

Prandaj kjo do zgjidhje politike. Po që për PSD-në kuptohet që s’ka zgjedhje me këtë qeveri, pra minimalja, garancia që jepet është organizimi i zgjedhjeve që fillon një vit para të jenë me paritet të plotë. Pra e marrin në dorë institucione që s’i takojnë asnjë pale ose të balancuara plotësisht nga të dyja palët.

Disa nga partitë e vogla kanë kërkuar ndryshim sistemi. Ju personalisht për cilin variant jeni?

Për sa i takon vetë sistemit, dua të them se nuk është sistemi ai që përcakton ndershmërinë e zgjedhjeve apo standardin e tyre. Por sistemi patjetër që ka një rol shumë të rëndësishëm në taktikat politike, ose influencon në rezultat nisur nga gjeografia politike së cilës i përshtatet. Prandaj në këtë aspekt, sistemi ynë patjetër ka nevojë për përmirësim, sepse u mor sistemi spanjoll bruto. Ai përdoret në shumë vende dhe në dy vende nuk është njësoj. Ndaj korrigjime mund të bëhen pa ndryshuar familjen, madje pa ndërhyrë në Kushtetutë, sepse Kushtetuta pohon se modeli ynë është proporcional në nivel zonash zgjedhore. Duhet ndërhyrë për të kufizuar devijimin e votës, sepse çdo sistem ka devijim vote, pasi jo çdo mandat merret me një numër të barabartë votash. Por sa më mirë t’i përkthejë sistemi votat në mandate, aq më i ndershëm dhe i pranueshëm është. Proporcionali i pastër tregon se është i pastër edhe nga ana morale dhe më pa hile. Ne këtë e kemi sugjeruar që nga viti 2008. Ndaj do ishte më mirë që sistemi aktual të ketë një korrektim kombëtar.

Në vitin 2009 keni bërë një përllogaritje shumë të saktë për mandatet që do merrte secili kamp. Tani në situatën aktuale dhe me këtë sistem, si ju dalin llogaritë?

Kemi arritur në fazën ku llogaria e parë nuk bëhet si do dalin zgjedhjet, por si do shkojnë vjedhjet. Jemi në fazën e kushteve të një pabarazie të plotë. Zgjedhjet këtë radhë dhe kjo shihet në proporcional që faktori i blerjes së votës është shumë dominant. Në këtë situatë primare nuk del parashikimi i rezultatit formal real. Ndërsa po të jetë për parashikim, e majta fiton në çdo kohë. Por patjetër e majta duhet të bëjë disa refleksione të vetat, se ka dhe ajo ca kusure të vetat.

Që janë...?

Që bën taktika të gabuara zgjedhore dhe që ca janë bërë nga mania për të kontrolluar e vetme pushtetin dhe ca me hile, për të faktorizuar me çdo kusht LSI-në. Pra ka një pjesë që bën këtë lojë të dyfishtë. Ndaj PS-ja duhet të jetë shumë e qartë se fitorja arrihet së bashku dhe bashkimi duhet të jetë real dhe i sinqertë. Prandaj, taktika bazë e fitores është si ky bashkim i së majtës dhe më gjerë merr mbi 75 deputetë dhe jo si të rrijë PS-ja 72 patjetër, qoftë edhe në kurriz të tjerëve.

Ka zëra nga PS-ja, që e shohin korrigjimin e sistemit proporcional në proporcional kombëtar si jo të duhur, pasi në këtë mënyrë do të favorizohej LSI….

Kush mendon se me sisteme ul apo ngre peshën e një tjetri, padyshim që gabon. Opozita fiton me sisteme që sa më të pastër të jenë, aq më e sigurt është fitorja. Opozitës nuk i mbetet në dorë që me manovrat deformuese të sistemit të jetë ajo përfituesja. Prandaj kjo është një aventurë dhe nuk është e vërtetë që PS-ja ka pasur në fillim si qëllim shtypjen e LSI-së. PS-ja e ka pasur si djalin e keq të familjes LSI-në, por prapë e ka parë si djalë, ndërsa me nipçet është sjellë shumë keq. PS-ja në 2009 sistemin spanjoll nuk e zgjodhi për të eliminuar LSI-në dhe as për ta ngushtuar atë, kjo pasi LSI-ja e shihte veten shumë të rëndësishme me këtë sistem. Ajo u revoltua për komisionet se kishte hallin e votës në komisione dhe jo LSI-në. Ndaj këto janë përralla dhe dëngla dhe nuk janë argumente që korrektimi rrit atë apo këtë.

Që e majta të fitojë zgjedhjet në 2013-ën, gjithmonë duke u nisur nga votat që ka marrë secila forcë në zgjedhjet e fundit, a e shihni të nevojshme përfshirjen edhe të LSI-së në koalicionin e majtë?

Ju thoni, a mund të bëhet Saliu i majtë...Nuk mund të quash faktor të fitores së zgjedhjeve atë që është faktor i humbjes së zgjedhjeve. Nëse duhet LSI-ja për të mundur Saliun, atë e bëjmë që sot, sepse po të dojë LSI-ja kalon majtas dhe Saliu bie që sot. Në Shqipëri ka vdekur morali politik. Ndaj nëse e majta ribashkohet me LSI-në, që është bërë emblema e korrupsionit, do të thotë që edhe ajo të lëpijë gjithë çfarë ka thënë dhe të hedhë poshtë gjithë atë investim.

Në kampin opozitar janë vënë re ditët e fundit disa divergjenca, pasi kreu i PDS-së ka shfaqur pakënaqësi…

Pakënaqësira ka gjithmonë.

Zoti Gjinushi, keni qenë një nga ministrat që doli më në pah në momentin e ndryshimeve demokratike, ku për shkak të situatës keni bashkëpunuar ngushtë me Ramiz Alinë, i cili pak ditë më parë u nda nga jeta. Si do ta vlerësonit figurën e tij?

Ajo nuk quhet periudha më e vështirë, mund ta quajmë periudha më e mirë e periudhës komuniste, pasi është periudha e lëshimit ose e ndryshimit. Periudhë të cilën edhe e kemi ndjerë, pasi kemi qenë dhe protagonistë në njëfarë mënyre në aq rol dhe mision që kishim. Natyrisht, ndryshimet fillojnë nga ndryshimi në mentalitet, në kuptimin që duhet bërë ndryshimi, pastaj në rritje të zërave apo të pjesës që është për ndryshimin. Ndaj kam kënaqësinë të them se arsimi ishte një nga pararendësit, pasi ishte për herë të parë që ndërmerrej një reformë për modernizim shkolle. Dihet që fjala moderne ishte fjalë e huaj në atë kohë, sepse shkolla deri në atë kohë revolucionalizohej, ndërsa ne ndërmorën çrevolucionalizimin e saj dhe kalimin në modernizim dhe kundër të mësuarit mekanik. Çka do të thotë ishte dhe kundër ideologjizimit. Ndaj dua të them se kjo ishte një periudhë ndryshimesh dhe debati bëhet nëse Shqipëria ndryshoi me shpejtësinë që duhej apo u bë më me avash. Duke u nisur nga prapambetja që trashëgonte, sepse deri atëher nuk kishte asnjë lëvizje por përkundrazi kishte radikalizim deri tek lopa e veçuar apo tek heqja e oborrit të fshatarit, pra Shqipëria kishte ecur vetëm mbrapsht. Them se kjo periudhë nuk ka qënë shumë e gjatë edhe në krahasim me vendet e tjera të lindjes, sepse në fund të fundit edhe ato që ishin shumë më të emancipuara dhe me një presion më të madh të perëndimit, ndryshuan deri në dy vjet para. Në këtë aspekt shihet dhe figura e Ramiz Alisë. Po të shohësh për pjesën e komunizmit para tranzicionit është patjetër ajo pjesë që dihet dhe tashmë janë thënë se kush ishin ato bëmat, gjëmat të këtij sistemi diktorial, ku lufta e klasave, izolimi dhe ekonomia shtetërore 100 për qind, ishin tre faktorët kryesorë më të gabuar dhe më me pasoja. E para kishte dënimet deri eliminimet fizike të individit, kurse të tjerat kishte të bënte me mirëqenien. Pra në këtë aspekt, Ramiz Alia ishte pjesë e atij sistemi, dua të them pjesë aktive sepse pjesë ishin të gjithë, qoftë ata që duartrokisnin dhe ata që i vinin për të duartrokitur. Por Ramizi ishte pjesë aktive, sepse ishte në kupolë. Megjithatë, figurat qendrore ose ata që dalin në krye të shtetit, gjithmonë vlerësohen për pjesën kur janë në krye. Për shembull, zoti Topi do vlerësohet për kohën e presidencës. Por figura politike sidomos e krerëve të shtetit shihet për këtë periudhë. Patjetër për këtë periudhë për sa i përket Ramizit ka një pluralizëm vlerësimi dhe ku në esencë të gjithë pranojnë një gjë që ulja u bë e butë. Pra nuk pati në çdo rast, pavarësisht nëse duhet të bëhej më parë, mjete të dhunshme, pasi mjetet ishin më paqësore. Edhe një lëvizje studentore, pa marrë edhe ajo dimensionet e një lëvizje mbarëpopullore, shërbeu si shkak apo si presion që të pranohej pluripartitizmi. Megjithatë duhet thënë se kishte një frymë që sa vinte dhe forcohej për pluripartitizmin. Pra ndihej era dhe ishte dhe ndryshimi dhe rrethanat.

Ekziston dhe një debat për një urdhër, që Alia ka dhënë për të qëlluar mbi protestuesit dhe studentët në momentin e protestave. Ju keni qenë vetë ministër Arsimi në atë kohë, sa të vërtetë ka në këtë debat?

Kur e sheh nga dita e sotme, ne ishim pjesa që duhet të vlerësonim që ndryshimet duheshin bërë edhe më shpejt, ashtu siç kemi pasur momente kur jemi zhgënjyer me takimin e intelektualëve dhe një fjalim i mëvonshëm, nuk bashkoheshim aq shumë me ata që thoshin që ky është Gorbaçov e ku di unë, sepse thoshin që kjo ishte një lëvizje e detyruar. Dakord, por e bëri butë, megjithëse duhet të vepronte më shpejt. Tani sigurisht nga largësia e viteve dhe kur shohim se si nuk e lëshojnë pushtetin në demokraci, atëherë shikojmë se duhet vlerësuar ky gjest, sepse mësojmë se nuk qenka e lehtë të lësh pushtetin. Shohim që ka aventurierë, që kur shohin se s’kanë më ç’të bëjnë përdorin armët, siç ishte rasti i ‘97. Këtë e pamë dhe në protestën e 21 Janarit, ku u vranë katër persona. Ndaj këtu dalin ca vlera të asaj periudhe të qeverisjes. Pavarësisht kësaj, ne atëherë bëmë presion dhe kërkuam që të kalohej në dorëheqje për të kaluar në pluripartitizëm. Në këtë aspekt, shoh që ka një opinion të tërë që bënë këtë dallim shumë të madh për atë periudhë.

Nuk ju përgjigje pyetjes….

Urdhër për përdorim armësh nuk ka pasur, presione patjetër. Megjithatë, tipa Saliu ka pasur edhe atëherë dhe ne kemi bërë humor, sepse ka qëlluar që në momente kur kemi qenë një herë në komitet të partisë ku hynin e dilnin shumë njerëz, pra bëhej fjalë për 8 apo 9 dhjetorin dhe ku thuhej se pala tjetër është bërë gati të marrë dhe armë. Ne na është dukur diçka qesharake, por urdhër për të shtënë me armë nuk ka pasur. Kurse studentëve me të cilët jam takuar vetë disa herë në atë ditë dhe atë fjali që u kam thënë atëherë e them dhe tani. Disa bërtisnin se diktatura na rrahu me shkop, u kam thënë: çuna, shkopi dhe guri janë mjete demokratike. Kur hyn plumbi është diktaturë. Ua kemi bërë të ditur studentëve edhe kur dolëm nga takimi me Ramizin se sistemi që vjen shkopin dhe gurin e ka në dorë çdo ditë.

Pavarësisht këtyre që thatë, duket se e shkuara që përfaqësonte Alia, vuri në pozitë të vështirë socialistët në ditën e varrimit të tij. Kemi të bëjmë me një kompleks për shkak të prejardhjes së kësaj force?

Kompleksin nuk e shoh vetëm tek PS, por edhe tek PD. PD që kur u krijua, i pari që ka përshëndetur Ramiz Alinë dhe e ka quajtur drejtues të proceseve demokratike është Sali Berisha. Këtë e ka bërë publikisht para studentëve. Ashtu si drejtoj divizionet partizane po drejton dhe procesin e demokratizimit të vendit. Berisha është i vetmi që ka njohur misionin e Ramizit si drejtues. Nëse ne të tjerët mendonim nëse roli i tij qe aktiv apo tolerues, këtë nuk e ndanim dot, pra nuk dallonim dot sa ishte pjesë e tolerancës, pra ajo e pranimit të ndryshimit të pushtetit pa kaluar te konflikti dhe pa përdorur mjetet e dhunës. Berisha është i pari dhe i vetmi që ka njohur rolin drejtues. Megjithatë dua të them se prezenca në një homazh nuk do të thotë se je dakord me pikëpamjet e tij apo jo. Në shoqëritë demokratike ka njerëz të lirë ose njerëz të dënuar. Njeriu i lirë ka një biografi, ka një status dhe ai kishte statusin e ish-presidentit që ja dha shoqëria e parë pluraliste. Duke pasur parasysh të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij si politikanë, ato ndarje që dihen, dhe prizmin si e sheh njëri apo tjetri. Të kesh frikë, apo të jesh i kompleksuar apo nga një nderim në aspektin njerëzor absolutisht vjen nga ajo që shoqëria jonë nuk është e emancipuar ende. Pjesëmarrja në një proces të tillë nuk do të thotë që u bëre me të, as që u pajtove, as nga vlerësimi që ka qenë diktator apo që ka mëkate.

Ju vetë morët pjesë në homazhet e Alias?

Jo, për arsye objektive nuk kam qenë, por isha për ngushëllim në shtëpi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›