E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Solar në vend të naftës

 

Nuk është pritur mirë nga ana e peshkatarëve të Durrësit, nisma e furnizimit me solar pa akcizë për bujqësinë. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit do të financojë të gjitha nismat e operatorëve të agro-industrisë, të cilët do të zëvendësojnë teknologjinë e përdorimit të solarit në vend të naftës. Dje, në Durrës, ministri Jemin Gjana ka deklaruar para fermerëve që kultivojnë perime në sera se qeveria ka ndërmarrë dy vite më parë heqjen e akcizës për solarin, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e kostos në procesin e zëvendësimit të lëndës së parë. Rritja e çmimit të naftës ka shtyrë këtë ministri të gjejë rrugë të tjera për të ulur koston e shpenzimeve dhe për të shtuar prodhimin, duke afruar si mënyrë efektive zëvendësimin e të gjithë teknologjisë që përdor naftën, në sera të ndërtuara me investimet vetjake apo me donacione të huaja e me ndihma nga qeveria shqiptare. Sipas Gjanës, shteti është detyruar të subvencionojë deri në 12 mijë euro për ha, shumë kjo që është përdorur për të subvencionuar naftën. Ndërsa çmimi i naftës ka shkuar në rritje ministria, pasi ka mundur të heqë akcizën për solar, ka afruar edhe mbështetje financiare për të ndryshuar teknologjinë. Bëhet fjalë për 10 milionë dollarë, shumë që përbën skemën fillestare të mbështetjes për operatorët që do të zëvendësojnë teknologjinë për ta përshtatur për solar. Durrësi, si rreth, ka afro 15 HA me sera, ndërsa rreth 250 fermerët e qarkut kanë mbjellë me kulturë perimoreje afro 50 ha.

Peshkatarët kanë mbi 2 vite që luftojnë për të fituar naftën pa akcizë të premtuar zyrtarisht dhe të mohuar me pas, gjë që po e shpie sektorin e peshkimit në gjendje falimenti. Ata janë hedhur disa herë në greva dhe marrja vesh e kësaj nisme bëri që disa të ironizojnë se mos ky premtim i Gjanës, do të jetë i barasvlershëm me premtimet qeveritare të naftës pa akcizë për peshkimin, sektor jetik ky për zhvillimin e turizmit, pasi siç dihet, gjatë verës, pushuesit në Durrës kërkojnë të konsumojnë peshkun tradicionalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›