E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmerret ndaj gardianit, i përdhunon të birin 13-vjeç

 

TIRANË- Një i sapo i liruar nga qelitë e burgut të “Shën Kollit” në Lezhë ka vendosur të hakmerret ndaj gardianit që i ka “nxirë jetën” duke kryer një krim edhe më makabër. Ai ka marrë me forcë dhe mashtrim djalin e gardianit, dhe pasi e ka shpënë në malin e Shëngjinit, e ka përdhunuar atë. Menjëherë fëmijë 13- vjeçar ka rendur në shtëpi ku ka treguar gjithçka. Nuk ka vonuar shumë dhe babai i fëmijës, gardiani i burgut, ka njohur ish- të dënuarin dhe ka dhënë emrin e tij për policinë e Lezhës. Ngjarja ka ndodhur me datë 28 prill dhe i kërkuari Aleksandër Dardha është arrestuar mesnatën ndërmjet të enjtes dhe të premtes në kryeqytet. I arrestuari ishte i dënuar për vjedhje dhe njihej si njeri me probleme pasi të dy prindërit e tij janë vrarë për gjakmarrje në Shkodër.

Burimet zyrtare të policisë pohuan se 23- vjeçari Aleksandër Dardha ishte arrestuar dhe dënuar kohë më parë për disa vjedhje. Ai kishte vuajtur dënimin e tij në burgun e Shën Kollit në rrethin e Lezhës ku kishte pasur disa konfrontime me një prej gardianëve. Ai e kishte kërcënuar disa herë gardianin se do të “hakmerrej” për atë që po i bëhej por askush nuk i ka marrë seriozisht këto kërcënime. Por pak ditë më parë 23- vjeçari ka dalë nga burgu dhe ka thurur planin e hakmarrjes. Ai dinte se polici ishte nga Shëngjini dhe është nisur menjëherë atje që ta gjente. Brenda pak ditësh Aleksandër Dardha kishte arritur që të mësonte shtëpinë e gardianit si dhe kush ishte fëmija e tij. Pasditen e 28 prillit ai ka arritur që të takohet me djalin 13-vjeçar dhe fillimisht e ka mashtruar duke e marrë me vete në drejtim të malit të Shëngjinit. Më pas, kur ka arritur në një zonë të pabanuar, ai e ka marrë djalin e mitur me forcë dhe e ka hipur në mal. Në këtë moment 23- vjeçari ka nisur që të zhveshë djalin 13- vjeç dhe e ka përdhunuar atë. Pasi e ka lënë sërish të lirë djali ka rendur në shtëpi duke i treguar të gjithë historinë prindërve të tij. Ata janë alarmuar dhe kanë shkuar menjëherë në policinë e Lezhës ku kanë bërë denoncimin përkatës.

Nga dëshmia e djalit, babai i tij ka arritur më datë 29 prill që të identifikojë përdhunuesin e të birit, i cili ishte 23- vjeçari Aleksandër Dardha. Verifikimet e policisë së Lezhës kanë zbuluar se përdhunuesi ishte larguar në drejtim të Tiranës dhe menjëherë është kërkuar ndihma e policisë lokale. Kërkimet për 23-vjeçarin kanë zgjatur vetëm dy ditë dhe ai është arrestuar mesnatën ndërmjet të enjtes dhe të premtes në kryeqytet. “Policia e Lezhës ka kryer arrestimin e 23-vjeçarit Aleksandër Dardha pasi ai akuzohet për veprën penale të kryerjes së marrëdhënies homoseksuale me të mitur me dhunë. Më datë 28 prill ai ka mashtruar të miturin 13- vjeç duke e marrë me vete në malin e Shëngjnit dhe me forcë ka kryer veprimin me të”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Lezhës. Aleksandër Dardha ka qenë edhe tre herë më parë i dënuar për vjedhje të ndryshme dhe nga policia njihet si një person me probleme të shumta. Dy prindërit e tij janë vrarë vite më parë si pasojë e gjakmarrjes dhe kjo ka bërë që Dardha të pësojë një traumë të rëndë. Që në atë kohë ai ka hyrë e ka dalë shpesh nga qelitë e burgjeve e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›