Misioni i FMN mbaron këtë vit
Shqipëria pritet të mbarojë marrëveshjen e fundit mbikëqyrëse me Fondin Monetar Ndërkombëtar
Ministri i Financave, z.Ridvan Bode njoftoi dje se ka filluar negociatat për rishikimin e marrëveshjes ekzistuese me FMN-në, ndërkohë që bëri të ditur se, “kjo është marrëveshja e fundit” dhe se “Shqipëria do të marrë statusin e një ekonomie në zhvillim”.
Këto janë terma teknikë për të njoftuar se Shqipëria nuk ka ndër mend të nënshkruajë një marrëveshje të re mbikëqyrjeje me FMN-në, pas përfundimit të kësaj aktuale. Marrëveshja ekzistuese, një shtojcë e programit për uljen e varfërisë, u nënshkrua në vitin 2005. Edhe në atë kohë, pati rezistencë nga pala shqiptare për të hedhur prapa krahëve periudhën e mbikëqyrjes së vazhdueshme të FMN-së mbi financat publike dhe politikat ekonomike të qeverisë, por gjithsesi, Kryeministri dhe ministri i Financave e pranuan vijimin e mbikëqyrjes deri në vitin 2008. Në 14 maj, qeveria shqiptare po përgatitet të zhvillojë një forum për të diskutuar për periudhën post-FMN.
Një trevjeçar për t’u harruar
Marrëveshja aktuale me FMN-në u nënshkrua me këmbënguljen e fondit, por duket se nuk dha ndonjë gjë pozitive, kryesisht për shkak se në ndryshim nga vitet e shkuara pati humbur mekanizmi i presionit. Deri në vitin 2004, marrëveshja me institucionet financiare ndërkombëtare qe reforma në këmbim të kredive me interes të ulët. Nëse qeveria nuk bindej për reformat, pas këtij viti, Shqipëria doli nga lista e vendeve që mund të përfitojë kredi të buta, e për pasojë, FMN nuk mundi të kundërshtonte reformat e qeverisë. Në dhjetor të vitit 2005, fondi kërkoi nga qeveria vendosjen e TVSH-së për ndërtimin, por qeveria e refuzoi kërkesën. FMN kritikoi fillimisht edhe taksën e sheshtë, por këshillat e saj ranë në vesh të shurdhët, ndërsa burokratët e fondit nuk kishin asgjë në dorë për të bërë.
Qeveria ka premtuar se do të vijojë të përpiqet të mbajë inflacion të ulët dhe deficit buxhetor në nivelin 4%, duke filluar nga viti 2009. Këtë vit, Tirana e rriti deficitin në 8% ndërsa FMN nuk bëri rezistencë.