SHBA: ARMO, duam privatizim të hapur dhe transparent
Ambasada Amerikane në Tiranë i bëri thirrje dje qeverisë shqiptare që të ndjekë një procedurë transparente dhe të hapur për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, “ARMO”. Apeli i djeshëm u bë vetëm 18 ditë para mbylljes së kohës së pranimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për këtë privatizim strategjik të qeverisë shqiptare. “Ne po e ndjekim privatizimin (e ARMO-s) nga afër dhe presim që qeveria e Shqipërisë ta kryejë atë në mënyrë transparente dhe të hapur, duke siguruar një fushë të njëtrajtshme loje për të gjitha palët e interesuara”,- u shpreh zyra e shtypit e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, e pyetur nga gazeta “Shekulli” për qëndrimin që SHBA-të do të mbajnë për këtë privatizim kaq strategjik në Shqipëri.
Reagimi i SHBA-ve bëhet në një kohë kur në Shqipëri janë shtuar spekulimet për një paracaktim të fituesit të garës, e cila mendohet se është një kompani rajonale, por që ka mbështetje të fuqishme monetare nga kompanitë e fuqishme ruse të naftës dhe të gazit. Blerja e kompanisë shtetërore shqiptare të naftës nga një kompani nën tutelën ruse, do ta fuste edhe Shqipërinë në hartën energjetike të rajonit, ku Moska ka rolin vendimtar. Kjo prognozë nuk është aspak e kapërdishme nga Uashingtoni zyrtar, i cili ka vërejtur me shqetësim zgjerimin e hartës së shteteve europiane të cilat kanë varësi të plotë nga nafta dhe gazi rus. “Diversifikimi i burimeve të energjisë për Europën, përbën një përparësi të lartë për qeverinë e SHBA-së”,- thuhej më poshtë në reagimin e zyrës së shtypit të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
ARMO
Privatizimi i “ARMO”-s ishte menduar të bëhej që në qeverisjen e ish-kryeministrit Nano. Në korrik 2003, qeveria e atëhershme hartoi edhe Ligjin Nr.9117. për “Përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të “ARMO” SH.A., Fier”. Qeveria “Berisha”, pak muaj më parë, me anë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ftoi palët e interesuara të ofrojnë oferta për blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë shtetërore shqiptare për rafinimin e naftës dhe shitjen me shumicë të produkteve të saj dhe tenderi realizohet sipas ligjit të hartuar në kohën e Nanos. Në 11 mars 2008, një kompani amerikane takoi në Tiranë kryeministri Berisha dhe shprehu interesin për privatizimin e “ARMO”-s. Kryeministri Berisha i siguroi investitorët e fuqishëm amerikanë se propozimi i tyre, sikundër edhe i kompanive të tjera, do të shqyrtohet me transparencë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjet shqiptare në fuqi. Por në fund të shkurtit 2008, në një rast tjetër të ngjashëm, amerikanët ishin përjashtuar nga pjesëmarrja në tenderin për prodhimin e kartave të identitetit dhe të pasaportave. Ambasada Amerikane u shpreh se ishte e zhgënjyer nga ndryshimi i procedurave në afatet e fundit kohore që çuan edhe në skualifikimin e kompanive amerikane, lidere në fushën e IT-së.