Gjashtë plumba 31-vjeçarit, dyshohet për hakmarrje
Paulin Marku ka qenë duke ngarë një motor sportiv mbrëmë ndërsa një automjet i është afruar nga pas dhe nga xhami i makinës kanë nisur të shtënat në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi dje në Tiranë, fare pranë vendit të quajtur kthesa e Kamzës, ngjitur me kangjellat e spitalit ‘Hygea’. Gjashtë plumba i kanë përshkruar trupin të riut, i cili ka ngelur i vdekur në vend. Burime policore thonë se dy plumbat e parë e kanë plagosur dhe 31-vjeçari ka humbur kontrollin e motorit, ndërsa vrasësit i kanë dhënë dhe plumbat e “sigurisë”, duke shkrehur pistoletën dhe katër herë të tjera mbi trupin e të riut, pa dalë nga makina. Vrasësit kanë ikur menjëherë në drejtim të Durrësit, duke lënë 31-vjeçarin e pajetë në mes të rrugës. Në vendngjarje kanë ardhur dhjetëra forca policie, ndërsa të dhënat paraprake të mbledhura mbi aktivitetin e viktimës dhe të afërmve të tij, kuotojnë si pistën më të mundshme të kësaj vrasjeje atë të gjakmarrjes, por nuk përjashtohen dhe të tjera motive. 31-vjeçari me origjinë nga Puka, Paulin Marku, mësohet se së fundi punonte në një kompani “call center” dhe sipas të dhënave të policisë nuk rezultonte me asnjë precedent penal. “Nga verifikimet që kemi bërë menjëherë nuk rezultoi i përmendur apo i përfshirë në asnjë lloj veprimtarie kriminale. Të tjera verifikime po kryhen për të parë se kush mund të kenë qenë personat e interesuar në ekzekutimin e të riut”, i thanë mbrëmë MAPO-s burime policore. I riu ka qenë duke udhëtuar me një motor sportiv 600 kubikësh, me targa italiane AM96985, në momentin kur vrasësi i ka ardhur nga pas në ecje dhe ka kryer ekzekutimin. Nga ana tjetër policia e Tiranës ka nisur që mbrëmë kalimin në sitë të pistës së hakmarrjes dhe disa postblloqe policie janë ngritur në aksin rrugor Tiranë-Durrës. Të dhënat paraprake të policisë flasin për një pistë të mundshme hakmarrjeje, e cila mendohet se mund të jetë trashëguar që nga e kaluara e familjes në Pukë, megjithatë këto janë informacione paraprake të cilat tashmë kanë kaluar në verifikim. Dëshmitarë të ngjarjes i thanë mbrëmë MAPO-s se automjeti i vrasësve, ndërsa ishte duke u larguar me shpejtësi, dukej si një Mercedes-Benz. “Ne nuk mundëm të shikonim momentin e ekzekutimit, por dolëm menjëherë nga lokali pas krismave të para. Dëgjuam përplasjen gjatë rrëzimit të motorit dhe kur dolëm pranë rrugës dytësore pamë makinës që po largohej. Te vendi ku ndodhi ishte pak errësirë dhe e kishim nja 50 metra larg, po automjeti dukej si Benz nga ajo që ne pamë”, thanë dëshmitarë të ngjarjes.