E Diel, 1 Nëntor 2026

Antidroga kap 500 gr kokainë, pranga dy shpërndarësve nga Shijaku

Tiranë- Skuadra antidrogë në policinë e kryeqytetit arrestoi mbrëmjen e djeshme dy persona si posedues të sasisë prej 500 gramë kokainë. Operacioni i realizuar pasditen e djeshme ka nisur në qytetin e Shijakut, nga ku është nisur ngarkesa e kokainës dhe përfundoi në qendër të kryeqytetit, kur malli iu dorëzua pritësit. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se në pranga kanë përfunduar Enver Keçi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Shijak; si dhe 29-vjeçari Erjon Shehu. Lënda narkotike është transportuar nga Shijaku nga shtetasi Enver Keçi, i cili me automjetin e tij ka udhëtuar drejt kryeqytetit. Agjentët e antidrogës kanë ndjekur gjithë itinerarin që ka përshkruar 33-vjeçari Keçi, i cili pasi është nisur nga Shijaku ka zgjedhur rrugën e Ndroqit për të ardhur në kryeqytet. Në një prej zonave të njohura të Tiranës Keçi është takuar me 29-vjeçarin Erjon Shehu, të cilit i ka dorëzuar lëndën narkotike. Menjëherë kanë ndërhyrë agjentët e antidrogës, të cilët kanë prangosur dy të dyshuarit, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë prej 500 gram kokainë. Policia në bashkëpunim me prokurorinë po heton për rrjetin e shpërndarjes së kokainës, pasi paraprakisht dyshohet se droga e sekuestruar kishte si destinacion kryeqytetin. Burimet thanë se sasia prej 500 gramë kokainë do të shpërndahej në lokalet dhe Pub-et e Tiranës. Dy të dyshuarit pritet të merren në pyetje për prejardhjen e lëndës narkotike si dhe personat e tjerë që dyshohet se mund të jenë përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së kokainës. Dy të arrestuarit akuzohen nga policia për mbajtje dhe shpërndarje të narkotikëve në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›