E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë vjet burg për kosovarin Selajdin K.

Është dënuar me gjashtë vjet burg kosovari Selajdin K., 33 vjeçar, për shkak të sulmit të armatosur që i ka bërë një menaxheri të bordelit dhe mikeshës së tij, në Salzburg të Austrisë. Sulmi ka ndodhur në vitin 2012 në banesën e menaxherit.

Përveç të akuzuarit kryesor, i akuzuar ka qenë edhe Samet G., 57 vjeç, si shofer dhe këshillëdhënës i të parit. Gjykimi i dy kosovarëve është zhvilluar në Gjykatën e Landit në Salzburg. Selajdin K. ka pranuar veprën, ndërsa vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm, pasi që prokurori nuk e ka thënë ende fjalën e tij.

Si raporton Albinfo, pas dëgjimit kryesor, në janar të këtij viti, i akuzuari kryesor, tashmë i dënuar, kishte deklaruar se 57 vjeçari në asnjë mënyrë “nuk ishte i përfshirë në sulm”. Ai po ashtu nuk është paraqitur fare në gjykim, të enjten, pasi që, sipas avokatit të tij, kishte pësuar një aksident dhe ndodhej në një spital në Çeki.

Ndërkaq, sipas hetimeve të bëra, në rastin e sulmit ndaj menaxherit të bordelit kishte qenë i pranishëm edhe një i tretë, kosovari Bekim G., 36 vjeç. Ai, sipas hetimeve, së bashku me Selajdinin e ka kërcënuar me armë menaxherin dhe mikeshën e tij, e ka goditur dhe ia ka marrë me dhunë 28 500 euro. Por, pasi që 36 vjeçi ka vetëm pak kohë që është liruar nga një burg zviceran, ndaj tij nuk është iniciuar akoma procedura.

Gjykata ka vendosur që Selajdin K., përveç gjashtë vjetëve burg, duhet t`ia paguajë të dëmtuarit shumën e grabitur të të hollave, si dhe nga 1 000 euro të dy të sulmuarve si zhdëmtim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›