Westerwelle: Tirana të zbutë fjalorin nacionalist

Shqipërisë, por edhe gjithë rajonit i vijnë apele për heqje dorë nga tezat nacionaliste. Gjatë vizitës në Tiranë, shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle iu bëri thirrje liderëve politikë të zbutin tonet e tilla, veçanërisht në kohë fushatash. Kryediplomati gjerman tërhoqi vëmendjen se ndjenjat nacionaliste duhen përmbajtur, pasi, për Shqipërinë, zgjedhjet e 23 qershorit janë testi më i rëndësishëm në rrugën drejt Brukselit.
“Emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes, sidomos në kohërat e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që një ditë të bukur, të gjitha shtet e rajonit të jenë pjesë e BE-së, ku të gjithë qytetarët të lëvizin lirshëm. Për ne, ndryshimet e kufijve nuk lejohen! Kufijtë në Evropë nuk hiqen, nuk ndryshohen, por thjesht humbasin rëndësinë e tyre në Evropë”, tha ai.
Si raporton Alsat-M, një tjetër diplomat i rëndësishëm i Washingtonit, i cili qëndroi në Tiranë një ditë më parë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, në një intervistë për Top Channel, ka deklaruar se retorika nacionaliste është e papranueshme për SHBA-në dhe faktorin ndërkombëtar. Ajo shpërqendron vendin nga përmbushja e reformave për të ecur përpara, tha diplomati amerikan.
Vizita e Reekerit ndodhi vetëm disa ditë pas memos konfidenciale që Washingtoni ia drejtoi Tiranës zyrtare. Memoja nxirrte në pah shqetësimin amerikan për retorikën nacionaliste dhe zhvendosjen e vëmendjes nga problemet kryesore të vendit. Përfaqësuesit ndërkombëtar në Tiranë njëzëri kërkojnë që vendi të përqendrohet tek zgjedhjet e lira e të ndershme, integrimi në BE, si dhe sigurimi i mundësive të përmirësuara ekonomike./Indeksonline/