E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Vlorës hetim agjencive për shitjen e biletave mbi kapacitetin e trageteve

Pas problemeve të krijuara një ditë më parë me bllokimin e qarkullimit për disa orë në zonën përreth portit, policia e Vlorës nisi një hetim ndaj agjencive që ofrojnë bileta udhëtimi për linjën detare Vlorë-Brindisi. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Hektor Shena, bëri të ditur sot se "ndaj disa agjencive që operojnë në këtë qytet, ka nisur një procedim hetimor me akuzën e "vjedhjes përmes mashtrimit", për shkak se dyshohet që ato të kenë shitur bileta mbi kapacitetin transportues të trageteve që përshkojnë linjën detare Vlorë-Brindisi”. Kjo, sipas tij, ka shkaktuar konfuzion në mjediset e portit dhe përreth tij, për shkak të numrit të madh të emigrantëve, të cilët nuk kanë arritur të imbarkohen. Ky fakt, i ka detyruar drejtuesit e policisë së rendit, asaj kufitare dhe autoritetet e tjera portuale, të kërkojnë shkaqet e krijimit të kësaj situate, e cila ishte e paparashikuar. Hetimi ndaj agjencive të shitjes së biletave, është i dyti që regjistrohet në harkun kohor të një viti. Në fundin e muajit gusht të 2008-ës, një veprim i tillë, me të njëjtën akuzë, u realizua ndaj agjencisë “Aleksandros”, që shënoi rastin e parë në këtë drejtim, në një periudhë disa vjeçare. Me synimin për të përballuar fluksin e lartë të ardhjes dhe kthimit të emigrantëve, përmes pikës kufitare të portit të Vlorës, drejtuesit e Policisë Kufitare dhe Migracionit, të Policisë së Rendit, në bashkëpunim me autoritetet e tjera portuale, morën një sërë masash të posaçme. Pjesë e këtyre masave, ishin edhe shtimi i sporteleve dhe personelit në shërbim të udhëtarëve, përshpejtimi i procedurave dhe forcimi i kontrollit, rakordimi i veprimeve dhe hartimi e zbatimi i një grafiku të detajuar të ankorimit dhe nisjes së trageteve, etj. Gjatë këtij viti në pikën kufitare të portit të Vlorës, kanë hyrë rreth 66 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe turistë dhe emigrantë, që jetojnë e punojnë në Itali e vende të tjera, që përbën një shifër rreth 10 për qind më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar rreth 21 mijë persona, që kanë hyrë në pikën kufitare të këtij porti, pasi kanë udhëtuar me tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›