E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Boriçi: Teatri shqiptar ka nevojë për politikën e teksteve të mëdha

Aktori vlerëson se teatri në vendin tonë ka problem vlerat dhe jo moshën

Një aktor këmbëngulës, por dhe i talentuar i cili është vlerësuar për atë që ai ka sjellë në skenën teatrore. Dritan Boriçi nuk është nga ata që zgjedh mes teatrit dhe filmit, pasi për atë i rëndësishëm është aktrimi. Është pa dyshim një ndër aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar, i cili po interpreton në skenë prej disa vitesh. Në intervistën për gazetën SOT, aktori

Dritan Boriçi u shpreh se si e shikonte ai si një njeri i skenës zhvillimin e teatrit. Duke folur për vlerat e teatrore sot në vendin tonë ai nuk ngurroi që të shprehej se teatri shqiptar në radhë të parë duhet të ketë më shumë dije dhe kulturë. Sa i takon jetës së tij artistike ai po përgatite për një rol tjetër, me të cilin do të vijë në një prej veprave më të njohura botërore. Ndërkohë që monodrama Legjenda e pianistit e Alessandro Baricco i dha mundësinë e shëtitjes nëpër skenat e huaja. Beogradi, Manastiri dhe Prishtina ishte itinerari ku Boriçi përcolli dhimbjen e Denit dhe ndjesinë e njeriut të detit. Aktor në film,në radio-dramatizime, dublues i shumë roleve në filmat e animuar, prezantues, por pasioni i vërtetë duket se mbetet teatri.

-Jeni një nga aktorët më aktivë të teatrit në vendin tonë, por si e shikoni sot zhvillimin e tij?
Teatri Kombëtar ka hyrë në një drejtim, ku trupa teatrore po provohet me teste të mëdha, që i takojnë antikitetit, të dramaturgjisë bashkëkohore, pra mendohet që është një politikë e teksteve të mëdha, e cila do të sjelli dhe një spektator shumë më elitar dhe shumë më profesionist. Pra sot teatri shqiptar ka nevojë për politikën e teksteve të mëdha. Mendoj që gjithçka po ecën dhe në rrjedhën që po jeton dhe shoqëria shqiptare. Problematikë është se duhet të ketë dhe më shumë teatro. Në Tiranë spektatori nuk mund të qëndrojë vetëm me një teatër, sepse Teatri Kombëtar është i vetmi që po prodhon tashmë teatër, ndaj duhen ndoshta dhe dy të tjerë. Dhe këtu po flas vetëm për iniciativa shtetërore, ndërsa private është e mira që të hapen akoma dhe më shumë.


-Sipas jush, sa efikase kanë qenë politikat kulturore që janë bërë ndaj teatrit?
Unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë politikë speciale nga ana e shtetit për teatrin, që nga viti 90 e më pas. Kjo për fakti që ka filluar një rënie e produkteve teatrore, pasi janë mbyllur shumë qendra teatrore në Shqipëri dhe nuk prodhojnë ashtu si kanë prodhuar më parë si Shkodra, Elbasani, Korça, Fieri etj. Janë shumë qendra, të cilat tashmë i kanë teatrot bosh, ndërkohë që këto duhet të prodhojnë patjetër në teatër. Nga ana tjetër ne kemi një Akademi, e cila çdo vit prodhon aktorë dhe nuk mund të themi se ka një prodhim cilësor, ashtu si nuk mund të themi se ka pedagogë cilësorë, të cilët si rrjedhojë sjellin produktet e tyre që të jenë skarcitete, pra në radhë të parë duhet patjetër një politikë shtetërore që të shtojë numrin e teatrove të ngritura nga shteti.


-E ndërkohë që është hapur dhe Teatri i Metropolit?
Kjo është një iniciativë shumë e mirë. Çdo lloj teatri, i cili hapet nuk besoj se duhet të ketë një ndarje të rinj apo të vjetër. Teatri nuk është problem moshe, por është problem vlerash. Si i ri apo i vjetër nuk ke pse të pranohesh në teatër, po nuk pate vlera. Pra nuk ka pse të na shqetësojë shumë problemi i të rinjve dhe i të vjetërve në teatër. Ajo që duhet të na shqetësojë është se sa vlera kanë ata që bëjnë sot teatër. Nëse dikush nga të rinjtë dëshiron të konkurrojë vlerat e aktorëve që janë në Teatrin Kombëtar, ai duhet ta provojë këtë gjë. Nuk mundet që të trokasësh me anë të mikut apo shokut dhe të hysh, sepse më duket se është kthyer në mani kjo gjë. Problemi i futjes në Teatrin Kombëtar është kthyer në një sëmundje, ndërkohë që askush nga të rinjtë nuk thotë që unë dua të shkoj në p.sh në Shkodër dhe të interpretoj atje, dhe më pas ta zhvilloj karrierën time dhe të kem të drejtën që me një CV të përgatitur të vij dhe të trokas në dyert e Teatrit Kombëtar, ndërsa ata kërkojnë direkt rrugën më të lehtë, ndoshta kështu kanë hyrë dhe në shkollë dhe kështu kërkojnë dhe këtu.


-Keni marrë pjesë në shumë festivale teatrore që janë zhvilluar dhe jashtë vendit. Si e keni parë trupën e teatrit shqiptar duke e krahasuar me të tjerat?
Besoj që trupa shqiptare është me shumë dinjitet, gjithsesi përplasja me trupat e tjera reflekton problemet e gjithë shoqërisë shqiptare. Ashtu siç qëndron shoqëria shqiptare përballë shoqërive të rajonit apo të botës, ashtu qëndron edhe teatri.


-Në vendin tonë zhvillohen shumë festivale teatrore, sipas jush a sjellin vërtetë atë që ata pretendojnë tek publiku?
Ajo që unë mendoj, është që ne kemi një nga festivalet më të mira që mund të shtrihet edhe në Evropë, i cili është festivali teatror i Butrintit. Për mua ai është etalon i vërtetë, jo vetëm për zhvillimet teatrore në Shqipëri, por dhe për mënyrën se si mund të bëhet një festival. Absolutisht që për mua ai është festivali teatror më i fuqishëm, më i miri, me vlera artistike të larta. Unë kam parë shumë festivale jashtë, por mendoj që Butrinti është shumë dinjitoz në prezantimin e tij. Unë mendoj se ai duhet të jetë patjetër festivali teatror në vendin tonë, i cili duhet të përkrahet dhe më shumë nga shteti, sepse çdo aktor profesionist në Shqipëri arrin që të mësojë shumë.


-Dramaturgjia shqipe gjithmonë është pëlqyer në teatër, por ndërkohë që ajo nuk vihet re shumë. Sipas jush pse ndodh kjo?
Kam përshtypjen që dramaturgjia shqiptare ka problemet e veta, sepse është shumë e vonë në rrjedhën e gjinive të tjera letrare. Nuk është si romani apo poezia. Në fund të shekullit të 19 është zhvilluar dramaturgjia, ndërkohë kur bota kishte antikitetin, Shekspirin, pra është një gjini e cila është akoma më e vështirë. Një shoqëri që të prodhojë dramaturgji, ajo duhet të ngrihet shumë në nivel. Sot ne shohim që nuk lexohet shumë. Numri i intelektualëve është shumë i paktë dhe dramaturgjia është pjesa më e artë e letërsisë. Është ajo e cila do të mishërohet me anë të aktorëve dhe do të japi mesazhe në skenë. Ndaj mendoj që ne kemi një dramaturgji shumë të dobët pavarësisht përpjekjeve për tu admiruar, ku për momentin ne flasim për dy konkurse të dramaturgjisë shqipe, të cilat do të prodhojnë dy vepra. Njëri i organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës me Ambasadën Austriake dhe tjetri i organizuar nga Teatri Kombëtar. Unë jam i bindur se kjo do të sjelli dy veprat më të mira të mundshme të dramaturgjisë shqiptare, por mendoj që dramaturgjia shqiptare nuk mund të qëndrojë si një ishull i mbyllur, por duhet të krahasohet nëse do të ketë po ato vlera aq sa ka dhe dramaturgjia shqiptare në botë. Nuk mund të themi që ata janë jashtë dhe ne jemi brenda. Dramaturgjia shqiptare duhet të ballafaqohet me kohën e globalizmit. Jetojmë në kohën e globalizmit dhe duhet të heqë vizat edhe dramaturgjia shqiptare.


-Sipas jush mungon brezi i ri në teatër?
Unë mendoj se në Teatrin Kombëtar duhet të ketë vetëm vlera, dhe nuk ka rëndësi për mua nëse janë të rinj apo të vjetër. Në Teatrin Kombëtar duhet të luhet vetëm me vlera dhe unë deri tani nuk kam parë ndonjë aktor, i cili të jetë konkurrent me vlerat e vërteta të Teatrit Kombëtar. Ambicia e të rinjve duhet të jetë që ata të ballafaqohen me më të mirët në Teatrin Kombëtar. Në rast se ata do të mundin më të mirët e Teatri Kombëtar, janë të gatshëm, pra duhet të meritojnë një titull që të jetë një aktor i Teatrit Kombëtar. Më pas e gjitha është një demagogji, sidomos nga të vjetrit, nga ata që janë brenda Teatrit Kombëtar që thjesht për demagogji thonë le të vijnë të rinjtë. Ata le të hapin vendin, të largohen vetë meqë janë kaq altruistë dhe të lejojnë të rinjtë. Kur të vish në Teatrin Kombëtar duhet të kesh një CV shumë të pasur.


-E ndërkohë sa i takon aktivit

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›