Gjashtëfishohet shpërblimi për gjetjen e Bleonës së humbur
Zhdukja në mënyrë enigmatike e vajzës 6 vjeçe, Bleona Mata, dhjetë ditë më parë në Zapod të Kukësit, ka vënë në lëvizje strukturat më të larta të Policisë së Shtetit, që jo vetëm kanë intensifikuar kërkimet në pistën e rrëmbimit, por kanë shtuar edhe shpërblimin për këdo që ndihmon në këtë drejtim. E pikërisht për kërkimet për vajzën e humbur në fshatin Zapod, ka udhëtuar në Kukës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në një takim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, Burgaj ka inkurajuar efektivët e Policisë së Kukësit, duke u dhënë mbështetje të fortë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në operacionet për kërkimin e 6-vjeçares së humbur. Burgaj bëri të njohur edhe faktin që Policia e Shtetit ka rritur gjashtëfish shumën e shpërblimit për gjetjen e vajzës. Ai tha se janë vënë në dispozicion 3 milionë lekë për cilindo që jep informacionin e saktë për vendndodhjen e vajzës, duke ruajtur edhe anonimatin e personit. “Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, po intensifikojnë maksimalisht hetimet rreth kësaj ngjarjeje, duke dërguar këtu efektivët më të mirë të policisë dhe prokurorët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim që të arrijmë në zbardhjen e së vërtetës rreth kësaj ngjarjeje të rëndë”, u shpreh numri një i Policisë Shqiptare, Hysni Burgaj. Në takimin me drejtuesit e Policisë së Kukësit ai bëri të njohur faktin se po bashkëpunohet ngushtë edhe me policinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë, duke zgjeruar hartën e kërkimit të vajzës së vogël, e cila u zhduk pa gjurmë të shtunën më datë 22 maj 2010, në fshatin Zapod, pak kilometra larg shtëpisë së saj, teksa po kulloste bagëtitë së bashku me disa vajza të rritura. Këto të fundit, përfshi hallën e Bleonës, kanë thënë se humbja ka ndodhur kur ato po merreshin me grumbullimin e bagëtive dhe se nuk kanë asnjë ide se çfarë mund të ketë ndodhur me të.
Nga kërkimet e deritanishme ka një person të arrestuar, si dhe janë shoqëruar dhe marrë në pyetje shumë të tjerë. Personi i arrestuar, 29-vjeçari Luftëtar Jakupi, është banor i fshatit Lojme i shpërngulur në Tiranë, i cili kishte raportuar në shtëpinë e tezes së Bleonës në Lojme se vajzën e kishte rrëmbyer një bashkëfshatar. Gjatë ballafaqimit në polici, ai e ka mohuar të ketë thënë këtë fakt, por ka thëne se ka hedhur dyshime për dikë që, sipas tij, mund të ishte i përfshirë. Burime të prokurorisë thanë se nuk kanë shumë argumente për gjykatën për ta mbajtur në burg 29-vjeçarin Jakupi, i cili sot del para gjykatës për masën e sigurisë. Jakupi kishte thënë në polici se ai ndodhej në fshat, me qëllim që të mbillte fasule në arat e veta dhe jo të gjente vajzën e humbur.
Që nga dita e zhdukjes së 6-vjeçares deri në ditët e fundit, dhjetëra policë të Kukësit, por edhe të Dragashit në Kosove, si dhe disa qindra banorë të fshatrave të Komunës Zapod, e kërkuan Bleonën e vogël nëpër bjeshkët e larta se mos e kishin sulmuar kafshët e egra. Por së fundi, policia ka intensifikuar kërkimin në pistat të tjera, ku vendin kryesor e zë ajo e rrëmbimit nga persona të paidentifikuar.